Anketimi, sektori privat punëson 345 mijë persona

redaktor

Sektori privat jobujqësor punëson rreth 345 mijë shqiptarë, ndër të cilët pjesa dërrmuese në tregti dhe shërbime. Sipas të dhënave të INSTAT për vitin 2013, shërbimet, duke përfshirë edhe tregtinë, punësojnë 62% të numrit total të punonjësve në sektorin privat. Tregtia punëson afro 90 mijë shqiptarë ose 26% e të gjithë numrit të të punësuarve në aktivitetin privat. Dega e dytë e ekonomisë për nga numri i të punësuarve është industria përpunuese, me 68 mijë punonjës ose rreth 20% e totalit. Vijon pjesa tjetër e shërbimeve me 60 mijë të punësuar, ose 17% të totalit. Brenda industrisë përpunuese, sektori i tekstileve dhe këpucëve, që përbën edhe kolonën e industrisë fason në vend, sipas kësaj ankete punëson rreth 30 mijë shqiptarë. Ky numër është larg shifrës prej afro 100 mijë të punësuarish që pretendohet nga sipërmarrësit e kësaj industrie. Kjo tregon se niveli i lartë i informalitetit nuk mund të zbardhet as në shifrat e deklaruara në anketime. Sidoqoftë, në tërësi shifrat e punësimit tregojnë se ekonomia shqiptare ende ka një profil të ulët prodhues dhe shumica e forcës së punës është e angazhuar në tregti dhe në shërbime.

Rriten ndërmarrjet ekonomike

Numri i ndërmarrjeve ekonomike aktive për vitin 2013 ishte 84.790 duke u rritur me 1.4 për qind krahasuar me vitin 2012. Të dhënat i përkasin Institutit të Statistikave. Në vitin 2013, numri i të punësuarve gjithsej është rritur me 28.565 të punësuar ose 9.0 për qind krahasuar me 2012. Prodhuesit e shërbimeve kanë kontribuar me 6.9 për qind, ndërkaq prodhuesit e të mirave kanë kontribuar me 2.1 për qind. Shitjet neto në 2013 arritën vlerën 1.637 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 5.8 për qind ndaj vitit 2012. Shitjet e realizuara nga prodhuesit e shërbimeve për 2013 përbëjnë 65.3 për qind të shitjeve gjithsej dhe kontribuojnë me 4.8 për qind në rritjen e këtij treguesi ndërsa prodhuesit e të mirave kanë realizuar 34.7 për qind të shitjeve gjithsej dhe kontribuojnë me 1.0 për qind. Për sa i përket investimeve dallohet një rritje e tyre prej 9.5 për qind në vitin 2013, ku investimet nga ndërmarrjet kapën vlerën 163 miliardë lekë, në krahasim me 149 miliardë lekë që u investuan në 2012.

Biznesi i vogël, më shumë të punësuar

Ndërmarrjet me 80 e më shumë të punësuar kanë 31.5 për qind të numrit gjithsej të të punësuarve, të cilët realizuan 38.6 për qind të shitjeve neto dhe kryen 53.9 për qind të investimeve. Në këtë grup ndërmarrjesh, (prej 80 e më shumë të punësuar), dominojnë prodhuesit e të mirave përkundrejt ndërmarrjeve prodhuese të shërbimeve për numrin e ndërmarrjeve aktive (57.5 për qind), numrin e të punësuarve (56.7 për qind) dhe investimeve të realizuara (60.5 për qind). Ndërmarrjet me 1-4 të punësuar kanë 34.5 për qind të të punësuarve gjithsej, të cilët kanë realizuar 15.9 për qind të shitjeve neto. Ndërmarrjet e vogla janë dominuese në prodhuesit e shërbimeve përkundrejt prodhuesve të të mirave për numrin e ndërmarrjeve aktive (88.3 për qind), numrin e të punësuarve (86.3 për qind) dhe shitjeve neto (85.4 për qind).

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *