E përditshmja britanike “Daily Mail” tregon për një skemë martesash të rreme, të zbuluar nga policia kur një grua angleze, e cila kishte vetëm 6 ditë që ishte martuar me një vietnamez, shkoi për pushime në Meksikë me partnerin e saj të vërtetë
Biznes i veçantë, por i ngritur mbi mashtrimin, është ai i martesave për të fituar nënshtetësinë e që shihet si një fenomen i përhapur kryesisht në vendet perëndimore. Shtetas të huaj, duke mos pasur dokumente të rregullta detyrohen të ndjekin rrugë alternative (ndonëse joligjore) për të qenë rezidentë me të drejta të plota në këto vende.
Trang Thi Thuy Lu
Protagonistja e kësaj historie është një vajzë me origjinë vietnameze, Trang Thi Thuy Lu, që njihet ndryshe si Luizë, pronare e një qendre estetike për kurimin e thonjve në Blekbërn të Anglisë. Pikërisht aty, ajo zhvillonte aktivitetin e saj të dytë: ndërmjetësimin e martesave midis shtetasve britanikë dhe bashkëkombasve të saj, me një tarifë prej 5 000 sterlinash secilën.
Luizë është vënë në ndjekje nga forcat e rendit që prej 2010-s, por prej saj nuk është gjetur asnjë gjurmë. Burime të policisë thonë se ajo ishte shefja e një organizate të specializuar në martesa të rreme. Gjente gra dhe burra anglezë që binin dakord për t’u bashkuar në martesë me të huaj në këmbim të një shpërblimi monetar. 24-vjeçarja kishte shfrytëzuar pikërisht njohjet që i kishte krijuar nga biznesi i saj për të organizuar kryesisht martesa midis anglezëve dhe bashkëkombasve të saj.
Sipas prokurores Elizabet Nikols Luis, Trang Thi, nuk ka vepruar e vetme. Ajo duhet të ketë qenë pjesë e një organizate të madhe, që e ka ndihmuar të zhdukej pa lënë gjurmë sapo kuptoi shenjat e para se biznesi i saj mund të zbulohej. Vetë ajo ndoqi të njëjtën rrugë kur u martua në tetor të 2008-s me 34-vjeçarin Kevin Dounli në zyrën e regjistrimeve në Blekburn dhe si dëshmitare u shërbeu Xhema Nelson, e cila deklaroi se në atë rast kishte marrë 1500 paund.
Amanda Nolan
Një tjetër rast është ai i anglezes Amanda Nolan, 28 vjeçe, që pranoi se ishte martuar me një vietnamez të quajtur Tuan Hoang Lu dhe prej tij kishte fituar 5 000 paund. Dyshimet lindën kur nga kamerat e sigurisë në vendin ku u zhvillua ceremonia, u pa se shumë nga të ftuarit ishin vietnamezë, ndërsa nusja bashkë me miqtë e saj ishte e dehur plotësisht. Kjo skenë ishte më shumë një farsë sesa një martesë të vërtetë.
Paratë e fituara Amanda i përdori për të kaluar 2 javë pushime në Meksikë me partnerin e saj të vërtetë, Xhon Doili, vetëm 6 ditë pas martesës me vietnamezin Tuan. Çifti pranoi para autoriteteve policore se shpenzimet e udhëtimit ishin paguar nga shpërblimi që morën nga dasma e rreme. Kevin Dounli dhe Amanda Nolan u shpallën fajtorë.
Xhezon Proktor
Hetimet vijuan mbi Xhezon Proktor, Deni Ullis dhe Xhema Nelson, të cilët dolën përballë gjykatës “Preston Crown Court”, të akuzuar si pjesëmarrës në skemën e mashtrimeve martesore për t’u mundësuar emigrantëve vizat e Mbretërisë së Bashkuar. Xhezon Proktor, 40 vjeç, u pagua rreth 2000 paund për martesën e rreme me Li Thi Li Kuin, punonjëse në qendrën estetike të Luizës.
Ndonëse Proktor deklaroi në gjyq se martesa e tyre ishte fryt i një dashurie të pastër, Dounli, i cili shërbeu si dëshmitar në ceremoni, deklaroi para gjyqit se ishte paguar me 500 paund. Tani ai është në pritje të vendimit të gjyqit që do të jepet në fund të muajit mars.
Përgatiti: Dorina Gjuzi
Po hallexhinj Jane …Cfare prisni qe te bejme