Fillimi i ditës së tretë të provave në Formula 1 është shtyrë, për shkak të borës në Circuit de Catalunya-Barcelona në Spanjë.
Pista e Montmelos ishte mbuluar e tëra nga bora, kur ekipet kishin mbërritur për të nisur provat.
Përgjegjësit e pistës nuk kanë thënë se kur do të jetë e gatshme për prova, prandaj edhe flamuri i kuq do të qëndrojë i ngritur derisa të pastrohet bora.
Moti i ftohtë kishte ndikuar edhe në dy ditët e para të testimeve, duke i penguar kështu pilotët me kushte jo të duhura për testime të caktuara.
Është hamendësuar se do të jepen ditë shtesë për provat në Montmelo, mirëpo vendimi duhet të jetë unanim ndërmjet skuadrave.
Dita e fundit zyrtare e seancave të para testuese është të enjten, që i bie të jetë dhe dita e katërt. Ndërsa nga e marta e ardhshme do të fillojnë seancat e dyta testuese që po ashtu zgjasin katër ditë, shkruan tg.
Sezoni i këtij viti i Formula 1 do të hapet më 25 mars për garën e Çmimit të Madh të Australisë, që zhvillohet në Melbourne.
s.a/dita
