Për antikorrupsion flasin të gjithë, akoma më shumë flasin vetë të korruptuarit. Në realitet korrupsioni vazhdon, pushton hapësira të reja, ka një përhapje endemike. Është krijuar një mjedis ku të gjithë flasin për të luftuar korrupsionin, por pothuaj të gjithë bëjnë nga pak korrupsion. Lojtarët e mëdhenj që “lozin” korrupsionin janë në sferat e larta, në qeveri, në administratë, në agjenci të ndryshme shtetërore; janë qeveritarë, ministra dhe zëvendësuesit e tyre, drejtorë, shefa administratorë që kanë kompentenca e vula për të firmosur “zyrtarisht” tendera, konçensione, shkresa për dhënie e marrje të parave publike, që japin urdhëra ekzekutimi të vendimeve të ndryshme që kanë brenda përqindjen e favorit. Ata që janë lart bëjnë korrupsion të madh, të nivelit të lartë; ata që janë poshtë, shtresat e mesme e të ulta të shoqërisë bëjnë korrupsion minor, u japin rrushfet nëpunësve të shtetit për të marrë shërbime, japin për mjekun dhe infermierin, japin për rojen e objektit, japin gjithkund ku duan të marrin një shërbim sa më shpejt apo se nëpunësi i shtetit i sorollat si një mënyrë për të marrë rrushfet. Po si perceptohet situata nga shoqëria? Nuk ka njeri që të mos e mallkojë korrupsionin, të mos jetë i shqetësuar për këtë sëmundje kanceroze që gërryen shoqërinë. Këtë shqetësim e artikulojnë të gjithë, publikisht, politikisht, në media dhe në mjetet e tjera të komunikimit. Na e përsërisin edhe partnerët tanë europianë dhe amerikanë. Virtualisht është krijuar përshtypja se korrupsioni është rrethuar nga të gjitha anët dhe pritet të fshihet nga mjediset ku gjallon. Ata që drejtojnë përpiqen të krijojnë tek qytetarët iluzionin se po dekorrupsionohen të korruptuarit. Por deri tani nuk po ndodh ajo që dëshirohet, nuk ka ndëshkime dhe të ndëshkuar. Pse nuk po shihen rezultate? Ka shumë arsye.
Mungojnë antikorpet që luftojnë korrupsionin
Si çdo sëmundje që ushqehet nga dobësimi i antikorpeve që e luftojnë, edhe korrupsioni në shoqërinë tonë ka lindur nga që nuk i janë mbyllur portat përmes së cilave ai futet dhe rritet. Janë disa porta. Një e tillë është korpusi i ligjeve dhe rregullave që e ndalojnë, nuk i japin mundësi të futet e të zërë vend. Nëse studjohen rrugët si është përhapur korrupsioni, ato të tregojnë qartë që ose nuk i kemi strukturat e duhura të luftës kundër korrupsionit, ose ato i kemi shumë të dobëta. Antikorpet janë dy lloje: strukturore dhe proçedurore. Antikorpet strukturore mishërohen në ligje të sakta që nuk i japin mundësi të zhvillohet korrupsion. Kodi zgjedhor aktual direkt dhe indirekt favorizon korrupsionin. Kodi zgjedhor i lë derën hapur subjektivizmit në përzgjedhjen e kandidatëve që marrin pushtet, që shkojnë në sferë më të larta të politikës dhe administratës. Nuk është rastësi që mjaft politikanë apo pushtetarë kanë rezultuar të inkriminuar, njerëz me vese, të korruptuar apo të korruptueshëm. Ata kanë ardhur në krye të punëve apo posteve nga listat e mbyllura të partive që i propozojnë dhe pastaj i emërojnë apo i mandatojnë. Mbi të gjitha ne nuk kemi një kuadër ligjor të plotë për parandalimin e korrupsionit dhe luftimin e tij kur ai ka mundur të depërtojë në struktura të shtetit dhe tek njerëzit me pushtet. Kjo do të ishte një detyrë e ngutshme në situatën e tanishme. Korrupsioni luftohet në radhë të parë përmes ligjeve. Kur flitet për struktura që e parandalojnë dhe e luftojnë korrupsionin, në plan të dytë del nevoja për një strukturë transparence, e cila e nxjerr në dritën e diellit korrupsionit, e paraqet përpara njerëzve, në sytë e tyre. Korrupsioni zhvillohet në errësirë, fshehtas, i zyrtarizuar në shkresa tenderash, shitjes, blerjesh, shërbimesh e favoresh nga më të ndryshmet. Transparenca është instrumenti që skanon dhe korrigjon. Aty shoqëria merr rol kontrollues të punëve dhe veprimeve në administrimin e vendit. Strukturat për transparencë janë një linjë revolucionare për parandalimin e korrupsionit.
Proçeduat e përzgjedhjes
Bëhet fjalë për gjëra që shpesh konsiderohen rregulla burokratike, por nuk është kështu. Procedurat e përzgjedhjes (seleksionimit) janë të domosdoshme për të krijuar kudrin normativ të cilin ose do ta zbatosh dhe kështu nuk lë hapsirë për shkelje e përfitime korruptive, ose nuk i zbaton ato dhe u hap rrugë veprimeve korruptive, përfitimeve të paligjshme. Duhet të pranojmë se procedurat e përzgjedhjes deri tanë kanë qënë ose të paqarta, jo parandaluese të shkeljeve, ose nuk ka procedura për shumë veprimtari. Procedurat janë ato që lidhen me përzgjedhjen e personelit, ato mbi organizimin, për administratorët, për drejtuesit, për të ngarkuarit dhe këshilltarët etj. Shoqëria duhet të dijë kush i qeveris, cili është niveli i tyre arsimor, kulturor, moral, përkushtimi dhe cilësi të tjera. Edhe këtu transparenca është instrumeti i njohjes dhe kontrollit. Procedurat e përzgjedhjes dhe emërimit të drejtorëve kryesorë në mjaft sektorë të ekonomisë, dhe jo vetëm të saj, dëshmojnë se korrupsionit i janë dhënë “oficerë”, “ekspertë” që e zhvillojnë. Në një agjenci me profil ekonomik janë emëruar katër drejtorë biznesmenë. Ata praktikisht paraqiten në vendin e punës në fund të orarit zyrtar, formalisht për të marrë në dorëzim punët e porositura tek vartësit. Tërë kohën e kalojnë tek bizneset e tyre. Përveç që përfitojnë nga detyrat e shtetit për tendera e favore të tjera. Në këto përgjegjësi sillen pa përgjegjësi, arrogantë ndaj vartësve dhe qytetarëve, përfitues kur shkojnë për seminare e konferenca për të marrë përvojë në Dubai! (realisht shkojnë me paratë e shtetit për turizëm, nën maskën e shërbimit). Ky është korrupsion i ngritur në strukturat e shtetit. Pse ndodh kjo? Se u janë lënë kompetenca ekstreme, jashtë transparencës dhe kontrollit publik. Në vendin tonë nuk ka një autoritet vlerësimi të kuadrit normativ për përzgjedhjen e drejtuesve, personaelit, kuadrove, të zgjedhurve etj. Emërimet, përzgjedhjet bëhen nga partitë dhe drejtuesit e tyre, jashtë transparencës dhe kontrollit të shoqërisë. Listat e mbyllura janë një lejekalim për të shpënë në vende drejtuese edhe të korruptuar. Shumë kandidatura për kryetarë të bashkive në zgjedhjet e qershorit përfliten si njerëz jo të besueshëm. Ata i kanë përzgjedhur partitë politike. Ja që nuk mjafton të jenë të besueshëm e të besuar nga partitë që i propozojnë. Le të paraqiten përpara qytetarëve dhe atje të verifikohen nëse e meritojnë besimin për ato poste të rëndësishme.
Vlerësimi i sistetimt të kontrollit
Midis gjërave të domosdoshme në luftën kundër korrupsionit është analiza e rrezikut të fushës dhe të aktivitetit më të ekspozuar ndaj rezikut të korruptimit, në funksion të përshtatshmërisë së masave antikorrupsion. Një prej tyre është kodi i sjelljes. Çdo vend pune dhe çdo njeri që është ngarkuar me një detyrë duhet të zbatojë një kod sjelljeje qytetari e shtetari, ndryshe nuk ka pse mbahet në atë punë, detyrë apo mandat. Edhe këtu kërkohet program transparence, masa organizative për sigurimin e konkurushmërisë për administratorët e shoqërive dhe drejtuesve si stabilizues të ligjit, duhet rrotacion i të ngarkuarve, jo si ka ndodhur që plaken në të njejtën detyrë a përgjegjësi. Këto normime vendosen me ligj e me rregulla. Një program moratorium trevjeçar transparence, masa organizative për sigurimin e konkurrueshmërinë për administratorët e shoqërive dhe të drejtuesve si stabilizues të ligjit aktualisht është jo vetëm i mirëpritur, por dhe sjell rezultate të shpejta.
Ndëshkimi si pastrim
Ndërsa flitet për luftë kundër korrupsionit, ndëshkime të të korruptuarve nuk ka. Deri tani asnjë qeveritar nuk është ndëshkuar për korrupsion. Por nuk janë ndëshkuar as administratorë qëndrorë e lokalë. Kjo ndodh se nuk ka një luftë reale ndaj korrupsionit, nuk zbulohet ai, nuk dërgohet në organet ligjzbatuese dhe rrjedhimisht nuk ndëshkohet. Kësaj nuk i thonë luftë kundër korrupsionit, por fjalë kundër korrupsionit. Nëse ka korrupsion tashmë e pohojnë të gjithë, ne dhe ndërkombëtarët. A do të ndryshojë kjo gjendje? Edhe në sferën e ndëshkimit është e nevojshme të gjenden instrumente që të shërbejnë si antikorpe kundër korrupsionit. Ndëshkimi është antikorpi më domethënës në këtë pastrim të shoqërisë nga sëmundja e korrupsionit.
Monitorimi i zbatimit të masave antikorrupsion
Linjat e masave kundër korrupsionit në shoqëritë publike, monitorimi i zbatimit të tyre, janë “antikorpe të shëndetshme” kundër zakoneve të këqija në administrimin publik. Nuk ka kurrë masa shpëtimtare në luftën antikorrupsion.Vazhdimisht duhet provuar të futen antikorpe shëruese, si një gjë themelore për të zbatuar rregulla revolucionarizuese, sepse shumë betohen për trensparencë të vërtetë, ndërkaq pjesa më e madhe e fondeve publike shpenzohen përmes shoqërive, fondacioneve, agjencive. Nevoja për të krijuar struktura “shoqëri transparente”, me përgjegjësi transparente, është një rast i vërtetë për antikorpe të shëndosha kundër korrupsionit. Nuk janë aspak të dobishme ato që quhen “shoqëri atipike”, si fondacionet, që shumë shpesh përdoren si instrumente jo efektive në luftën kundër korrupsionit. Në fondacionet kontrolluese si ente publike, kërkohet respektimi i normave të transparencës dhe rregullave antikorrupsion. Edhe ato duhet të emërojnë një përgjegjës të transparencës. Gjithashtu duhen riparë kriteret e publicitetit. Publicitet i duhet bërë në radhë të parë ndëshkimit të atyre që janë gjetur të korruptuar.

I nderuar gazetar(z.Muhamet)!Jam shume dakort me shkrimin tuaj,por problemi eshte qe nuk keni vendosur emra,e si i tille shkrimi humb vleren e tij te “goditjes”te lexuesi.Por me beri pershtypje qe per kete shkrim nuk ka asnje koment,ndersa per Doshin,Frrokun etj ,ka goxha komente.Me shqeteson fakti qe mungojne komentet,sepse po kuptoj qe shqiptaret as qe marrin mundimin qe te shkruajne mbi korrupsionin.E pranojne qe eshte ulur kembekryq,nuk reagojne sepse e dine qe nuk mund te bejne asgje kunder tij dhe qe portali ishte nje farse qe i doli boja shpejt.Po e jetoj çdo dite kete fenomen(sepse prej shume vitesh jam nepunes shteti),me vjen ndoht’ nga vetja qe nuk reagoj prej me shume se 20 vitesh,ndihem si qen i rrahur nga veprimet me te uleta qe behen para syve te mij dhe te kolegeve,na qeshin ne sy,na quajne te paafte sepse nuk dime te vjedhim,biles ndonjehere na quajne dhe te “çmendur”.Vijne njerez nga hiçi,pa asnje lidhje me profesionin,e hyjne menjehere ne grupet e “zjarrit” qe punojne per te mbushur xhepat e drejtuesve.Nuk flas dot publikisht se me heqin buken e gojes,sepse gjthmone kane qene te mbrojtur nga superioret sepse nuk ka as gjykate qe te me jape te drejten n.q.se flas.Keta jane bastarde nga me te paimagjinueshmit.hajdute nga me ordineret,imorale nga me te paarriteshmit.Ju lutem te me besoni ,sepse te gjitha keto qe shkruaj i kam perjetuar prej shume vitesh.Provinciale harbute qe rinine e tyre e kane kaluar duke bere dashuri me lopen dhe qe politika i futi ne gjirin e saj te ndyre!