Anginë e shpirtit-Medea në ditët tona

DITA Online

 

Jona Musai

Anton Chekhov ka shkruar dikur “Mjekësia është gruaja ime e ligjshme dhe letërsia dashnorja ime; kur mërzitem nga e para, kaloj natën me tjetrën.” Sot gruaja më ka lodhur shumë, prandaj këtë natë po strehohem te ty e dashur qe të diskutojmë pak bashkë një mike të vjetër, Medean e Euripidit. Apo Medean e Jasonit? Por, ajo s’ishte më e Jasonit? Atëherë Medean e Greqisë së Lashtë? Jo, ajo s‘ishte helene? Atëherë kujt vallë i përket Medea?!

Kur në vitet e gjimnazit lexova Medean, verdikti im ishte lakonik dhe i qartë. Medea është e çmendur. Mbase në aspektin mjekësor, në ditët e sotme do ta shprehja me terma të tjerë fjalinë duke thënë se Medea vuan nga një patologji e sferës psikologjike karakterizuar nga episode maniakale dhe delire persekutimi. Dhe mbase nëse do të më kishin pyetur deri dje, pikërisht këtë diagnozë do mërmërisja, probabilisht edhe me pak përbuzje madje. Mund edhe të shtoja nga ana tjetër që Euripidi flet kollaj që një nënë të vrasë fëmijën! Fundi i fundit ai s‘ka bërë asnjëherë qoftë edhe një ditë cikël në pavijon obstetrike; aty ku piskamat e dhimbjes fizike veniten si me magji në momentin që nëna sheh për herë të parë foshnjën e saj. Por sot jo! S‘do mund t‘i thoja më këto fjalë; jo pasi interpretimi i Luiza Xhuvanit bëri të dridheshin jo vetëm poltronat e teatrit, por edhe ligamentet e gjunjëve të secilit prej nesh që e ndoqëm në skenë. Nuk do mund të shprehesha më me aq përbuzje për një femër që pavarësisht makabritetit të veprimeve të saj vuan e lëngon në një mënyrë aq drithëruese. Pra kjo punë u dashka menduar prape! Medea nuk qenka thjesht e çmendur!

Mendoj se njerëzit në vetvete e kanë pak mazokizëm. Përndryshe një vepër të tillë ku një grua e tradhtuar ther fëmijët e saj, nuk do ishte një shfaqje biletat e së cilës evaporuan menjëherë sapo u hap lajmi. Pra ne, si qenie njerëzore, na pëlqen pak të vuajmë. Mbase duke parë vuajtjet e të tjerëve, ndihemi më mirë me jetët tona, kushedi! Gjithsesi, unë si shumë të tjerë mendova se ishte ide e mire të notoja në art për një mbrëmje dhe ku ka mënyrë më të mirë sesa një tragjedi greke për ta bërë këtë. Sa gabim! Kujt mund ti shkonte në mendje se interpretimi i zonjës Xhuvani në skenë do ishte aq i fuqishëm dhe aq impaktdhënës saqë dridhjet e saj rezojnë ende në veshët dhe kraharorin tim? Kush mund ta mendonte se një personazh që e kisha diagnostikuar që facies siç themi ne nga “anët tona profesionale” do paska një diagnozë kaq te koklavitur? Kush mund ta parashikonte se s’ishte kaq e thjeshtë?

Është e thjeshtë ta damkosësh Medean si të çmendur nëse nuk e ke ndjerë ndonjëherë mbi lëkurën tënde zharitjen që të shkakton tradhtia nga ai që doje më shumë; është e lehtë ta akuzosh atë nëse nuk e ke provuar ndonjëherë të duash aq shumë dikë sa po të mundje diellin do e shkulje nga gjithësia për t’ia dhënë dhe më pas ky person, të të hedhë përtokë në këmbim të një trupi tjetër epshndjellës? Kollaj ta etiketosh si psikopate këtë paciente të mjerë, që sorollatet e keqdiagnostuar në pavijonet e mendjeve të njerëzve që thjesht i hedhin asaj një vështrim të beftë e përbuzës kur janë të detyruar ta ekzaminojnë si pjesë e kurrikulës së gjimnazit. Isha treguar edhe unë një nga këta “mjekë” të pavëmendshëm. Fatmirësisht timbri i zërit të Luiza Xhuvanit, i mprehtë, i ftohtë dhe i flaktë njëkohësisht më ktheu një hap pas. Dhe si ne çdo keqdiagnostikim, fillohet përsëri aty; te anamneza, historia e pacientit.

Çfarë ankesash ka Medea dhe kur i kanë filluar ato? Pse është paraqitur Medea te mjeku, më fal doja të thoja lexuesi? Mos vallë për të treguar një case report për një psikozë? Kaq?! E pse të bëhej një bujë e tillë? Për një psikozë banale? Jo, s‘është e mundur!

Medea ankon për lëngatë shpirti, por ndryshe nga çfarë mund të mendohet nuk është tradhtia e Jasonit ajo që i inicioji simptomat e saj. Jo, lëngata e saj daton shumë më parë, që në vendimet e saj për t’u larguar nga atdheu, për të tradhtuar familjen dhe për të përlyer duart e saj me gjak për Jasonin. Këtu e ka origjinën sëmundja. Këtu duhej bërë ndërhyrja! Sepse këtu fillon kaskada e ngjarjeve fatale që e çojnë këtë paciente në veprime makabre, këtu është ai burim që e ushqeu këtë dashuri të sëmurë destruktive. Nuk është e habitshme atëherë të kuptohet pse kjo dashuri ishte e ndyrë që në fillim.

Si mund të reagojë një njeri që i pret papritur këmbën? Po një njeri që i nxjerr syrin? Ah, ulërasin, bërtasin, axhitohen?! Atëherë pse na qenkërka e sëmurë psikike një femër që bërtet e çirret kur dikush papritur vendosi t‘i thërrmojë zemrën, t‘i shkulë nderin dhe sikur të mos mjaftonte ta debojë në një tjeter vend të huaj?! Vallë si do të kishte reaguar secili prej nesh? ‘Nuk do kisha vrarë femijet‘, do përgjigjej një cinik objektiv. Ah e vërtetë! E mbështes edhe unë këtë cinikun. Kush më shumë se një mjek do e kuptonte rëndësinë e jetës? Kush më shumë se dikush qe ka formuluar betimin e Hipokratit dhe që ka premtuar të mbrojë me cdo kusht atë që Medea shkatërron, jetën? Por, ata fëmijë ishin të sajët, po ishin edhe te tij! Dhe kjo fjalë jehoi fort në zemrën time kur Luiza-Mede e nxjerr përmes dhëmbëve te kërcëllitur sikur po expektoron një mikroorganizëm vrastar. Është kjo e vërteta për të! Ata janë femijët e tij dhe ajo si një njeri qe i kanë nxjerre jo një, por te dy sytë është e verbër dhe bën makabritetin e madh!

Sepse fatkeqësisht e dashura ime, siç të dua unë kaq shumë ty, mundet gjithashtu të të urrej.

Vetëm dikush që ka dashuruar me furi mund të urrejë me po aq furi dhe fatkeqësisht qenia njerezore e lënduar ka një instikt të vjetër subkoshient për të kërkuar ndihmë: të lëndojë tjetrin. E di, e di, paradoxale apo jo? Si kërkohet ndihma duke lënduar tjetrin?! Epo për të njëjtën arsye pse secili prej nesh zihet me njerëzit rreth e rrotull kur është i merzitur. E kuptoni tani që secili prej nesh është pak, sadopak, Mede? Sepse, kur ajo thur këto plane në të vërtetë po pret vetëm diçka; që Jasoni i saj të kthehet… Jasoni i saj të kthehet te ajo, të zgjedhë atë, ta marrë në krahë, t’i thotë që ishte e gjitha një makth dhe që tani mbaroi. Kjo shpresë që pavarësisht të gjithave është kokëfortë dhe mbijeton në zemrën e saj është tragjedia e vërtetë e këtij personazhi. Këtë shpreson ajo ndërkohë që i hakërrehet grave të Korinthit « shkoni më thërrisni Jasonin ».  Vërtet urrejtja ia ka errur sytë, vërtet vaji ia ka mbyllur zemrën, por ama Medea thellë thellë e di që nëse ai do të kthehej përgjithmonë te ajo, puthjet e tij do t’ia fashisnin të zezën e zemrës. Mbase s’është e drejtë e as feministe, po ç’rëndësi do kishte ? Lumturia e saj, ‘e gjithë bota e saj’ siç ajo e quan në fillim Jasonin, do ishte përsëri me të. Ah sikur bota te ishte e drejtë! Ah sikur Jasoni vërtetë të ishte kthyer te Medea!

E dashur, nata po venitet dhe po ikën dhe siç e di me të zbardhurën e agimit duhet të kthehem tek dashuria ime tjetër. Thjesht doja t‘ju ftoja të shkonit ta shihnit këtë shfaqje dhe përgjigja e pyetjes tuaj është jo! Jo për të kënaqur mazokizmin njerëzor dorment, por për të kuptuar që arti i vërtete është kaq Madhështor në trishtimin e tij saqë na bën të kuptojmë sa e bukur është jeta! Sa e bukur është jeta kur të jep emocione kaq të forta! Sa bukur është të jetosh duke ditur që të presin copëza të tilla bittersweet përpara! Dhe për të gjithë ju me shpirt të vrarë, a s‘është kjo arsye për t’u zgjuar nesër?

 

Share This Article
2 Comments
  • Zonja autore qenka trullosur nga shfaqja. Shumë mirë, meqë ështē punē e saj. Po ç’borxh i kemi të na ndotë gjuhën me fjalë tē huaja krejtësisht të panevojshme. Nëse nuk di shqipen le të mos shkruajë fare. Dhe, a ka redaktorë gazeta??!! Më tej: synimi i dramës nuk bedoj të jetë marrja në mbrojtje apo justifikimi i krimit, siç bën kritikja; as mëshirimi i autorit të një krimi kaq të ulët: vrasja e fëmijëve nga ana e nënës për të ndëshkuar babain a tyre. Drama ka qëllim të tregojë forcën e dashurisë, e cila sa është shndritëse aq është edhe e errët, kur humbet.

  • Teatri eshte vendi ku secili qytetar shqiptare
    vecanarishte sot ,
    e ka shume te nevojeshme per te larguar shtresin
    qe rrethon boten e secilit ne Shqiperi .
    Teatri eshte nji Terapi ne Grup qe sheron shpirtin .
    Nuk kam per qellim ,Rreklame vs Teatrit sepse
    s’me lidh asgje direkte me ate ,por si artedashes e rekomandoje dicka te tille .
    Dhe tjetra ,
    dashuroni e besoni ne te bukuren e ksaj jete ,
    ne ate ndjenje magjike te emblen e hidhur si shkruan edhe autorja e ktij shkrimi edhe
    per arsyen se Teatri eshte i vetmi vend,
    e vetmja sken ,
    ku njerezit shikojne Realitetin te vertetat e jetes se tyre .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *