Britani e Madhe, jeta është më e bukur pas divorcit

anazapta

Për gratë angleze divorci nuk është një ngjarje e dhimbshme. Përkundrazi, shumë prej tyre kalojnë një periudhë në të cilën nveli i tyre i lumturisë ngrihet dukshëm nga ai mesatar dhe kjo fazë e “euforisë” mund të zgjasë deri në 5 vjet që nga momenti i divorcit. Ky është përfundimi i një studimi të drejtuar nga “London’s Kingston University”

Gjithnjë e më shpesh historitë e dashurisë përfundojnë pa një fund të lumtur. Sipas të dhënave të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, vetëm në katër muajt e parë të këtij viti janë paraqitur rreth 937 kërkesa për divorc.

“Një fatkeqësi” mund të mendohet për të tilla raste, por jo të gjithë ndajnë këtë opinion. Për shembull në Angli, për shumë njerëz fundi i martesës është një çlirim dhe kjo vërtetohet në veçanti te gratë, të cilat thuajse gjithnjë pas divorcit kalojnë në një periudhë lumturie më të lartë se norma dhe që zgjat mesatarisht deri në pesë vite.

Lajmi vjen nga një studim i “London’s Kingston University”, i publikuar në faqet e revistës “Economica”, që ka analizuar mënyrën sipas së cilës reagojnë qytetarët anglezë ndaj traumave të ndryshme ekzistenciale.

Studimi

Studimi u zhvillua në bazë të të dhënave të mbledhura nga një sondazh të drejtuar në mbi 10.000 qytetarë anglezë të moshës nga 16 deri në 69 vjeç. Pjesëmarrësve iu kërkua t’i jepnin një votë nivelit të tyre të lumturisë, pasi kishin kaluar periudha dramatike në jetën e tyre, si p.sh. një vdekje, humbja e punës apo divorci. Për të dyja gjinitë, divorci rezultoi ngjarja më pak traumatike nga të gjitha ato që u morën në ekzaminim.

Por, nëse në rastin e burrave duket se ata thjesht nuk e përjetojnë shumë keq fundin e martesës, për gratë është një kurë e mirfilltë e shpirtit. Sipas autorit kryesor të artikullit, Yannis Georgellis, profesor në “Kingston Business School”, shpjegimi më i mundshëm është se përfundimi i një marrëdhënieje që nuk funksionon, për gratë është një event më çlirues sesa për burrat.

Papunësia është më e rëndë se divorci

Ngjarja më traumatike për të dyja sekset rezultoi se ishte pushimi nga puna. Mbi burrat papunësia duket se ka një impakt më të dhimbshëm se te gratë, e cila shoqërohet me efekte negative në mirëqenien psikologjike të tyre e që po ashtu mund të vazhdojnë deri në 5 vjet pas shkarkimit nga detyra. “Burrat janë shumë të ndjeshëm kur humbasin punën, mbi të gjitha nëse ishin të mësuar që ta çonin ata bukën në shtëpi”, thotë Georgellis.

Në këtë rast, nuk është e vërtetë se koha shëron të gjitha plagët. “Pasojat negative e të qenit të papunë për një kohë të caktuar vazhdojnë edhe kur gjejnë një punë të re, sepse shoqërohen gjithnjë me frikën se mund të humbasin edhe atë”, përfundon Georgellis./D.Gjuzi

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *