Versioni gjerman i “Kush do të bëhet milioner” (Wer wird Millionär), transmetoi një mbrëmje speciale në fund të sezonit, ku në rolin e konkurrentëve ishin personalitete të ndryshme gjermane. Konkurrenti i ftuar nga kanali RTL ishte politikani dhe kolegu i Kancelares gjermane, në partinë kristiano-demokrate, Wolfgang Bosbach. Bosbach pasi dëgjoi një pyetje për ish Republikën Demokratike Gjermane dyshoi dhe vendosi të përdorë ndihmën “telefonoi mikut”. “Kë do të telefononi?”, pyet prezantuesi i programit. “Do të telefonoj shefen time Angela Merkel, ajo u rrit në RDGJ dhe mendoj se mund ta dijë përgjigjen”, thotë konkurrenti. Organizuesit telefonuan dy herë radhazi kancelaren Merkel, por ajo nuk u përgjigj. Bosbach po luante për 500 mijë euro, por nuk arriti të gjente përgjigjen e saktë duke zbritur në shumën e 125 mijë eurove, të cilat i ndau mes organizatave të ndryshme me qëllime sociale.