Anton Udina-Burburi, heroi i katastrofës

J L

Moikom Zeqo

 

Sinops tregimi për shërbëtorin e përvuajtur të kishës Anton Udina-Burbur, personazh historik krejtësisht i harruar në mënyrë cinike.

Ai jetonte në ishullin Veglia të Dalmacisë, në kishën e tij, ku shërbeu tërë jetën, i qetë dhe i papërfillur nga askush.

Në vitin 1898, në afërsi të kishës në Veglia shpërtheu një bombë.

Shpërthimi e vrau Burburin në moshën 72 vjeç.

Ai ishte në daljen e portalit të kishës kur shpërthimi i i befasishëm dhe i pakuptimtë ia coptoi figurën njerëzore.

Nga të gjitha vdekjet e botës, vdekja e Burburit qe një tragjedi e paimagjinueshme.

Banorët e ishullit i mblodhën gjymtyrët e priftit të tyre Burbur, i futën në një arkivol të thjeshtë dhe e varrosën.

Kisha e goditur u shkrumbua nga një flakë e furishme dhe anatemuese.

Brenda kishës u bënë shkrumb të gjitha dorëshkrimet e shumta dhe të çuditshme të Burburit.

Pastaj gjithçka u harrua pamëshirshëm.

Po a thua u harrua edhe emri i Burburit?

Anton Udina-Burbur ishte njeriu i fundit që i takonte një race të zhdukur njëherë e përgjithmonë; racës dikur të madhe dhe të lavdishme të ilirëve.

Të hershëm dhe me një histori paradoksale, ilirët kishin zotëruar në lashtësi tërë gadishullin që mbiquhej prej tyre Gadishulli Ilirik.

Pas pushtimit romak, ilirët ende flisnin gjuhën e tyre.

Prej kësaj gjuhe kanë mbetur shumë toponime dhe antroponime.

Filologët janë munduar t’i zbërthejnë.

Dijetarët e dinë shumë mirë se gjuha e ilirëve ka qenë një gjuhë e gjallë që identifikonte popullin.

Nën pushtetin universal të latinishtes, gjuha ilire nuk humbi tërësisht.

Ajo mbijetoi si një hibridizim gjuhësor krejt i veçantë.  Arkeologët në fushën e Narentës kanë gjetur mbishkrime mbivarrore me elementë të kësaj gjuhe të dyfishtë, ku fjalët autoktone ilire kanë shkronja ilire të posaçme, për ata tinguj, për të cilët alfabeti latin nuk kishte shenja përkatëse.

Ilirët përdornin një “j” të tyren si dhe një shkronjë frymore që nuk i përgjigjej as shkronjës “s” dhe as “z” të latinishtes.  Këto gërma të pakta të alfabetit ilir tregojnë mbijetesën e vështirë dhe rezistencën kulturore.

Shën Euseb Hieronini, i cili lindi në vitin 350 pas Krishtit në kufirin verior të Dalmacisë, në vendin Stridon, e që vdiq në Betlehem në vitin 420, dëshmon se në kohën e tij në Dalmaci flitej kudo barbarisht, d.m.th jo latinisht.

Në mesjetën e hershme përmendet e ashtuquajtura gjuha dalmate, e cila flitej dhe shkruhej.

Një botë e madhe dhe e pafundme mbartej tashmë nga kjo gjuhë e habitshme dhe e pazakontë.

Kur humb gjuha humbet dhe populli që e flet atë.

Kjo është një aksiomë e pamëshirshme.

Ky apokalips gjuhësor ka bërë kërdinë në historinë e qytetërimeve.

Biologjikisht banorët mund të ishin ilirë për nga origjina, por duke mos u identifikuar nga gjuha, përbënin një popull me tipare të frikshme, me origjinë ishin ilirët e vdekur të një gjuhe tjetër, ose ilirët ende të gjallë të një gjuhe të vdekur.

Kështu përfaqësonin dy qytetërime, atë të popullit fantazëm dhe të popullit real, me të njëjtat tipare racore, që kishin përqafuar gjuhën e popullit që i kishte mundur.

Romakët fitimtarë nuk i kishin pushtuar dot trupat, por shpirtrat.

Në rininë e tij, Burburi u shugurua prift.

Pasioni i tij teologjik qe i madh, por Burburi kuptoi një qasje krejt origjinale të vetmisë.

Ai ishte një i vetmuar i madh i një bote që kishte përfunduar ashtu si cikli i një jete të një ylli në kozmos.

Ky yll dikur i zjarrët qe thjesht një planet i vdekur dhe i shkretë.

Burburi u dha me mish dhe me shpirt pas mbledhjes së leksikut, sistemit gramatikor të mbledhjes së thesarit filologjik të dalmatishtes.

Ende në fshatrat, tek njerëzit e thjeshtë dhe analfabetë gjallonin shprehjet, urimet dhe proverbat ilire.

Burburi bëri kërkime të ethshme.

Ai regjistronte gjithçka, klasifikonte mbeturinat gjuhësore, një arkeologji fjalësh, për të rindërtuar në mendjen e tij madhështitë e moçme të një komunikimi që kishte dhënë shpirt.

Shkroi shumë dorëshkrime për këtë subjekt, që të tjerët nuk e kuptonin, madje e quanin të kotë dhe absurd.

Burburi u bë mjeshtri faustian i njohjes së gjuhës dalmate.  Kujtesa e tij titanike kishte fiksuar gjithçka.

Ai qe i vetmi që dinte të fliste ilirisht,- në gjuhën dalmate, madje të mendonte, të arsyetonte, të thonte lutjet kishtare dhe të shpresonte dalmatisht.

Ai e dinte se vetmia qe e plotfuqishme.

U rebelua ndaj kësaj vetmie të egër, ia kushtoi ditët dhe netët idesë së rikonstruktimit gjuhësor të botës me propocione të mëdha të ilirëve antikë.

Kjo ishte zbulesa e tij më e madhe dhe më e pakrahasueshme.

Qe iliri më i fundit i botës që dinte dhe kishte përvetsuar gjuhën që nuk ekzistonte më.

Aksioni i tij intelektual qe pa bujë, por jo pa pretendime të guximshme.

Burburi qe i bindur se edhe në qoftë se një njeri i vetëm ende mund t’a dinte gjuhën e një populli, atëherë ai ishte vetë populli.

Edhe nëse populli e kishte shpërbërë gjuhën, një pinjoll që e dinte atë mund të luante rolin mesianik dhe të shumëpritur të Shpëtimtarit.

Dorëshkrimet e Burburit nuk qenë thjesht një regjistrim, as filologji e rëndomtë por përshkoheshin nga pandehma dhe ëndrra të pakufijshme, thelbi i të cilave qe Ringjallja e Madhe.

Në dorëshkrimet e Burburit nuk ishin artikuluar vetëm sekretet e gramatikës, as vetëm kuptimet monumentale të fjalëve, por dhe një ndërthurje plot imagjinatë dhe konkretësi e një qytetërimi si një botëkuptim.

Asnjë kryeëngjëll nuk zbriti nga qielli për t’i profetizuar Burburit misionin hyjnor tokësor.

Në një farë kuptimi ai ishte vetë kryeëngjëlli që e dinte sekretin e madh.

I kishte shkruar dorëshkrimet pikërisht për ta shpallur këtë sekret.

Arriti në cakun e të Pamundurës, ku e Panjohura mund të shndërrohej në të Njohur, ku e Dikurshmja mund të bëhej e Ardhme.

Burburi projektoi një fjalor të madh, madje dhe një abetare fat-thënëse dhe jetike.

Ai mendonte naivisht por dhe trimërisht se qe e mundur që gjuha që ai e ruante në trurin e tij, mund të mësohej dhe të përhapej tek të tjerët.

Ky vizion qe i guximshëm dhe madhështor.

Burburi qe njeri i thjeshtë, mendja e tij nuk qe e thjeshtë.

Ai kuptoi se koncepti i përfaqsimit është kultura e nocioneve dhe e ciklit të ripërtëritjes.

Ai e dinte gjithashtu shumë mirë se latinishtja në shekullin e tij ishte gjithashtu një gjuhë e vdekur.

Pikërisht latinishtja e gjallë që u ndesh me ilirishten e gjallë.

Vdekja e ilirishtes më herët qe një shëmbëllyrë e vdekjes së sigurt, më vonë të latinishtes.

Pse vallë vdisnin gjuhët?

Pse Zoti e bënte këtë ndëshkim të pabesueshëm?

Pse gjuhët transformoheshin?

Pse ndërthureshin me njëra tjetrën?

Ç’është ky proçes tjetërsimi?

A do të ishte kështu dhe në të ardhmen që ende nuk e dimë?

Njerëzit mund të mos vdesin, por gjuhët e tyre janë të vdekshme.

Vetë gjuha hebraike e Krishtit dhe predikimet e tij origjinale në këtë gjuhë u harruan.

Sot njohim një Krisht në gjuhën greke ose latine, ose në qindra gjuhë të gjalla të përkthimit të shumëfishtë.

Ajo që i kishte ndodhur Krishtit gjuhësisht mund t’i ndodhte kujtdo.

Kështu tmerri bëhet më i durueshëm po për të gjithë.

 

Në vitin 1898, në kronikat e botës nuk u shënua vdekja e Anton Udina-Buburit.

Ai ndoshta qe njeriu më i parëndësishëm i planetit, por në kuptimin më të thellë  ai qe njëkohësisht një nga njerëzit më të mëdhenj dhe më të shkëlqyer të njerëzimit për shkak të ëndrrës së tij misionare.

Humbën përfundimisht dorëshkrimet e tij që ruanin enigma të patjetërsueshme.

Në çastin e vdekjes, Burburi padyshim ka menduar diçka.

Ka parandjerë, si askush, një situatë të shekujve dhe të mijëvjeçarëve, të koncentruar fuqishëm në qënien e tij njerëzore.

Në trupin e tij të vetëm u ravizuan miliona forma të trupave të ilirëve që kishin populluar gadishullin, qytetet dhe kështjellat e tyre madhështore, kultet dhe panteonet, heronjtë dhe disfatat historike, bisedat dhe këngët, vallet dhe ritet mortore, pikëllimin dhe gëzimin, kostumet etnografike, simbolet ornamentale, tërë historia ilire e ardhur furishëm nga të gjitha skajet, nga të gjitha pikat gjeografike, për t’u strehuar nën lëkurën e Burburit.

Asnjëherë dhe asnjë njeri i vdekshëm në këtë planet nuk ka patur një simbolikë kaq të shumëfishtë përfaqësimi.

Kur ka vdekur Shekspiri me siguri nuk ka menduar se do të zhdukej edhe gjuha angleze.

Shumë të tjerë të ngjashëm nuk do të rreshtnin së përfaqësuari anglishten.

Rasti i Burburit qe absolutisht krejt ndryshe.

Deri pa vdekur ai, ende pa i mbyllur sytë, tërë ilirët e vdekur mund të mbijetonin.

Vdekja e tyre e parë  nuk mund të quhej përfundimtare.

Por vdekja e të Vetmit, pra e Burburit, rrënoi me shpejtësi të skëterrshme gjithçka.

Kështu vdekja e Burburit u bë Vdekja e Dytë e Ilirëve.

 

Kemi lexuar shumë parabolat për thesaret e fshehur të njerëzimit.

Arkeologët kanë bërë zbulime sensacionale.

Ende ka thesare të pazbuluara.

Thesaret janë fshehur në ishuj misteriozë, në shpella të mbyllura, në brendësinë e piramidave, nën dyshemenë e katedraleve, në anijet e mbytura në fund të detit etj.

Të gjitha këto pamje janë groteske por dhe të varfra dhe aspak tërheqëse kur bëhet fjalë për rastin unikal, pa një të dytë, të Burburit.

Kështu tragjikja bëhet pafundësisht e dhimbshme, emocionet nuk rreshtin por shumëfishohen.

 

Alternativa e sinopsit.

Duke shkruar për Burburin mund t’i lëshohet freri imagjinatës.

Le t’a përjashtojmë rastin e mallkuar të plasjes së bombës.  Bomba nuk ekziston.

Burburi nuk vritet.

Dorëshkrimet nuk digjen.

Vallë ç’do të ndodhte më pas?

Idea fikse e fundit të lumtur (happy end) lind një subjekt të ri, dorëshkrimet e Burburit botohen, bëhen pronë e shkencës botërore.

Krijohet Instituti Burbur.

Shumë kureshtarë mësojnë gjuhën dalmate.

Me këtë gjuhë botohen revista dhe shkruhen poema.

Mesianizmi gjuhësor i Burburit është realizimi fatlum i një projekti të vetmuar.

Ka ndodhur kështu një mrekulli që skeptikët e përbuznin.

Mrekulli të tilla nuk u ngjanë atyre të teknologjisë moderne, të kibernetikës dhe gjenetikës, por mrekulli të tilla mund ta pasurojnë planetin vazhdimisht të kërcënuar nga humbjet e pashmangshme.

Burburi qe Heroi i Katastrofës,- i fundmi i mohikanëve i ilirëve.

Katastrofa e personalizoi këtë personazh të habitshëm.

Por plofuqishmëria e kujtesës derdhi në figurën e tij një skulpturë të artë.

Nga ari i madhështisë dhe i amëshimit.(1994)

 

Share This Article
1 Comment
  • Zoti Te dhente shendet e jete Te gjate o I nderuari Moikom Zeqo, kemi nevoje per ju.
    Ju lutemi mundohuni Te shkruani dicka né ilirishte qe Te kuptojme me shume
    Me respekt

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *