Shqipëria po përgatitet për përfaqësimin historik në finalet e Kampionatit Europian. Për pjesëmarrjen në evenimentin e verës së ardhshme në Francë, Kombëtarja pritet të përfaqësohet me një imazh të ri, duke nisur nga fanella.
Ishte pikërisht kjo një prej pikave të diskutimit në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv, të zhvilluar në Federatën Shqiptare të Futbollit. Çështja rreth sponsorit teknik u propozua nga Drejtoria e Marketingut.
Objektivi është përgatitja e një koleksioni të veçantë, me dizajn të personalizuar dhe unik për ekipin kuqezi, që do të shërbejë si imazh i veçantë i Shqipërisë në Euro 2016, por edhe në kualifikueset e Botërorit 2018.
Një ndërthurje mes simboleve kombëtare dhe prezantimit të veçantë në evenimentin në Francë. Ekzekutivi i FSHF-së njoftoi se janë identifikuar ofertat dhe projektet e ardhura, ndërsa procesi do të mbyllet brenda muajit janar.
Synimi është sigurimi i një projekti që përveçse cilësor të jetë edhe afatgjatë. Adidas, sponsori aktual i Kombëtares është një prej kandidatëve, me federatën që është në procesin e rinegocimit të marrëveshjes.
Tjetër kompani prestigjoze është edhe Puma. Përveçse është sponsor i përfaqësueses italiane në Euro 2016, kjo markë ka përgatitur fanellat e Zvicrës, Republikës Çeke dhe skuadrës së Austrisë.
Mes kompanive që kanë shfaqur interes janë edhe tre italiane. Bëhet fjalë për Lotto, me seli në Trevizo dhe që u shfaq në industrinë e veshjeve sportive në vitin 1973. Detaj interesant është se Lotto ka qenë sponsor i Bekim Kastratit, sulmuesit që ka luajtur tre ndeshje për Kombëtaren.
Errea është një kompani e krijuar në vitin 1988 me seli në Parma. Pas përfaqësimit në rang klubesh me Tiranën dhe Teutën, për këtë markë do të ishte bashkëpunimi i parë me Kombëtaren.
Macron në anën tjetër u krijua në vitin 1971, si shpërndarës i markave sportive amerikane në Itali. Kompania nisi punën në futbollin botëror në vitin 2001, me kontratën e parë me Bolognan, qytet ku ka edhe selinë, ndërsa prej dhjetë vjetësh është zgjeruar edhe në tregun botëror.

beni edhe kostume per lojtaret sepse vishen me ateo bluzat sportive me digitalb ner kurriz taman si provinciale.