Dërguar me Email
Në adresën e redaksisë
Duke kaluar në rrugë me një shok na tërhoqi vëmendjen një faqe gazete e nderur në banakun e një kioske. Me germa kapitale jepte lajmin e reformës apo “çlirimit” të dytë të Prokurorisë. Shifrën për aparatura të sofistikuara përgjimi, nuk e pamë me kujdes; Po ishin plot 945 milion. Milionat e shkretë! Në fillim kujtuam se kishin blerë FBI-në. Edhe mundet. Pse jo? Amerika është zemërgjerë. Ama diçka nuk po arrijmë të kuptojmë. Kë do përgjojë Prokuroria? Saliun që pëllet në mes të ditës për armatosje të popullit? Apo atë që vrau në mes të bulevardit? Po gjyqtarët milionerë eurosh e të deklaruar e denoncuar a duhet të përgjohen? E për të vazhduar me këtë “çlirimin” miliarder mendoj se nuk ka kuptim të jetë i dyti pasi nuk ka pasur të parë. Zëvendësimi i “Lenës me Prenën” nuk ka lidhje me reformën ose për hatër, ka fare pak. Efekti reformë shihet te puna e jo te emrat. E po qe për emra, i pari duhet të reformohet nga kreu. Për të qenë bindës një njeri a institucion duhet të argumentojë jo me fjalë e “oratori”, por me vepër. Fjala vjen, a do kishte argument më bindës që ndonjë nga të shumtit kriminelë që kemi në krye e që e vetëpohojnë të ishte në burg apo për finesë pas hekurave? A nuk do të ishte fillimi i një “çlirimi” të vërtetë i njërës prej hallkave më të vyera në zinxhirin e drejtësisë? Aparatura është vegël. Efikasiteti i saj varet nga përdoruesi. A nuk duhet të tregojmë më parë se jemi në gjendje të heqim korrupsionin e paaftësinë? Në Shqipëri ka punë plot që mund të kryhen edhe me aparatura më të thjeshta. Por këtu mungon mentaliteti i duhur për të bërë atë që duhet. Profeti
