Ankimimet shtyjnë shpalljen e rezultatit zyrtar

anazapta

Pavarësisht se pritshmëritë për zgjedhjet e fundit ishin fillimisht të larta, tashmë është e sigurt që në raportet e vëzhguesve shqiptarë dhe të huaj do të ketë shumë vërejtje. Rezultati i thellë nuk mundi të garantonte shpejtësinë e daljes së rezultatit, i cili pritet jo më parë se mesi i muajit gusht.

Ankimimet e shumta do ta shtyjnë  edhe për dy javë të tjera shpalljen zyrtare të rezultatit. Disa ditë më parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përfundoi shqyrtimin e 41 ankimimeve të subjekteve politike, nga të cilat 33 prej tyre janë rrëzuar në mënyrë përfundimtare, ndërsa për pjesën tjetër KQZ ka thelluar hetimin administrativ, duke hapur kutitë e qarkut të Lezhës dhe Shkodrës.

Por kjo procedurë u quajt si e jashtëligjshme nga Kolegji Zgjedhor, për shkak të mungesës së kuorumit prej 5 anëtarësh në KQZ. Për rrjedhojë, këto ankimime do të shqyrtohen sërish në themel nga trupa gjykuese e Kolegjit Zgjedhor, që deri më tani ka rrëzuar vetëm dy kërkesa ankimore, atë të Lëvizjes Socialiste për Integrim për Kukësin dhe kërkesën e kandidatit të pavarur, Dritan Prifti, për rinumërim të të gjithë qarkut të Fierit.

Ankimimet në Kolegj

Ditën e mërkurë, në orën 9:30, Kolegji do të marrë në shqyrtim kërkesën ankimore të Partisë Socialiste, që kërkon shpalljen e pavlefshmërisë në të gjithë qarkun e Lezhës dhe ripërsëritjen e zgjedhjeve në këtë qark. Po ditën e mërkurë, në orën 10:30, Kolegji do të shqyrtojë kërkesën ankimore të Partisë Demokratike, e cila kërkon nga trupa gjykuese që të rihapë dhe të rivlerësojë të gjitha votat e 258 qendrave të votimit të qarkut të Lezhës dhe këtë rezultat ta paraqesë në rezultatin përfundimtar, që pasohet nga shpërndarja e mandateve 4 për PD-në dhe 2 për PS-në dhe 1 për LSI-në, shkruan sot “Panorama”.

Nëse pranohet kërkesa e PD-së për Lezhën, atëherë procesi i rinumërimit do të kërkojë të paktën 5 ditë kohë për të hapur të gjitha kutitë e këtij qarku. Kurse, nëse pranohet shpallja e pavlefshmërisë e kërkuar nga PS-ja, atëherë procesi i certifikimit të zgjedhjeve sa vjen e komplikohet. Sipas kalkulimeve, certifikimi i zgjedhjeve mund të përfundojë rreth datës 15 gusht, pasi aprovimi final i shpërndarjes së mandateve në këto zgjedhje pritet të bëhet nga Kolegji Zgjedhor dhe jo nga KQZ. Katër anëtarët e KQZ-së nuk plotësojnë kuorumin për të bërë shpërndarjen e mandateve, procedurë që pritet të finalizohet nga Kolegji pas mbylljes së ankimimeve.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *