Antigona e Laura Nezhës- dinamike, e fuqishme, mbërthyese dhe e guximshme

Leda Hysa
????????????????????????????????????

Nga Eugent Kllapi

Më 10 mars në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli’’, në sallën Moliere u shfaq për herë të parë premierë  “Antigona”. Kjo vepër e përkthyer nga Ekrem Basha dhe me regji të Andrea Brusque erdhi mjeshtërisht në Teatrin Eksperimental ‘’Kujtim Spahivogli’’. Skenografia simbolike drejt të thjeshtës dhe ku çdo gjë dukej si në vendin e saj, për të plotësuar këtë shfaqje tragjike ku nuk mungonin dhe nuanca komike, ishte dhe Beqo Nanaj. Kostumografia, në një përzierje midis modernes dhe klasikes u përplotësua nga Sofi Kara. Kiço Londo u mundua të përcjellë mesazhe të forta në teatër, si u realizuan ato?

Kasta e aktorëve kishte të veçantat e saj. Laura Nezha, një aktore dinamike dhe elokuente në performancat e mëparshme erdhi me kryerolin e Antigonës, vajza që mban mbi peshë vdekjen, sa dhe me shumë dëshirën e një jete të drejtë, gjithashtu si peng në zemër vdekjen e vëllait të saj. Ervin Bejleri, një aktor i talentuar në rolin e Kreonit, mbretit të Tebës, mbreti që mban mbi krye të gjithë peshën e fajeve dhe halleve të tij e të të tjerëve, aktori shumë shprehës Romir Zalla në rolin e ciceronit këshillues të ngjarjes, Xhino Musollari aktori i ri simpatik në rolin e djalit të mbretit, sa dhe i dashuri i Antigonës. Xhulia Musagalliu, aktorja e ëmbël në rolin e motrës së Antigonës, sa dhe e preferuara e djalit të Kreonit përpos Antigonës. Adriana Tolka në rolin e mëndeshës së vajzave, Antigonës dhe motrës së saj, Klejdi Metaj një aktor dinamik, shprehës në rolin e një ushtari, si dhe një ushtar tjetër porsi ai që u luajt nga aktori Endri Çela.

Dialektika përmbyllej në dy role kryesore, Antigona dhe Kreoni.
Autori i kësaj vepre është, dramaturgu, kritiku, shkrimtari Zhan Anuil (1910 – 1987). Si autor ai ka qenë një kritik në shumë rryma, si në atë të idealizmit nga ku ngjizet ekzistencializmi, sa dhe realizmi ku mbështillet një modernitet me problemet e veta.
Vepra ‘’Antigona’’ e Zhan Anuil është një përshtatje e tragjedisë Antigona të Sofokliut. Ajo është shkruar në kohën kur nazistët mësynë për në Francë dhe e pushtuan atë, në 1942. Dhe historia gjithmonë përsëritet edhe për kohët e sotme, Antigona ulëret në mënyrën e saj për shumësi mesazhesh në publik.
Tragjedia e ardhur premierë kishte disa lloj karakteresh dhe disa ngjarje që mbitheksojnë tiparet e karaktereve.
Në një anë kemi Antigonën idealiste, nga ana tjetër në qendër është xhaxhai i saj Kreoni, tiran i pushtetit absolut që mund të shndërrohet në bamirës jete sa dhe tolerant. Së fundmi ai ka dhënë urdhër të panatyrshëm për një të vrarë. Vëllai i Antigonës është lënë i pavarrosur, veprimi i Kreonit duket i sertë, i ngurtë, katil.
Tema e autorit Anuil i Antigonës sjell shumë mesazhe dhe shumë raporte të drejtpërdrejta, dialektikë në rritje nga fillimi në fund. Në këtë shfaqje sillet idealizmi rinor me format e saj sublime, të qarta, të sinqerta, me forma, sa nga detyrimi, te ajo i frikës, një dialektikë midis moralit dhe pushtetit, midis frikës dhe forcës që ndërrojnë vend si padashur, dashuri të pamundura sa dhe vendime ekstreme, ekstremitete që kthehen të mirëqena, lufta midis së mirës dhe së keqes që ndërrojnë formë dhe role në një dialektikë të pasur dialogu. Por kështu ka qenë gjithmonë. Një luftë midis ndjenjës dhe arsyes politike, midis mosarsyes dhe dashurisë, të gjitha kokolepsen në shumësi ngjarjesh.

Zakone që shikohen nën vellon bardh e zi, sa dëshirë për hakmarrje, hakmarrje e gjithanshme e cila vjen nga këto forca zakoni. Zakoneve që nëpërmjet autorit vijnë njësoj, të të njëjtave formave, përmbajtjeve dhe të të njëjtave mesazheve.
Në qendër të vëmendjes vihet Antigona në rolin e Laurës. Baza e ngjarjes shtrihet në antikitet, e përshtatur për ditët moderne, një ndërthurje kohe.
Antigona është e re, e dashur, e vrullshme dhe me plot pendesa. Laura shkrihet me rolin, me lëvizjet dhe plastikën, ajo ndjek të njëjtin ritëm si në ngjarje e shkathtësi si të një atleteje, revolucionare sa një njeri i fortë, dhe e brishtë sa një fëmijë me dashurinë e saj. Një vajzë dinamike, idealiste sa dhe e lirë, e lirë për të bërë atë që mendon dhe atë që do të bëjë. Por jo të gjithë bëjnë atë që duhet në një kohë kur absoluti tiran është mbi të gjithë dhe ndjell vdekje për këdo që e cënon.
Kjo nuk i bën përshtypje Antigonës së mbrujtur që në fillim me një urrejtje të pashoqe për këtë lloj sistemi.
Nga fillimi në fund të shfaqjes Laura erdhi si melodi në rolin e saj, ritmikisht dhe njëtrajtësisht për të arritur qëllimin final, kryerolin e lartësuar.
Antigona është e vërteta, qoftë kjo si dikur Sokrati i dënuar me vdekje. Është një lloj sokrateshe që nuk ka frikë as nga tirani, ajo është tiran i tiranit për të drejtën dhe për lirinë e tij.

Tirani Kreon habitet, fantakset nga një njeri që e do vdekjen, kur ajo duhet të vijë nga një faj dhe të falet nga një mbret. Në fakt kjo është nder.
Të varrosë vëllain e tij përkundrejt urdhrit të prerë të mbretit, kushdo që e varros do ndëshkohet me dënimin më të rëndë. Ajo nuk mposhtet aq kollaj, brenda Antigonës zgjohet me po të njëjtën forcë një tjetër Antigonë, sado të mundohesh ta zbutësh Antigonat brenda eksistencës së saj revoltohen e nxjerrin krye, dhe kjo forcë është e drejta e saj më sublime se hynorja dhe më e fuqishme se një rol mbreti. Zhvillohet diku absurdi, tirani fal, drejtësia do të shkojë në varr, tirani bëhet i mirë nga frika se mos humbet gjithçka dhe e drejta e shpërfill veten me vdekje. Difuzioni vazhdon në këtë dialog qendror të veprës.
Është historia e një vajze të re si Antigona përballë një Kreoni që thotë ‘’jo’’, që kundërshton. Ajo thotë atë që mendon, dhe kjo liri e të shprehurit do t’í kushtoj jetën, një jetë që nuk ia vlen ta jetojë ndryshe. Ky revolucion është e drejta, morali i qenies, përballë një mbreti që po me të njëjtën moral është dobësuar në një orë rëre që shkërmoqet pak e nga pak nën forcën e dobët të tij. Nga ana tjetër në një dobësi të lënë vula-vula nga ushtarët e tij, që për çudi ngre krye kryelartë ashtu si Antigona.

Është koha kur trungu familjar nuk quhet incest, por nder për të ruajtur privilegjet dhe trashëgiminë e pastër të gjakut. Origjinë që vjen që nga Egjipti i vjetër, Mesapotamia e largët, e largëta e largët. Djali i Kreonit është dashuruar me Antigonën sa zgjat hundën edhe nga motra e saj. Vajza e vogël Antigona që ka një shpirt të madh, capkëne dhe e shkathët është tragjedia vetë që po rritet nën përkujdesen e mëndeshës së saj. Për të një jetë e madhe nuk ka kuptim pa një vdekje të vogël. Duket si një e keqe e vogël e quajtur Antigona në një Tebë që ka përbrenda një të mirë të madhe, paradoksalisht, vdekjen e saj. Ajo është dashuruar me djalin e Kreonit, por më shumë me nderin për të vëllanë. Ajo do të bëhet mbretëreshë e së drejtës së saj dhe të përballet me një mbret të madh që ka frikëra të vogla, por këto frikëra të vogla do të krijojnë tragjedi të mëdha. Akoma nuk kanë filluar tragjeditë dhe pas të zakonshmes ka një mal me ngjarje të pazakonshme.

Një mbret i pafuqishëm në rolin e Ervin Bejlerit duhet të ngrejë krye kundrejt një tërbimi femre, dhe një xhaxha si Kreoni nën perden e njeriut të mirë që nuk mund t’i japë dot jetë jetës, si dikur kukulla dhe dashuri. Dashuria e tij do të rrënohet në çdo hap. Konflikti i tij si tiran sapo ka filluar. Mrekullisht dhe me një arrogancë të shprehur bukur në plastikë u arrit kjo dhe u përmbyll nga aktori. Tirani ishte i mrekullueshëm në rol porsi Ervini.

Njeriu një ditë do të vdesë, të gjithë një ditë do të vdesim, por vdekja për disa shikohet si nder, për disa si tragjedi, për disa si frikë, për disa si detyrim. Tragjedia një ditë do të ndodh, por kjo tragjedi nuk është e zakonshme. Ajo thith në vetvete dhe do sa më shumë njerëz të ushqehet, njerëz që janë rritur me luftë dhe dhunë, me gjak dhe poshtërim, është një tragjedi që luhet nga zotat

për njerëzit, për një tirani që vazhdon në shekuj dhe vjen modernisht me po të njëjtin kumt, me po të njëjtën gjëmë. Ajo nuk fal asnjë.
Tragjedia duket normale në një kohë anormale ku mbretëria urdhërohet nga dhuna, shikohet në ato kohë si detyrim. Por gjithmonë si mbretëri duket tragjedia, qoftë antikitet qoftë modernitet, tragjedia një formë ka, vdekjen, shuarjen.
Njerëzit në dëshirën për t’u bërë Zota harrojnë që janë njerëz, dhe mendojnë se kanë zota, por në fakt janë, aq të vegjël, sa duan të jenë zota të mëdhenj për të falur fajet e tyre. Ata bëhen gjithçka që mund të ekzistojë në mendjen e tyre por jo njerëz. Këta njerëz kanë etje për pushtet, dhe me të njëjtën forcë që duan pushtet vdesin. E c’është vdekja në një kohë kur ajo bëhet për një nder, për lavdi apo për pushtet politik, për mbretëri?
Asgjë, është njësoj si jeta në një tragjedi, asgjë. Jeta në fakt mund të kthehet si vdekja, e cila dëshiron të mbledhë nga vetja pushtet, nder dhe lavdi, prapë këto janë gjëpagjëra.

Lumi duhet të rrjedhë po ai ngecet e thahet në pellgje të shumta. Në fund të fundit të gjitha këto vlera vijnë nga frika dhe nga forca, brutaliteti, një lloj kafshërie që është dikur njerëzi, dhe një lloj njeriu modern që mund të kthehet kafshëri, megjithëse kafsha është më humane për jetën. Mund të vdesësh nga frika, mund të vdesësh nga dinjiteti, mund të vdesësh edhe nga dashuria, po mund të jetosh në frikë, në tragjedinë e vdekjeve të tua që të mbulojnë nga të gjitha krahët, në vdekjet e të afërme të tu.
Shfaqja Antigona rrjedh në këto tragjedi, nuk është vetëm një vrasje dhe janë shumë vdekje, nuk është një nder dhe nuk ka vetëm një dashuri, sa nuk ka formë respekti përvecse dëshirë për pushtet në mënyra të ndryshme. Në Tebë, në luftën për ta zotëruar këtë vend të shenjtë ku mendohet se është qendra e botës për nder dhe për pushtet, ku zotat vështrojnë cdo pikëtakimi njerëzish, dhe ku njerëzit mendojnë se janë me fat a të dënuar prej tyre, dy forca njerëzish përvidhen dhe përgjaken për pushtet. Të dy vdesin por njëri është i destinuar të vdesë me nder, tjetri me turp, njëri me mermer, tjetri i pakallur për ta ngrënë kafshët e egra, më shumë se kafshët e egra vëllain e ha tërbimi sa dhe inati Antigonën. Sepse kështu është rregulli, ligji, tradita, një e kërkon ta bëjë hero, tjetrin tradhtar që mbretëria të jetojë. Lufta e së mirës me të keqen është universale, e gjithëkohëshme. Ata mund të jenë të dy njësoj, po jo të dy të tillë në syrin e njerëzve, përndryshe tirani bie.

Bukur Antigona s’do t’i përmbahet rregullave, sërës, modës, kundrejt motrës së saj më të butë, të sjellshme, lazdrake sa dhe me një përkujdesje ndaj vetes, megjithatë edhe ajo e ka frikë ashpërsinë e tiranit sa dhe cdo njeri normal vdekjen. Ajo e dashuron shumë motrën, sa me të njëjtën forcë do të japë gjithçka për të butësisht, por jo realisht deri në castin kur vendimi e marrëzisë së Kreonit jepet, të dënohet Antigona. Të dënohet Antigona për varrosjen e vëllait, të dali në shesh të palarat tek njerëzit, të rrëzohet pushteti suprem, të vijnë vrasjet zinxhir, po kjo do të thotë që të vdesë dhe vetë tirani, si mund të jepet ky vendim? Kjo është marrëzi!

Një lopatë e vogël (xheniere) shënon simbolikisht te një princ jetën dhe vdekjen e tij. Kjo lopatë endet nga këshilltarët tek Antigona, më pas te Kreoni, te djali i Kreonit, si objekt makabër ajo endet nga një dorë në tjetrën për të kuptuar se nga dhe si vijnë vdekjet. Një njeri vdes me himne, tjetrin e hanë sorrat. Të dy mund të vdesin së bashku për dashuri, dhe një dashuri si dashuria e mbretëreshës mund të vdesë nga tragjedia, dhe një mbret që hiqet zvarrë në dy duar të përgjakura. Djali i Kreonit, rol i luajtur nga Xhino Musollari e do ëmbëlsisht dhe sinqerisht Antigonën, ai nuk e di se cfarë kurdiset, cfarë do të ndodhë me jetën e tij, nuk e di sa e dashuron, por e di sa mund ta falë Antigonën. Me forcën që mendojnë për një fëmijë imagjinar, ai dashuron, dhe kjo dashuri do të jetë jeta dhe tragjedia e tij. Me vdekjen e Antigonës do të vijë dhe vdekja e tij, ashtu të dy si një Romeo e Zhuljeta.

Nuk fillon këtu tragjedia, kjo është vetëm tallje, tallja është fundi filozofisë dhe fillimi i tragjedisë, por në fakt filozofia e tragjedive të Tebës nis me egon për pushtet, me frikën për ta mbajtur këtë pushtet dhe me forcën për të udhëhequr njerëzit politikisht, në një politikë që ndërron vetëm kapistrën po sillet njësoj, si në skllavopronari edhe në modernizëm, fashizëm, a nazizëm, qoftë në ditët sot.
Tragjeditë kalojnë si lumë i nëndheshëm poshtë të vërtetave, gjithmonë.

Frika dhe forca janë dy anë të medaljes që ndjellin gjithmonë drama, por ndryshe nga dramat tragjedia është më kryenece, më përfundimtare, jo shpëtimtare, por indiferente me jetën e njerëzve, tallëse me egon e tyre, fyese. Çdo tiran e ka një pikë të rrëzimit të tij, qoftë ky me dhimbje apo me vdekje, pasi njeriu sado tiran të jetë ekziston sa një orë rëre në një kënd të tavolinës, aty ku mëndeshat e fatit rezervojnë makabër.
Ky mesazh përmblidhet dhe përhapet, përplotësohet nga aktori Romir Zalla, filozof i mendimit dhe i esencës tragjike, udhëzues i publikut sa dhe modern në idetë e veta shprehëse, një njollë e bardhë njeriu që

i mbush mendjen publikut se cfarë është jeta, vdekja, lufta, tirania, në fund të fundit vetë tragjedia që mëkon vdekje dhe gjak.
Ora me rërë shënon simbolikisht një kohë që sapo po mbaron megjithëse ka filluar, dhe shumë dyer të ftohta në një mbretëri ku do të ulërasin shumë tragjedi, në cdo dyer që hapet e mbyllet me vrull, ka sekrete të dramave të mëdha që përfundojnë me tragjedi. Asnjëherë nuk ka kohë, koha gjithmonë në tragjedi e kollofit kohën, e shqyen dhe e flak tutje si lecke vetë kohën, koha e vjetër rrjedh duke shkrirë kohën e re, koha nuk mund të qëndrojë, ajo duhet të shpërthejë në vetë kohën e saj, koha sa e përqesh, e vret kohën.

Tragjedia është e pastër, e ftohtë, e kthjellët dhe në fund të fundit shënon shuarjen e të gjithë vuajtjeve, është e shpejtë, mizore dhe njerëzore. Sepse mizoria është më shumë e njerëzve dhe ajo ndillet nga e pandërgjegjshmja e tyre, ashtu si e do zakoni, për pushtet, lavdi dhe ndonjëherë dashuri. Ky është mesazhi qendror që do të përcaktojë për publikun Romir Zalla.
Kështu ka qenë gjithmonë në shekuj, dhe kjo ngjit parimet në një shoqëri ku dhuna duket si paqe, dhe paqja si shenjë për të luftuar. Këto shekuj pambarim kanë ngecur te njerëzit ndrydhje pafund. Vdekja është një si lojë e përditshme. Në këtë kontekst historia përsëritet dhe gjithmonë nën shembëllimin e së vjetrës një tirani e re lind, historia risjell si dhe moda të renë.

Historia fillon me një pallat mbretëror dhe një shoqëri që nuk ekziston për aq kohë sa nuk ka një mbret që është si hyjni për të gjithë. Mbreti duhet të vërë rend, qetësi, por për më shumë duhet të lartësohet. Këtë e di fare mirë mëndesha, rol i aktores Adriana Tolka që udhëzon jetët e vajzave të saj, detyrë e lënë amanet nga mamaja e Antigonës, paçka se Antigona sa e do loz me sinqeritetin e përvuajtur dhe pak të meshtë të mëndëshës. Mëndesha nuk e di se cfarë po luhet dhe nuk mund ta dijë, nuk është roli i saj ta dijë, megjithëse nuhat dhe ndjell shumë mesazhe për vajzat, vajzat lodrojnë në tragjeditë e tyre.

Por çfarë ndodh? Atingona kapet në kufomën e vëllait nga dy ushtarët që simbolizojnë aparatin politik të mbrojtjes. Ushtarakët janë të devotshëm sa të trashë. Mund të jenë edhe perversë, por natyra e njeriut kacaviret në shumë tipologji karakteresh, nga i mirë njeriu bëhet i keq, por ndodh që njeriu i keq të bëjë mirë, madje të një mirësie që është pothuajse fëminore, idiote dhe qesharake. Këta janë njerëzit që mbijtojnë më shumë dhe sado të kenë tragjedi e përjetime kanë dhe harresë të shkurtër, sikur ushqehen me sklerozë. Ushtaraku gjithmonë urdhërohet, nuk bën pyetje. Këtu ka dy ushtarë besnikë. Një rol ushtari i luajtur nga Klejdi Metaj një aktor shprehës, elokuent sa dhe qesharak, i mrekullueshëm në shprehinë e idiotësisë dhe të mirësisë. Shprehja e besnikërisë ndaj eprorit ishte mbreslënëse. Endri Çela aktori që luante ushtarin pervers sa dhe frikacak, sa shkathtarak dhe përmbyllës së tragjedisë së mbretëreshës, ishte në po të njëjtën lartësi. Sjelljet e të dy ushtarëve e përcollën fare mirë mesazhin e një aparati që gjithmonë duhet të jetë idiot dhe bindës para tiranit, dhe me hallet e tyre të përditshme.

Por çfarë mbyllet në këtë deltë tragjedish?

Antigona vdes nga dënimi, e bashkë me të edhe djali i Kreonit me një shpatë lehtë në bark, me këtë tragjedi vdes dhe nëna, mbretëresha dhe një marrëzi e plotë e Kreonit të gjakosur. Ai e kreu dhe aktin e fundit të tiranisë së tij, atë më të shëmtuarën, të varroste mbesën dhe djalin, të dëgjonte gjëmat dhe të përjetonte një jetë plot me vrasje, vrasje që për pushtet bëjnë varr mermeri dhe/apo kufoma. Po ai e ka prishur orën prej rëre, ai e ka prishur kohën, kohën që zotat duhet t’i japin atij për të shpëtuar qenien, atë qënie të mirë që ka brenda vetes. E mira e tij u thërmua në atë orë rerë. Motra e Antigonës në rolin e Xhulia Musagalliu e shqyer nga ulëritjet e dëshpërimi, e ka flakur frikën dhe do të vdesë. Nga ana tjetër duket tmeri i ushtarëve që e shikojnë këtë skenë. Megjithatë kujtesa është e dobët, kujtesa historike është demencë, prandaj përsëritet. Kujtesa rierdhi nga filozofia greke nga autori Zhan Anuil me kumte që na kujtojnë shumë simbole dhe shumë tematika. Dinamikat e lëvizjeve nuk kishin të reshtura në sallë sa dhe shqyerja e portave të hekurta në ftohtësinë e tyre.
Erdhën mesazhe për një dialektikë që ndodh gjithmonë, midis së mirës dhe së keqes, midis pushtetit dhe moralit, midis padrejtësive dhe idealizmit, lufta midis jetës dhe vdekjes.
‘’Nga balta erdhëm dhe në baltë do të shkojmë’’, por tragjeditë për aq kohë sa nuk ka qenie me gjithë përplotësinë e tij, do të rikrijohen.
Publiku i tejmbushur në sallën Moliere e përshëndeti fort këtë kryetragjedi me kryemocione, një mrekulli që erdhi me forcë antigone. Ajo ishte e mrekullueshme.
Mos mungoni, ejani në teatër, aty ku njeriu bëhet Zot dhe Zoti kthehet në kuptim të qenies!

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *