Ese për vëllimin poetik “Anija Misterioze” të poetit Moikom Zeqo
Nga SEFER PASHA
Në Libohovë, në truallin e të parëve të poetit Moikom Zeqo lulëzon një man me shtat vigan. Pyes libohvitët e më thonë se mani është mbjellë nga të parët e Zeqove. Ata më flasin gjithashtu për atin e poetit, Zihni Zeqon. Dinë pak për të, por më të moçmit rrëfejnë se jeta e Zihni Zeqos ka qenë si era e Jugës që vjen nga monopatet e Buretos. Qe i ditur, i kërkonte udhët në jetë, ëndërronte, guxonte e provonte, ishte romantik dhe fatit i qepej çap pas çapi. Me një pasion sfilitës punoi në anijet transoqeanike të Flotës Detare dhe pas dhjetë vjetësh në këtë shërbim, në udhëtimin e fundit detar ai vdiq në moshën 42 vjeçare. Jeta e atit të poetit, Zihni Zeqos, është e pashkruar dhe e pambledhur. Libohovitët shtojnë gjithashtu se i biri, Moikomi, ngjan shumë me të atin. Në detet e tij lundron anija e fatit (anija misterioze).

Ashtu si Zihni Zeqo poeti provoi shumë në jetë. U zhyt në honin e zi të detit, u bë arkeolog, poliglot, pedagog, redaktor, gazetar, mësues fshati,arkeolog,piktor, eseist, kritik arti, gjurmues biografish, kërkues shkencor, shkrimtar, poet, piktor, i papunë, personazh i ndjekur prej vitesh nga Sigurimi i Shtetit, i masakruar nga serbëti (i burgosur ne Mal te Zi ne 1994), ministër, ( si njeri me drama të pashfaqura)edhe si autor i “Anija Misterioze”, të cilën lexuesi e ka në duar. E lexova me shënime vëllimin poetik “Anija Misterioze” siç kam lexuar të gjithë veprën e poetit Moikom Zeqo. Ai nuk ka shkruar shumë për të atin (i ka kushtuar poezi), por gjurmimet tregojnë se vdekja e atit, Zihni Zeqos, në moshë aq të re e tronditi dramatikisht poetin e ardhshëm. Poeti mbeti pa Zihninë fare i ri e pa motivet që ai i binte nga deti pa cak. Kur vdiq 42 vjeçari Zihni Zeqo poeti ishte me pantallona të shkurtëra. Moikomit iu duk sikur bota u përmbys. Qysh 9 vjeç çapkeni i detit ka provuar të shkruaj ndonjë varg a strof. Moikomi ngushëllohet kur e mendon se Zihniu iku nga kjo botë dhe mori me vete kënqësinë se tek i biri kishin çelur sythet e poetit. Në fund të fundit poeti lind dhe nuk bëhet. Të gjithë miqtë e poetit e thonë me çiltërsi se ai u bë poet edhe nga dhimbja e humbjes së të atit. Poeti i ri i dërrmuar shpirtërisht e me një nënë të bukur të mbetur vejushë (ngjante me nënën e poetit të madh rus Lermontovit) pas vdekjes së të atit delte tek Currilat (ndofta në ato ditë zie deti iu duk kanibal dhe ai pa anijen misterioze). Moikomi në breg të detit e priste Zininë. Vështronte detin, dallgët, vaporët, sirenat, mjegullat si balena e perëndimin e diellit. Ndofta qysh atëherë ngjizi “Anija Misterioze). /Te ethet e mia/ /Është sekreti i deteve në shtrëngatë/ /Dhe unë i nuhas lulet/ /Si kirurgu i mësuar me duhmën e plagëve/, shkruan poeti në poezinë “Gjarpëri që më helmon në amëshim”. Poeti Moikom Zeqo e priti si lis i njomë e me ankth të atin të zbriste nga anijet në portin e Durrësit. Dhe kur u bind që ai nuk do të zbriste kurrë nga udhëtimet e largëta u shndërrua në zgalem. Dhimbja e bëri poet. Nëna iu bë edhe baba. Të gjitha këto detaje i shkoi nëpër mend nën hijen e manit të kuq të mbjellë nga fisi i Zeqove. Një grimcë detaji më bën përshtypje të hatashme. Në degët e manit kafshojnë kokrrat e pjekura me dhjetra shpend nga mali i Buretos. Meqë mani është i kuq të gjithë zogjtë i kanë sqepat të kuq. Për herë të parë në jetën time shoh korba me buzë të kuqe. Çuditërisht një qukapik nuk ha mana. Ai me “sëpatën” e tij lufton “barbarët” e trungut të manit. Zogjtë venë dhe vinë me kokrra mani nëpër monopatet e malit të Buretos dhe të grykës që të nxjerr në Nemërçkë. Kurse ai qukapiku nuk vë asgjë në gojë. Është “gjenerali” që ruan trungun e manit nga ata që e grryejnë nga brenda. Poetin Moikom Zeqo dua ta krahasoj me qukapikun, por nuk ma mban. Krahasimi më duket i pagoditur e nuk marr dot vijë shënimi. Në të vërtetë Moikom Zeqo gjatë 50 vjetëve krijmtari qe me të vërtëte një “qukapik”, që e ruajti poezinë e tij nga sëmundjet e zigzaget. Qukapiku nuk i bën buzët si korbat me të kuq. Ai ruan ngjyrën e tij. Kur ia them mbasdite te Rrapi i Libohovës pronarit të lokalit këtë fabul e krahasim që e preka tek mani i Zeqove pronari e pëlqeu. I ke rënë në të tha ai.
Rrapin shekullor të Libohovës e mbron qukapiku. Prej qukapikëve ai rron me shekuj. Pronari i lokalit më thotë gjithashtu tek rrapi madhështor se vërtetë qukapiku nuk këndon si bilbili, por ai vetëm shkruan e shkruan me sqepin (lapsin) e vetë të mprehtë. Pa qukapikun nuk do të ishte Rrapi i Libohovës. Vëllimi poetik “Anija Misterioze” është maja më e eperme , ku e ka ngjitur poezinë e tij poeti Moikom Zeqo. Është shpërthimi më i fuqishëm (Moikomi është një mal që bën furtunë) më thoshte në Pukë studjuesi i Frang Bardhit, Muhamet Bela. Shumë poezi të shkruara qysh në vitin 1977 më duken sikur janë shkruar një javë më parë. Kjo më torturon e më bën të dyshoj në sinqeritetin e poetit. Por nuk është hera e parë që nxitohem kur gjykoj për labratorin krijues enigmatik moikomian. Motivet me fatin, me vdekjen, me ëndrrat e me misterin e universin janë poema proteste. Markezi thotë”: “Jeta më mësoi se një nga sekretet më të dobishme për të shkruar është që të mësosh të lexosh hieroglifet e realitetit pa trokitur në derë dhe pa bërë asnjë pyetje”. Kalorësi i poezisë sfidon, e vështron botën në sy, mësyn, shkallmon të keqen në shoqëri e jep shpresë, jo vetëm për mbijetesë, por dhe për t’u shkëputur nga humnera ku ndodhet shoqëria. E theksoj se ky vëllim i guximshëm e rrebel është shkruar në vitin e mbrapsht 1997. Poeti i xhindosur herë Whitman e herë Majakovsk ka gërmuar thellë në gërmadhën tonë. Kundër të keqes e ka përplasur kokën për shkëmbi. Siç e shikon lexuesi në libër, Moikomi, shkruan e i kushtohet shumë Migjenit. Padyshim që Migjenin e ka idhull. Kjo e ka bërë që në ditët tona ai të jetë Migjeni që na duhet. Është për t’u habitur, por shumë plagë të shoqërisë janë si të kohës kur jetoj Migjeni. Ja çfarë thotë poeti: /Unë e pi natën si kafe/ /Në filxhanin e një ylli/ /Dhe bije në mendime/ /Para letrës bosh/. Poeti është i rrebeluar, ankohet, urren, bën thirrje, i njeh “vrasësit”, i vizaton, i pështyn e nëpërmjet vargut moikomian ia bën të njohur shoqërisë tiranët, oligarkët e delenxhinjtë e hurit dhe të litarit. Kur iu ktheva vëllimit për herë të katërt m’u krijua bindja se këto poezi nuk janë shkruar me laps, por me një teknikë të paparë. Në poezinë “Ende s’kam vdekur” kushtuar Zihni Zeqos poeti shkruan : /Ju them, ju them – ende s’kam vdekur /Dete dhe zogj /Kuaj të shpirtit/ /Mosbesues ziliqarë//Epigonë dinakë /Zota dhe bletë/ Sende dhe fjalë – ende s’kam vdekur/. E them qysh në krye të herës se vëllimi “Anija Misterioze” e poetit Moikom Zeqo nuk është testamentar. Poeti ka kohë për të shkruar librin e fundit me poezi të testamentit. Mbase pas 20 vjetësh. Dhe në testament lexuesi do të gjej thesare, që do të kërkohen shekull pas shekulli nga studjuesit. /Hija e një delfini fluturues /Më mbulon në pllajë/ Te Rrapi i Libohovës/ Është letra/ E librave që kurrë s’do ti botoj/.
Moikom Zeqo ka energji dhe shumë për të thënë. Jeta e tij nuk është ajo që shohim dhe lexojmë. Brenda poetit lëviz një shpirt tragjik i panjohur. Nëse ai është bërë kaq i madh kjo ka ndodhur se shpirti i tij lëngon. Arti dhe dashuria për kujtimin e Zihniut e bëjnë të vendosur për të jetuar gjatë, ndofta për të kapur një shekull. Nuk e di nëse në përditshmëri shkruan poezi. Ai ka kohë që është shndërruar në një Heminguej në shtyp. Publicistët më në zë i vijnë rrotull. Moikom Zeqo nuk ngjan me asnjë poet tjetër të gjallë apo të vdekur në Shqipëri. Kjo të bie në sy dhe tek vëllimi “Anija Misterioze”. Poezitë nga forma sa janë klasike, janë gjithashtu dhe risi. Poezitë në formën e brezareve janë të uidisura si në formë dhe në përmbajtje me një stil tipik moikomian. Ato janë rudina me lule e bar. Nuk ka rëndësi forma e rudinës, as pamja, as sesi janë stivosur lulet. Për lexuesin merr vlerë bukuria e luleve, aroma e këndëshme, ngjyrat dhe krenaria. Vargjet e poezive të Moikom Zeqos ngjajnë me ato të luleve të rudinës. Lulet në rudinë sidoqë kanë mbirë, edhe kur përzihen me gjëmbat, ato të magjepsin me ngjyrat e me mënyrën sesi aktrojnë, si i presin agimet, muzgjet, por dhe tufanet e pranverës.
Tufanet edhe kur i rrafshojnë dhe lulet duken si të vdekura prapë u ka hije bukuria. Dhe ringrihen sa të hapësh e të mbyllësh sytë. Kështu janë dhe poezitë e “Anijes Misterioze” të poetit Moikom Zeqo. Disa prej tyre edhe pse të krijojnë përshtypjen prozave të shkurtëra të Dino Buzatit, kur i lexon i shijon si poezi filozofike dhe estetike. Vargu është homerik e përmbajtja përcjellë mesazhe drithëruese. Tek poezia “Shpejtësia e fëminisë” poeti shkruan: – /Kërkoj paradoksin e një kafke fluturuse/ Apo të një shpendi të kthyer në gjitar/ Dhe hesht, hesht, të më dëgjojnë të gjithë/. “Anija Misterioze” ka rreth 500 faqe. Dhe në fund të çdo poezie shënohet koha kur është shkruar e që janë kolisur në vitin 1977 – 1999. Periudha kur janë shkruar poezitë e kësaj përmbledhje të botuesit Fatmir Minguli (LIBRAT NGJAJNË ME SHKËMBINJTË NË SHESHIN “SKËNDERBEJ”). Por kur e mbaron librin mbetesh disi pa frymë. Pyetja e parë që të vjen në mendje është ajo se “ku është nëpër poezi viti 1977?”. Në asnjë faqe të librit nuk ka fakte nga ai vit i zi, as gjëma, as të vrarë, as depo armësh, as anije të mbytura me klandestin, as arrati të Presidentit e as shifra me 3000 të vdekur. Lexuesi ngre supet. Si nuk i prek poeti “kallashnikovët” e atij viti të mbrapsht. Por pikërisht këtu qëndron magjia e artit moikomian. Poeti nuk merret me “bombat”. Nuk i bën me metafora ekspertizën vitit katastrofik. Jo. Moikom Zeqo me artin e tij shkruan poezi epike, filozofike dhe ato të tjetërllojtat, që më tepër ngjajnë me fragmente të dramave të Sheksiprit. Në kuvertën e “Anijes Misterioze” është tragjedia e shqiptarëve, fati, mallkimi, marrëzia, rrethrrotullimi, varësia e të voglit nga i fuqishmi, të mbeturit në udhëkryqe për shkak të mungesës së prijësave epokal e ca “kleçka” të tjera, që lidhen me kombin e ndarë në disa shtete e tani në demokraci të shpërndarë si zogjtë e korbit. Te “Anija Misterioze” ashtu si në të gjithë kështjellën e poezisë së Moikom Zeqos të bie në sy misioni i poetit. Që nga poezia e parë që ai e ka shkruar që kur ishte 13 vjeç e gjer tek ajo që është në saçin e krijimit të bie në sy lufta e poetit kundër të keqes e cila nuk paska cak. Kërkoj nëpër vëllimin e fundit një motiv te qetë e një çast lumturie. Për dreq nuk e gjej në asnjë varg. /Paratë, lavdinë, të gjitha i hedh në një thes/, thoshte Majakovski. I gjithë arti moikomian është ballë për ballë me ciklonin e ashpër. Poeti kudo zë pritë e nuk lejon që e liga të marrë frymë, por cikloni është i pamëshirshëm. Poeti Moikom Zeqo nuk njeh tërheqje. Vargjet janë armët e tij. Ai ka shkruar dhe vazhdon të shkruaj papushim. Dhe e ka të zorëshme të ndjej kënaqësi. Është përherë në luftë e s’ngre dolli për lumturinë. Prandaj do të lexohet edhe pas njëqind vjetësh a më shumë. Në udhën e gjatë të poetit ai se ktheu kokën mbrapa. Vështroi përpara që atdhetarëve të vetë ashtu si Naimi t’u sillte dritë. Tek lexoja varg pas vargu “Anijen Misterioze” m’u kujtua nje ndodhi dikur me kolonelët grek në një nga piramidat e malit të Buretos, mbi shtëpinë në Libohovë, ku ka lindur Zihni Zeqo.
Pas takimit shtetëror në piramidë kolonelët i thonë komandantit shqiptar se ata ishin mahnitur nga lulet në livadhin e paanë, nga aroma e bukuria magjisë. Komandanti që i dëgjonte e tha një fjalë. Unë nuk merrem me bukurinë e luleve. Unë jam rojtar i bukurisë. I ruaj që të mos shkel mbi to e keqja. Nuk i kam parë se sa të bukura janë. Si ai komandanti baladesk i luleve te piramida e malit të Burtos më ngjan në këtë vëllim Moikom Zeqo. Ai nuk i ka kushtuar vëmendje të madhe vargut, strofës, metrikës e rrokjeve. Jo. Nuk ka qenë kjo mania e poetit. Në të gjithë jetën e tij me artin e madh ka synuar të ndreq njeriun, të luftoj dramat e veset e ne të krenohemi me emrin e Shqipërisë. Prandaj poeti i përkushtohet kaq shumë Naimit: /Kapelen e Çaplinit e bëj çerdhe/ Për zogun e vogël, që zuri një djalë/ Dhe i këndoj me dhimbje Naimi i drithëruar. Vëllimi “Anija Misterioze” e dramave të vitit 1977-1997 ka thyer rregullat e lojës në poezinë e mirfilltë shqiptare. E kam hapur librin në faqen 237. Lexoj titullin “Jeta e treta”. Në vështrim të parë nuk merret vesh se çfarë zhanrri është kjo që po lexoj. Poezi, prozë, dramë, fragment tragjedie apo një klithmë djalli (engjejt mungojnë në veprën e Moikomit). Janë gjithsejt 20 fjalë. A është kjo një risi në Vjosën e egër të poetit Moikom Zeqo? Padyshim. Ja si e shpreh motivin për lexuesin Moikom Zeqo. “Kjo jetë, – që jetoj – si poet, – është e treta, mbas jetës – si delfin – në detin Jon, – dhe si mëllënjë – e Fushë Kosovës – më 1389”. Në këtë art të pacunguar nga mënyra sesi poeti e mbjell arën me grurë lexuesi gjen brenda alegorinë, fabulat, aluzionet, antistrofat, apologjinë, dedikimin, asonancat, klasicizmin, romantizmin, simbolizmin, ekspresionizmin, pasthirrmat, ekzistencializmin, ekzotizmin, emfazat, enigmat, enumeracionet, epigrafet, epitetet, epitezat, epopet, eposin, estetikën, eufemizmin, evokimet, ezopizmin, figurat gramatikore, fjalëshpejtëzat, fonetikën poetike, futurizmin, groteskun, metaforat, hekzametrat, hiperbolat, idiomat, imagjinatën, impresionizmin, katarsin, koloritin, kompozicionin, kontrastet, lajmotivet, lakonizmin, maksimat, metrikat, mitologjitë, motërzimet, nihilizmat, retorizmin, ritmikën, sendërgjitë, sintaksën poetike, sprovat (poeti në këtë vëllim është marrë me to) e të tjera. Në udhën e tij të gjatë poetike Moikom Zeqo nuk imitoi asnjë rrymë edhe pse ato siç ndodh në veprat letrare janë brenda veprës. Poeti qe si ata përrenjtë e malit të Buretos, të cilët zbresin nga mali me gjëmim.
Kënga e tyre nuk ka as marrës e as hedhës. Kënga se përfill rregullin. Ajo gjëmon nëpër mal. Zgjuan, grryen, vidhis e ndjen kënaqësi kur përplaset nëpër shkëmbinj. Kështu është dhe poezia e Moikom Zeqos. Në udhën e mundimshme nuk u disiplinua. E vazhdoi jehonën ditë pas dite e vit pas viti e dekadë pas dekade. Zëri i poetit Zeqo nuk i pranoi komandat. Dhe kështu vazhdon kjo këngë pambarim. E tillë është dhe tek “Anija Misterioze”. Ajo gjëmon e gjëmon në fushë, në mal, në bulevard, në vija kroi, në përrua, në lum dhe kur zbret në det ja trazon atij qetësinë. Poezitë e Moikom Zeqos nuk janë të rrethanave. S’kanë kohë. S’janë sot për sot. Një motiv dashurie apo një gjëmë ta kthej në poezi. Jo. Kjo nuk ka ndodhur tek poeti Moikom Zeqo. Poezitë e “Qytetit Feniks” të duken sikur janë shkruar në vitin 1977 e këto të “Anijes Misterioze” 50 vjet më parë. Poeti nuk u poq e as u rrit. Ai ashtu lindi. 16 vjeç ishte mik i afërt i shkrimtarit tragjik Bilal Xhaferit. Për poetin pati vetëm një dramë sublime.. Dhe kjo ishte Shqipëria. Qysh kur ishte pa vënë brisk në faqe e ndjente këtë fat. Dhe shkroi papushim i ndjekur nga ky fat. Nuk ka përgjërata në mijëra faqe, prandaj kur e shikon hollë – hollë të duket sikur poezitë s’janë shkruar në përditshmëri, e s’kanë as vit, as datë e as ngjyra të motit. Kudo është drama jonë e lufta e poetit për kapërximin e saj. Dhe lexuesi nuk ka nevojë të kërkoj. Ai është brenda poezive të Moikomit. I lexon ato me kënaqësi dhe si personazh përpiqet të dal nga drama në një jetë më të mirë.

Faleminderi penes suaj z.Sefer Pasha,sa na sillni per te mirin e pashoq Akademikun Mojkom Zeqon;pene flori.