Anglia e mbyll me një zhgënjim, Kosta Rika, e para e Grupit D

anazapta

Anglia zhgënjen edhe në sfidën e fundin në grup ndaj Kosta Rikës dhe largohet nga Brazili pa asnjë fitore. Përfaqësuesja e tre luanëve nuk arriti të shënojë asnjë gol ndaj amerikano-qendrorëve, të cilëve pika e fituar u shërbeu vetëm për statistikë. Një turne që la të zhgënjyer mbi të gjithë tifozët anglezë, që shpenzuan mijëra stërlina për udhëtimin dhe akomodimin në këtë kupë botë pa u shpërblyer me kënaqësinë më të vogël që duhej t’u dhuronin idhujt e tyre.

Anglia e nisi sfidën me ndryshime të shumta në formacion, duke lënë në stol madje edhe Wayne Rooney e Steven Gerard, ndërsa në portë titullar u aktivizua Foster në vend të Heart. Ndeshja nisi e ekuilibruar me Campell që dha shkëndijën e parë në portën e Anglisë, por topi i devijuar nga Cahill përfundoi pranë shtyllës së majtë. Në të 12-n pas një kombinimi të bukur mes Wilshere dhe Sturridge lojtari i Liverpulit nuk e gjeti kuadratin, për të ardhur më pas në momentin më emocionues të takimit, kur një ekzekutim i Borges në minutën e 23-të ndalet nga trau i portës së Fostet. Në të 35-n Daniel Sturridge ka një tjetër mundësi për të zhbllokuar rezultatin, por sërish shënjestra e tij nuk është e saktë.

Edhe pjesa e dytë ishte e hapur, me aksione të shumta nga të dy krahët, por mungon cilësia në përmbylljen e aksioneve. Momenti i fundit i rrezikshëm në këtë sfidë u shënua në minutën e 65-të, me Sturridge që duhej të tregohej më altruist për t’i dhënë mundësinë e një goli të thjeshtë të riut Sterling, që ashtu si edhe Gerard e Rooney u hodhën në fushë në pjesën e dytë nga Hodgson. Përfundon 0-0 ky 90-minutësh i Belo Horizontes, i fundit për Anglinë në Brazil 2014 por jo për Kosta Rikën, që për herë të parë në histori kalon në fazën e një të tetave si kryesuese e Grupit.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *