Ambasadori i emëruar amerikan në Serbi, Anthony Godfrey ka folur përpara Komitetit për Punë të Jashtme të Senatit, i cili do të duhet të konfirmojë emërimin e tij, në mënyrë që më pas të votohet nga Senati.
Në fjalën e tij Godfrey tha se prioritet i tij gjatë periudhës së përfaqësimit të SHBA në Serbi do të jetë normalizimi i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, si dhe gjetja e një zgjidhje të qëndrueshme.
Diplomati amerikan, i cili ka qenë zëvendës-ambasador në Moskë, deklaroi se ishte i vetëdijshëm për ndikimin negativ të Rusisë dhe theksoi se është në interesin strategjik të SHBA-së, për të mbështetur Serbinë në rrugën evropiane.
Ai shtoi se Serbia ishte një partner i rëndësishëm i Shteteve të Bashkuara nga pikëpamja ushtarake dhe misioneve paqëruajtëse.
Godfrey, gjithashtu, njoftoi se do të bëntë presion mbi Serbinë për të përfunduar hetimet mbi vrasjen e vëllezërve Bytyqi, shtetasve amerikanë që u vranë pas përfundimit të luftës së Kosovës. Ata ishin arrestuar nga policia serbe për shkeljen e paligjshme të kufirit, ndërsa gjatë luftës i shin bashkuar rradhëve të UÇK.
e.ll./dita
