‘Annus horribilis’ për tregun e punës në Europë

redaktor

Shumë samite, pak fonde dhe fjalë të mençura. Në vitin 2013 BE pati të vështirë për të luftuar papunësinë, sidomos tek të rinjtë nën moshën 25 vjeç. Ç’ mund të bëjë Evropa?

Viti 2013 ka qenë një „annus horribilis” për tregun e punës në Evropë. Në këtë vit të tmerrshëm kuota e papunësisë në shtetet e eurozonës ka qenë më shumë se 12 përqind, më e larta e matur ndonjëherë. Kriza financiare dhe ajo e borxhit goditi rëndë tregjet e punës. Veçanërisht rëndë nga kriza janë prekur vendet e jugut Portugalia, Spanja, Italia, apo Greqia, thotë deputeti i parlamentit grek, Konstantinos Karagkounis. Situata në vendin e tij, që ndodhet në recesion të thellë, është katastrofale, thotë politikani konservator. “Në Greqi kemi të bëjmë me të vërtetë me një katastrofë humanitare. Papunësia është e madhe, rreth 27 për qind. Papunësia e të rinjve është në nivelin 60 për qind. Kjo është diçka krejtësisht e re. Unë di që Spanja ka probleme të ngjashme.”

Pa perspektivë për një përmirësim të dukshëm

Në vitin e ardhshëm, thotë Komisioneri i BE-së Olli Rehn, në parashikimin e tij ekonomik, eurozona do të dalë nga recesioni dhe do të ketë rritje të ngadalshme. Por kjo nuk do të ketë ndikim të qëndrueshëm në tregun e punës, thotë komisioneri për Çështjet Ekonomike Rehn në raportin e tij të muajit nëntor. Numri i të papunëve në vitin 2014 do të mbetet kryesisht konstant. Samitet e shumta, që kanë organizuar krerët e shteteve dhe qeverive për të luftuar papunësinë dhe sidomos tek të rinjve deri në moshën 25-vjeçare, nuk kanë sjellë ende rezultat. Francois Hollande, presidenti socialist i Francës, ftoi që samiti i fundit në nëntor të zhvillohet në Paris. “Janë tri fjalë kyçe që përcaktojnë samitin tonë: Shpejtësia, sepse është urgjente. Solidariteti, sepse ne nuk duam të humbasim një brez të tërë. Dhe në fund cilësia, sepse ne duam të propozojmë kurse trajnimi, që t’u hapin të rinjve me të vërtetë një perspektivë”, tha Hollande.

Presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schulz (PSD), i paralajmëroi politikanët në Evropë nga pasojat sociale të papunësisë së lartë të vazhdueshme: “Ky problem nuk prek vetëm të rinjtë, por edhe familjet e tyre dhe prindërit e tyre. Një shoqëri, që ka mjetet për të ruajtur monedhën dhe sistemin e vet financiar, duhet të jetë gjithashtu në gjendje t’u japë të rinjve një shans të besueshëm dhe të qëndrueshëm. Martin Schulz i dha të drejtë një studimi të zyrës evropiane të statistikave “Eurostat”. Sipas të dhënave nga Luksemburgu rreziku i varfërisë në Europë është rritur në mënyrë dramatike. Një e katërta e evropianëve, ose 125 milionë njerëz, janë të rrezikuar nga varfëria. Objektivat afatgjata ekonomike të BE-së, të quajtura axhenda 2020, janë në rrezik, thotë Eurostat.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *