Avokati i Popullit i ka dërguar një raport ministrit të Shëndetësisë në lidhje me sistemin publik shëndetësor dhe problemet e shumta me të cilat përballen qytetarët në spitale. Pas monitorimit të situatës në QSUT dhe spitale të tjera të vendit, institucioni i Avokatit të Popullit i ka dërguar ministrit Halimi raportin kritik dhe disa rekomandime. Në raport, Avokati i Popullit ka evidentuar mungesën e medikamenteve, infrastrukturën, trajtimin e të sëmurëve etj, probleme të cilat janë përcjellë te ky institucion edhe përmes denoncimeve të qytetarëve.
“Problematika është e gjerë, që ka lidhjen me infrastrukturën, me mungesën e medikamenteve, me specializimin e stafit, me trajtimin e të sëmurëve, pra me një sërë problematikash, të cilat janë shumë të rëndësishme. Në qoftë se do të donit t’ua përmblidhja në një pikë, në sistemin tonë shëndetësor ka probleme me standardet, me cilësinë dhe me nevojat e një shërbimi shëndetësor të përshtatshëm dhe të denjë për qytetarët shqiptarë”, tha Totozani.
Në raport vihet theksi te mungesa e theksuar e medikamenteve në spitale, veçanërisht tek ai onkologjik.
“Medikamentet në Shërbimin e Onkologjikut, pra për të sëmurët që vuajnë nga sëmundje të rënda, nuk janë të mjaftueshme dhe investimi shtetëror në këtë drejtim është pothuajse përgjysmuar, nga 5.6 milionë që ka qenë në 2009, sipas të dhënave që disponojnë ekspertët tanë, ka zbritur në 2.7 milionë dollarë. Ndërkohë që kemi pothuajse një dyfishim të këtyre sëmundjeve, gjë që e bën emergjente dhe kërkesa jonë në mënyrë të veçantë për këto medikamente është emergjente dhe presuese ndaj institucionit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe gjithë organeve të tjera që përbëjnë autoritetet rregulluese në sistemin e shëndetësisë. Është një gjendje e papranueshme”, thotë Totozani.
Në rekomandimet e tij, Avokati i Popullit thekson nevojën imediate të furnizimit me medikamente të spitaleve, në veçanti atyre që vuajnë nga sëmundjet e rënda si kanceri, pasi çmimi i citostatikëve është i lartë dhe jo të gjithë pacientët mund t’i blejnë ato në farmacitë private.
Ne nuk kemi spitale por stalla. Kjo eshte Shqiperia e Saliut.