Antishpifja, rasti ynë dhe si e interpretoi BE një dekret mbretëror spanjoll

J L

Partia Socialiste u tërhoq nga gjysma e asaj që e ka quajtur “paketa antishpifje”, duke deklaruar se për projektligjin për Autoritetin e Mediave Audiovizive do të presë mendimin e Komisionit të Venecias, ndërsa për projektligjin për Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare u shpreh se ai është plotësisht në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Projektligji i jep AMA-s kompetenca prej gjykate, duke i dhënë në dorë që të ndëshkojë me gjoba të majme deri në mbyllje media elektronike, që vlerëson se kanë cenuar sigurinë kombëtare, apo siguronë publike me materialet e shpërndara prej tyre.

Pikërisht këto kompetenca prej gjykata që projektligji ja mvesh AMA-s u bënë shkak që Këshilli i Europës dhe zyra e medias e OSBE-së t’i adresoheshin Komisionit të Venecias për një mendim dhe ekspertizë më të specializuar për këtë çështje.

Megjithatë, një ide se cila mund të jetë përmbajtja e mendimit të Venecias mbi këtë çështje na e jep Komisioni Europian.

KE thotë se nuk mund të mbyllen mediat elektronike pa një vendim gjykate. Shembulli mbërrin nga Spanja, ku shqetësimet u ngritën pas miratimit më 31 tetor të vitit të kaluar të një dekreti mbretëror që u jep autoriteteve fuqinë që të mbyllin faqe interneti dhe rrjete të ndryshme ndërveprimi online, nëse gjykojnë se shkelet siguria kombëtare dhe ajo publike.

Pas miratimit të këtij dekreti aktivistë të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, të medias dhe eurodeputetë spanjollë opozitarë ngritën shqetësimin mbi përputhshmërinë e kësaj norme me rregullat e Bashkimit Europian për mediat.

Eurodeputetët iu drejtuan Komisionit Europian me disa pyetje.

“A është në dijeni Komisioni për dekretin mbretëror në fjalë? A i konsideron Komisioni si proporcionale masat e qeverisë spanjolle dhe në përputhje me rregulloret e BE-së, duke patur parasysh se ky dekret mbart rrezikun e një mbylljeje masive të faqeve të internetit? A mendon Komisioni se ligji në fjalë minon lirinë e shprehjes dhe të protestës paqësore?”, ishin pyetjet që iu drejtuan KE-së.

Në përgjigjen që KE u kthen eurodeputetëve kujtohet një rezolutë e Parlamentit Eurppian mbi pluralizmin dhe lirinë e mediave, ku u kërkohet vendeve anëtare të Bashkimit Europian që të vetëpërmbahen nga tundimi për të miratuar masa të panevojshme dhe joproporcionale, që në mënyrë arbitrare kufizojnë aksesin në internet, apo që përmes gjendjeve të emergjencës vendosin nën kontroll komunikimet publike në mënyrë po arbitrare.

“Komisioni është në dijeni të dekretit mbretëror dhe po shqyrton përputhshmërinë e këtij dekreti me rregulloret e Bashkimit Europian. Në dijeni të Komisionit, dekreti aplikohet vetëm për rrjetet e komunikimit dhe shërbimeve. Kjo përjashton zbatimin e tij tek shërbimet e informimit, siç janë mediat online. Për pasojë, dekreti mbretëror nuk mund të përdoret për të rregulluar median elektronike, si shembull nuk mund të mbyllë faqe të ndryshme informative pa një vendim gjykate”, thotë Komisioni.

Në të njëjtën përgjigje dorëzuar për eurodeputetët spanjollë, Komisioni thotë se rregullat e Bashkimit Europian ndalojnë shërbimet e ofrimit të internetit që të bllokojnë ose kufizojnë faqet me përmbajtje informative në internet.

“Lejohet bllokimi, ose kufizimi i një përmbajtjeje të caktuar në bazë të ligjeve të vendeve anëtare, nëse këto ligje përputhen me ligjet e BE-së, pavarësisht nëse kryhen përmes një vendimi gjykate, apo përmes një urdhri të autoriteteve të veshura me këtë pushtet”, thotë Komisioni.

BE thotë se kufizimet jashtë këtyre rregullave që përcaktohen edhe tek Konventa e të Drejtave të Njeriut bien ndesh me standardet më të mira dhe cenojnë interesin e përgjithshëm të publikut.

“Në të gjitha rastet, kufizimet e parashikuara nga ligjet vendase duhet të respektojnë thelbin e të drejtës dhe lirisë për t’u shprehur”, thotë KE.

j.l./ dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *