Anije ushtarake të NATO-s në portin e Vlorës

Dita

Anije ushtarake të NATO-s u ankoruan paraditen e të premtes në portin e Vlorës, ku do të qëndrojnë tre ditë, në kuadrin dhe zbatimin e programit të bashkëpunimit dhe aktiviteteve kryesore me Forcat e Armatosura të Shqipërisë.

Këto anije janë pjesë e grupit të gatshëm të Anijeve Minaheqëse të NATO-s, SNMCMG2 dhe qëllimi i vizitës portuale 3 ditore është trajnimi dhe bashkëveprimi midis Forcave tona detare dhe atyre të NATO-s.

Gjatë këtyre tre ditëve personeli i grupit SNMCMG2 do zhvillojë takime dhe vizita në Komandën e Flotiljes Pashaliman , në Bashkinë dhe Prefekturën Vlorë. Gjithashtu efektivat e anijeve do të zhvillojnë vizita në kalanë e Kaninës dhe qëndra të tjera historiko-kulturore të Vlorës.

SNMCMG2 normalisht përbëhet nga tetë Dragamina (Minaheqese, Minakerkuese) dhe një anije mbeshtetese (Ndihmuese), si pjesë kontribuese nga vendet anëtare të NATO-s mes të cilave, Belgjika, Gjermania, Greqia , Italia, Spanja , Turqia, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara .

 

Sot, përfaqësues të komandës së këtij grupi anijesh zhvilluan vizita në Prefekturën dhe Bashkinë e Vlorës ku u pritën respektivisht nga Prefektja, Etjona Hoxha dhe nënkryetari Arben Beqiraj. Prefektja Etjona Hoxha i njohu miqtë me profilin e qytetit të Vlorës dhe të të gjithë qarkut, me resurset njerëzore dhe turistike, ndërkohë që rikonfirmoi dimensionet e miqësisë dhe bashkëpunimit.

Ndërkohë, nënkryetari i Bashkisë, Arben Beqiraj, i përshëndeti miqtë në emër të kryetarit, Dritan Leli, që ndodhet për një vizitë pune jashtë vendit. Ai u bëri një panoramë të Vlorës, territorin e ri që administron bashkia, resurse njerëzore dhe diversitetin kulturor, historinë, duke evidentuar rolin e qytetit si qendër historike e vendit dhe e kombit shqiptar. Ai i njohu gjithashtu me zhvillimet social kulturore, rëndësinë ekonomike që ka qyteti dhe porti në shkallë vendi, nivelin arsimor dhe zhvillimin në këtë sektor, ndërkohë që u dhuroi miqve simbole të qytetit, albume për artin dhe trashëgiminë kulturore e historike, si dhe video me materiale filmike për profilin turistik të Vlorës.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *