Përfshirja e gjuhës së huaj në provimet e detyruara të maturës 2014, nuk e zhvlerëson të drejtën e maturantit ka për ta dhënë këtë lëndë edhe si provim me zgjedhje. Burimet zyrtare të Ministrisë së Arsimit sqarojnë se maturantët duhet të rrinë të qetë, pasi në listën e lëndëve me zgjedhje kanë edhe gjuhën e huaj, e cila edhe për këtë vit mbart nivelin më të lartë të krediteve, krahasuar me lëndët e tjera të listës. Sipas përcaktimeve të bëra në udhëzimin zyrtar mbi zhvillimin e provimeve të maturës 2014, nxënësit që mbarojnë vitin e tretë të shkollës së mesme do të testohen në 5 lëndë, ku përfshihen tre provimet e detyruara në lëndën e matematikës, letërsisë e gjuhës –shqipe e gjuhës së huaj, provime të cilat janë të njëjta për të gjithë maturantët në vend. Këtyre lëndëve u bashkohen edhe 2 provime të tjera në varësi të përzgjedhjeve individuale që maturantët preferojnë nga 25 lëndët e listës zyrtare. Anglishtja listohet si një ndër lëndët më të preferuara nga maturantët për t’u dhënë si provim me zgjedhje, kjo për shkak të faktit se vlerësimi i saj me nivelin maksimal të krediteve shihet si një mundësi e artë nga maturantët për të siguruar sa më shumë pikë kur të garojnë për pranimet në shkollat e larta publike. Megjithatë, autoritetet e arsimit sqarojnë se pikët e provimit të gjuhës së huaj që jepet si lëndë e detyruar nuk do të përfshihen në formulën finale të llogaritjes së pikëve për pranimet në universitete. Ato do të shpallen në Certifikatën e Maturës. Dallime të shumta do të ketë mes niveleve të testimit. Autoritetet e Arsimit sqarojnë se testi i anglishtes kur jepet si provim i detyruar pritet të jetë i një niveli të lehtë (A2). Kjo për shkak të vështirësive që shfaqen në shumë shkollave të rretheve në mësimin e gjuhës e huaj. Ndryshe nga shkollat e mesme të kryeqytetit apo qyteteve të tjera të mëdha, në rrethet e largëta anglishtja është nisur të mësohet gjatë gjimnazit, çka tregon se niveli i dijeve të fituara nga maturanti është shumë larg atyre të marra nga një nxënës i kryeqytetit, i cili mësimin e anglishtes e nis që në ciklin fillor. Ky provim bëhet më shumë për të parë nivelin aktual të njohurive që maturantët disponojnë lidhur me gjuhën e huaj të mësuar gjatë studimeve të shkollës së mesme. Duke u ndalur konkretisht në rregullat që duhen zbatuar mbi listimin e dy provimeve me zgjedhje në udhëzim specifikohet se maturanti mund të zgjedhë lëndët për provimet me zgjedhje sipas 4 kritereve ku bëjnë pjesë : “ Shuma e krediteve të këtyre lëndëve duhet të jetë jo më e vogël se 8. Numri i lëndëve që duhen zgjedhur është vetëm 2. Kriteri i tretë është kushti që maturantët kanë të drejtë të zgjedhin vetëm një gjuhë të huaj, të cilat në planin mësimor të shkollës së mesme të lartë trajtohen si “gjuhë e huaj e parë” , pavarësisht nëse është zhvilluar apo jo në shkollë.” Niveli gjuhësor i këtij testi do të jetë i një vështirësie më të madhe (B2). Lista e gjuhëve të huaja, si lëndë me zgjedhje, do të përcaktohet në udhëzimin për plotësimin e formularit A1 dhe A1Z, publikimi i të cilëve do të bëhet në nisje të muajit shkurt. Maturanti i shkollave artistike ka të drejtë të zgjedhë vetëm njërën nga lëndët e dhëna në listë, e që janë të specifikuara vetëm për shkollat profesionale. Ndërsa kriteri i katërt përcakton se maturanti kur zgjedh një lëndë të thelluar, nuk mund të zgjedhë njëkohësisht të njëjtën lëndë bërthamë (përjashtuar lëndët e provimeve të detyruara).
- Testi i gjuhë së huaj si provim i detyruar do të hartohet në përputhje me gjuhën e huaj që parapëlqen për të dhënë secili nga maturantët. Sipas Ministrisë së Arsimit, këta të fundit për të dhënë gjuhën e huaj si provim të detyruar kanë të drejta zgjedhje ndërmjet 4 lëndëve përkatësisht anglishtes, italishtes, gjermanishtes dhe frëngjishtes. Testi do të jetë i nivelit A2, nivel më i lehtë. Ndërsa maturantët që e japin si provim me zgjedhje do t’i nënshtrohen një testi më të vështirë, i cili i përket nivelit B.
- Testi i gjuhës së huaj si provim i detyruar do të hartohet nga Agjencia Kombëtare e Provimeve, si dhe do të administrohet nga Drejtoria Rajonale e arsimit përkatës. Vlerësimi do të realizohet nga AKP-ja sipas një udhëzimi të MAS. Vlerësimi i gjuhës së huaj (D3), si provim i detyruar, do të pasqyrohet në Certifikatën e Maturës, por nuk do të ndikojë tek piket që llogariten sipas formulës së pranimeve në universitete, çka do të lehtësojë maturantët që nuk dalin mirë tek anglishtja si provim i detyruar.
- Lëndët me zgjedhje që kanë vlerësimin më të lartë me kredite sipas udhëzimit zyrtar të Ministrisë së Arsimit rezultojnë të jenë gjuha e huaj me 10 kredite (anglisht, gjermanisht, frëngjisht dhe italisht), historia e thelluar me 9 kredite, gjeografia e thelluar me 7 kredite, kimia dhe biologjia e thelluar me 6 kredite, teoria profesionale për shkollat profesionale me 8 kredite. Kjo tregon që lëndët e nivelit të thelluar vlerësohen me kreditet më të larta për shkak të shkallës së vështirësisë më të madhe.
