Përfaqësuesit e opozitës në KQZ e kundërshtojnë ndarjen e mandateve në qarkun e Kukësit. Përmes një letre ku rendisin 27 argumente kundër ndarjes së mandateve në qarkun Kukës, anëtarët e opozitës, Denar Biba, Albana Shtylla Jani Jani kërkojnë që çështja duhet të rimerret në shqyrtim nga KQZ, pasi është në shkelje të procedurave të parashikuar prej tij.
“Pasi u njohëm me përmbajtjen dhe pjesën urdhëruese të aktit që na është sjellë nga administrata e KQZ për ta nënshkruar, na rezulton se gjendemi përpara një vendimmarrjeje absurde dhe në kundërshtim me ligjin. Në lidhje me qëndrimin tonë të vendosur, shpjegojmë se, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, sipas nenit 76§2 të Kodit Zgjedhor cakton mandatet për çdo zonë zgjedhore, bazuar në kriteret dhe procedurat e parashikuara në nenin 75 të tij. Në nenin 76§1 të Kodit Zgjedhor përcaktohet se: “Si rregull 4 muaj para datës së fillimit të periudhës zgjedhore, që i paraprin fundit të mandatit të Kuvendit, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile me kërkesë të KQZ, dërgon numrin e përgjithshëm të shtetasve, si dhe numrin e shtetasve për çdo qark, bazuar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile”. Bazuar në parashikimin e sipërcituar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me shkresën nr.727, datë 22.10.2012, i kërkoi Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile dhe Ministrisë së Brendshme, të dhënat e përcaktuara në këtë nen. Ministria e Brendshme me shkresën nr.7376/1, datë 07.11.2012 i ka dërguar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të dhënat e kërkuara, duke theksuar që numri i shtetasve i dërguar me shkresë është ai i datës 7.11.2012. Vendimi në fjalë është edhe në kundërshtim me procedurën e parashikuar nga Kodi Zgjedhor për marrjen e vendimeve nga KQZ (nenet 23 e 24). Në asnjë nga këta nene, apo ndokund tjetër në Kodin Zgjedhor apo Kodin e Procedurave Administrative, nuk parashikohet që në rastet kur (projekt)vendimi nuk miratohet në parim kemi një votim të dytë. Rrjedhimisht, dispozitivi i këtij vendimi, fryt i votimit të dytë të KQZ është një shkelje e rëndë dhe flagrante e procedurës së vendimmarrjes së KQZ, sipas parashikimeve ligjore që e rregullojnë atë, të cituara më lart. Është thjesht absurd një vendim i cili konsiderohet i marrë, ndonëse kundër tij ka votuar shumica (5 nga 7) e anëtarëve të KQZ”, thuhet ndër të tjera në letër.
