Xhevdet Shehu
Mbi filmin e ri të Ylli Pepos “Bir i dy Shqipërive…”, kushtuar figurës së paharruar të Sokol Barajt-
Pak ditë më parë u shfaq premiera e filmit te ri dokumentar “Bir i dy Shqipërive” e regjisorit të njohur Ylli Pepo. Në qendër është historia e kombit në këta 30 vjet të trazuar, treguar bukur nëpërmjet jetës të një protagonisti të saj, Sokol Baraj, i cili u nda para kohe nga jeta katër vjet më parë, në moshën 54 vjeçare.
Fakti që Ylli Pepo e bën Sokolin protagonist të një filmi ka një domethënie kuptimplote. Është më shumë se një homazh për një njeri që spikati dukshëm në të gjitha detyrat ku shërbeu dhe la gjurmë të pashlyeshme, është një mesazh për kohën që jetojmë dhe që ka aq shumë nevojë për njerëz si Sokoli. Sepse ai ishte dhe mbeti njw shembull i rrallë i përkushtimit total ndaj atdhetarisë, zbatimit te ligjit dhe dashurisë për të mirën, të ndershmen dhe të vërtetën.
Këto mesazhe, që trokasin fort në ditët tona, vinë që ne hapjen e filmit me thënien e vjetër skoceze: “Feja e vërtetë është jeta e ndershme..” e, më pas, vargjet e poetit te njohur Arben Duka:
Është shumë e vështirë
Të gjej një si Ti
Një njeri plot dritë
Dhe plot mirësi!
Një jetë të tërë
Të shtrenjtit Atdhe
Sa pak që i more
Sa shumë që i dhe!…
E, më pas, në kontrast me fillimin gjëmues, shohim disa fotografi sporti në bardh e zi te vjetëruara nga koha. Mes shokësh duket edhe një djalë i ri, me trup të zhvilluar, me uniformën e portierit.
Edhe pse fillon kështu, ky film nuk është për sportin. Sepse Sokol Baraj e la shpejt profesionin e mbrojtësit të portës për t’u shndërruar në mbrojtës të qytetarëve nga krimi dhe ligësia.
Më shumë se një portret, ky është nje film ku rrinë bashkë trimëria me besnikërinë, dashuria me besimin, njerëzorja me detyrën… e verteta me zhgënjimin e madh…
Nga prejardhja por më shumë nga ajo cka bëri në jetë per kombin, ai mbetet i pakrahasueshëm me askënd tjetër si Bir i dy Shqipërive…
Kuçi i Labërise i njohur ndër shekuj si vend trimërie e burrash të besës, është vendlindja e babait, Mitat Barajt.
Gati në krahun tjetër të trojeve shqiptare ndodhet Gjakova, ku jeton familja me mbiemër Emra, nga rrjedh nëna e tij, Naslia. Emrat merreshin me tregti dhe në kohën, kur u mbyllën kufijtë, më 1948, një pjesë e tyre mbetën në Tropojë.
Këtu u njohën dy prindërit. Të përkushtuar ndaj familjes, rritën 4 fëmijë të mirë, të sjellshëm dhe të dashur. Ka plot foto, që janë dëshmi e asaj kohe, kur dy djemtë dhe dy vajzat ishin gëzimi i familjes.
Profesioni i atit, oficer, sillte lëvizje dhe transferime të here pas hershme. Për një kohë jetuan në Lezhë, më pas erdhën në Tiranë.
Sokoli a Koli, siç e thërrisnin të gjithë, shkoi ne Politeknikum. Krahas mësimeve merrej edhe me sport.
Mund të kishte patur një drejtim tjetër jeta e tij, nëse do të zgjidhte të qëndronte në skaj të një fushe futbolli me dorezat e portierit.
Madje, kur arriti të bëhej pjesë e emblemës shqiptare “Dinamo”, 30 vjet më parë, shumëkush ishte i bindur për një karriere te shkëlqyer futbollistike te Sokol Barajt.
Por jeta dhe vendimi i atij vetë për divorc me futbollin, do ti rezervonin një të ardhme krejt tjetër, një rrjedhje te vrullshme të saj që do ta çonte sa në krye të policisë shqiptare, në detyrën te zv/ministrit të Rendit apo edhe të këshilltarit të kryeministrave shqiptarë për çështje të sigurisë dhe të rendit dhe deri në qytetar të thjeshtë, të papunë dhe të zhgënjyer.
Ai shkruante:”Në mos sot, nesër, e vërteta do të dalë plotësisht në dritë dhe në një mënyrë tronditëse”
“Asnjë e vërtetë nuk ka të drejtë të mbetet në varr për shumë kohë, nuk mund të mbetet enigmë përgjithmonë.
Një nga njohësit më të shkëlqyer të punës në polici, Baraj ishte njeri i heshtur dhe bënte humor kur e krahasonte veten me një kasafortë, që mbyllte shumë e shumë të pathëna, të vërteta të vjetra dhe të reja që nga lufta me krimin e deri në kontributin ende “misterioz” qe Shqipëria dhe shqiptarët kanë dhënë gjatë krizës së Kosovës.
Falë detyrave të tij, Sokol Baraj jo vetëm kishte dijeni për ngjarjet më të bujshme në vend, por në shumë prej tyre ai ka pasur edhe një rol spektakolar të dorës së parë.
Ai thoshte: …“ Shoqëria jonë ka shumë halle dhe të vërtetat për maskarenjtë, si për ata qe ndodhen ne qeli, edhe për ata qe jane ne podiumet e politikes, nuk mund të japin më shumë se zhgënjimet e radhës. Megjithatë, një ditë , kurdo qoftë ajo, të vërtetat që nuk mund të varrosen do t’u japin atyre atë dritëhije që i zhvendos larg gënjeshtrës që kanë ndërtuar për veten”…
Ai ishte i trishtuar për të ashtuquajturën reformë në polici, për veshjen me uniformë te njerëzve që nuk kanë asnjë lidhje me profesionin, por që politika i ka përgatitur si një detashment besnikësh per t’i përdorur në nje moment të caktuar.
Në cdo kohë edhe kur e larguan nga policia, ai mendonte për të. Ishte pasioni dhe dashuria e tij e madhe. Në biseda, i papunë i thoshte Besit, vëllait të madh:
“… Mbaje mend, do t’ju plasë bomba në dorë. Policia rrugore është fundore, policia reale eshte policia kriminale, mbaje mend mirë këtë. Do të flasim prapë bashkë.
Por s’folën, sepse ai iku… Ama, fjalët i dolën…
Baraj ishte i drejtpërdrejtë dhe afronte edhe shembujt që pohojnë fjalinë e bujshme: “Janë nxjerrë në lirim deri dhe studentë që sapo kishin përfunduar Akademinë e Rendit, te moshës 23-25 vjeçare, thjesht dhe vetëm sepse nuk përmbushin kriteret politike të kohës. Ashtu siç ndodhi që në ditët e para te rotacionit politik që të largoheshin pothuaj në masë të gjithë kuadrot e nivelit drejtues të lartë në ministri”
Ai vetë ishte vënë përpara alternativës që të shkonte në Tropojë, apo nxjerrjes në lirim në vitin 2005. Pranoi të lerë detyrën, që të mos ishte pjesë e ironisë që po përgatisnin qeverisësit e rinj me profesionistët e “vjetër”.
….”Absurdi shkon deri aty sa si vjetërsi pune ne polici, llogaritet edhe puna e dikurshme e punonjësve të lartë të policisë ne kooperativat e dikurshme apo ne miniera. Sipas një analogjie te thjeshte, është e njëjta gjë sikur një rekrut i thjeshtë, një ushtar i shërbimit të detyrueshëm që bën roje në një depo, nesër të gdhihet gjeneral… ”
Tashmë krimi ka mësuar të jetojë në simbiozë me politikën dhe për te, krimin, nuk është më problem prodhimi dhe sigurimi i parave, por garantimi dhe ruajtja e tyre. Dhe një gjë e tillë mund të bëhet vetëm në lidhje me politikën. Dini ndonjë rast ku të jetë dëshmuar origjina e parave të X apo Y investitori te fuqishëm?….”
Këto thotë ai në një interviste, pak para vdekjes, dhënë mikut dhe gazetarit Lorenc Vangjeli.
Ofensiva e Barajt për te pavertetat zyrtare shkonte edhe më tej: “Nëse dëgjoni se janë goditur dhe shkatërruar qindra banda, ju lutem, mos e besoni. E dini se edhe në nje vend si SHBA-ja, sa për të marrë një shembull nga ato që kanë për zemër në Tiranë, gjatë dy shekujve të fundit nuk kanë ekzistuar një numër prej qindra bandash të tilla, sic pretendohet për Shqipërinë”
Ai mërzitej se nje propagande e tille nuk i përgjigjet realitetit, godet imazhin e vendit dhe e shndërron atë në një ishull të izoluar në Evrope, një lloj Sicilie filmash, ku krijohet përshtypja se njerëzit vriten me njëri tjetrin dhe se në vend të domateve dhe specave në tregun fshatar, tregtohet kokainë dhe heroinë. Por, në luftën kundër drogës, ai ishte nje luftëtar i vijës, konsekuent dhe i patolerueshëm.
Kosova ishte tema e preferuar e Sokol Barajt.
Ai kujtonte se rrallë ndonjëherë ishte ndjerë më krenar, kur pikërisht, nga delegacioni kosovar, që do të shkonte në Rambuje, ju kërkua të asistojë për çështje të sigurisë dhe rendit. “U nisa në Rambuje dhe aty pashë që fati më kishte rezervuar mundësinë të prekja historinë nga pranë…”.
Fatmirësisht, ndryshe nga sa kërkonin serbët në Rambuje, apo dhe Berisha në Tiranë që e konsideronte firmosjen e marrëveshjes si tradhti kombëtare, kosovarët e Hashim Thaçit bënë atë akt historik që tetë vjet me vone i dha Kosovës pavarësinë. Ai tregonte se veç Thaçit, shume aktivë nga delegacioni shqiptar ishte Rexhep Qosja, Fehmi Agani, Jakup Krasniqi, Bujar Bukoshi, apo Veton Surroi.
Dhe më bukur, këtë e thonë në film vargjet e Arben Dukës, që Ylli Pepo i ka zgjedhur për të mbyllur filmin e tij:
Po ty, në të gjallë
Buza rrallë të qeshi
Të ndershmit si ti
Shteti kurrë s’i deshi!
Jetove një jetë
Plot me ndershmëri
Kohë e maskarenjve
Nuk ishte për ty!
Të kemi në zemër
More Sokol djali
Je kudo që je
Një shqiponjë mali!
Një shqiponjë mali
Burrë e kryeburrë
Vitet le të ikin
Ti nuk ikën kurrë
Me mjeshtërinë dhe inteligjencën e tij të njohur Ylli Pepo mban gjallë kureshtjen dhe rrit emocionet e shikuesit deri në përlotje. Pepo është një regjisor i shquar, i përkorë në artin e tij, me ndjesi të holla artistike, ndaj dhe shikuesi porsa ndesh emrin e tij mbërthehet para ekranit.
Me kompetencën e një profesionisti, prej 53 vjetësh në këtë fushë, ai di të vendosë raporte të drejta mes filmimeve të rralla arkivore, xhirimeve të sotme dhe fjalëve të shumë intervistuesve, që janë emra të njohur sot në fusha të ndryshme të jetës.
Vinë në film dëshmitë interesante të Neritan Cekës, Fatmir Toçit, Sokol Pogës, Agim Fagut, Mirush Kabashit, Piro Çakos, Sabit Brokajt, Erion Braçes, Petro Kocit, Fatos Klosit, Bashkim Finos, Hil Lushakut, Ismail Lleshit, Ndre Legisit, Kujtim Jahos, e Niko Faber por edhe të personaliteteve te Kosovës si Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Milaim Zeka, si edhe të të afërmve e familjarëve, vëllait Besnik Baraj, bashkëshortes Lindita e dy djemve Enkel dhe Rene.
Filmi është i një cilësie të lartë artistike të një kamere te gjallë e dinamike, që Drejtori i fotografisë Xhemal Reçi, me përvojë e bagazh të shumtë filmash ka ditur të sjelle pamje mbresëlënëse dhe emocione të gjalla nëpërmjet portreteve dhe zhbirimit të tyre me kujdes dhe art.
Ai është njëkohësisht edhe producenti i filmit bashkë me Lorina Pepon, producente ekzekutive e shume filmave të tjerë, artistikë, televizivë dha dokumentarë.
Vlera të shtuara i dha filmit montazhi dhe postproduksioni i Gjergji Panos, sot padyshim, mjeshtri më i dalluar në këtë fushë. Ai kupton mirë dhe di të “presë” aty ku duhet, duke i dhënë ritëm te brendshëm filmit, pa asnjë teprim dhe zgjatje te panevojshme.
Si njohës i mirë i gazetarisë së ditëve tona, Pepo ka zgjedhur për tekstin e filmit mbështetjen gazetarit Lorenc Vangjeli, si edhe Hil Lushakun, një specialist i dalluar i fushës, autor librash mbi policinë.
Ndërsa aktori i njohur Sokol Angjeli, me talentin e tij diti të bëjë rrëfimtarin e filmit me shumë emocion e dashuri. Si gjithnjë, shkëlqeu edhe Bujar Asqeriu në interpretimin e ndjerë të vargjeve plot dhimbje të Arben Dukës.
Veçanërisht, do të ishte me shumë vlerë që ky film të shfaqej posaçërisht në Institucionet, shkollat dhe Akademitë tona ushtarake si pjesë e programeve informative, mësimore dhe njohëse për historinë e re të organeve të rendit e të mbrojtjes të Shqipërisë dhe të Kosovës.
“Bir i dy Shqipërive..” kushtuar Sokol Barajt, flet edhe një herë se filmi shqiptar ka forca të vërteta krijuese dhe realizuese që me përkushtim, guxim, dinjitet dhe dashuri, dinë të tregojnë kohën tone dhe te zbulojnë heronjtë e saj të vërtetë.

Regjizori Ylli Pepo me kete dokumentar e vlerson dhe njehere te ndjerin Sokol Baraj ,punen ndershmerine dhe karakterin e tij. Te rijte duhet te marrin shembull nga figura e tij.
Nderime dhe respekt perhere per emrin, punen, perkushtimin dhe personalitetin e te paharruarit Sokol Bare!
U nda nga jeta papritur, shume parakohe, ndersa me siguri kishte synime dhe objektiva, te cilet nuk mundi t’i vinte perpara…
Pune te paster, shume te vlefshme, edukative dhe mbreselenese eshte filmi, qe i kushtohet ketij heroi te Policise se Shtetit.
Falenderim per regjisorin e shquar, Ylli Pepo.
Faleminderit gazetarit me emer, Xhevdet Shehu!
Faleminderit Dita!