Tek ty do të tretem… (Sipas P. Elyar)
Po u bëre akull-do të bëhem zjarr,
të ftohtin mos vuaj,
po u bëre zjarr-do të bëhem akull,
zjarrin do ta shuaj.
Krahët po m’i preve-do të bëhem zog,
për të fluturuar,
dritën po ma zure-do të bëhem yll,
për të vezulluar.
Po ma mbylle zemrën-po më le të vetëm,
nën një rreze hëne,
po ma mbylle zëmrën-do të bëhem çelës,
të hap zemrën tënde.
Po u bëre lumë-në dallgët e tua,
thellë do të zhytem,
nga kjo jetë e shkretë-tjetër gjë nuk dua,
veç aty të mbytem.
Po të zuri gjumi-në një errësirë,
po i mbylle sytë,
gjersa të më zgjohesh-për ty do të bëhem,
një ëndërr me dritë.
Po u bëre mjegull-do të bëhem rreze,
mjegullën do tret,
gjersa të më shfaqet-si yll në mëngjese,
i ëmbli portret.
Po humbe në mjegull-un’ do bëhem Diell,
që ti prapë të shfaqesh,
në dimrin me borë-për ty do të çel,
tufa manushaqesh.
Nuk të ndahem kurrë-gjer në fund të jetës,
pas teje do mbetem,
do të bëhem ajër-do bëhem aromë,
tek ty do të tretem.
Tiranë, 05.08.1999
2. Asnjë varr s’më mban dot brënda
Jetë-moj-që s’ke të fikur,
tek ti s’erdha për të ikur,
kur të shkoj-e kur të tretem,
nëpër vargje do të mbetem.
S’kam të vdekur porsi kënga,
asnjë varr s’më mban dot brënda…
1995
3. Një pëllumb i butë
Në mes këmbëve ç’ke fshehur,
një pëllumb të butë,
që pa pirë të plas të dehur,
që të lot nga trutë.
Pëllumb i fshehur në rrjetë,
si në cipë të gjarprit,
ç’më zu si peshkun në grep,
ah-mua të varfrit.
Shkurt, 1995

Lirika shume te bukura dhe te shkruara me nje mjeshteri prej Poeti Talent i Vertetë !
Të mrekullueshme!