Ilir Xhakja, i akuzuar për vrasjen e bujshme të kryekomisarit të Shijakut Adem Tahiraj, më 13 shtator 2012 në Sukth, do të qëndrojë në izolim të përjetshëm. Vendimi i formës së prerë është dhënë dje nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, e cila la në fuqi verdiktin e Shkallës së Parë, duke rrëzuar kërkesën e të pandehurit për zbutje të dënimit. Në përfundim të shqyrtimit, trupi gjykues deklaroi se Xhakja është fajtor dhe dënimi nuk zbutet, por do të qëndrojë me burgim të përjetshëm.
Në akuzat e përfshira në dënim, gjykata me këtë vendim ka pranuar edhe akuzat për “kundërshtim të policëve” dhe për “armëmbajtje pa leje”. Me këtë vendim, sikurse edhe i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Apeli e dënon me burg përjetë Xhakjan për vrasjen e kryekomisar Adem Tahirajt, në një përplasje në detyrë e sipër.
Në vendimin e dhënë nga Apeli, thuhet se Xhakja akuzohet nga prokuroria për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese ndaj Adem Tahirajt”, “vrasje e mbetur në tentativë ndaj shtetases Lena Ndoka”, “kundërshtim të punonjësit të policisë së rendit publik” si dhe “mbajtje pa leje të armëve luftarake”.
Ilir Xhakja e ekzekutoi kryekomisarin Tahiraj me pistoletë, rreth orës 18:00 më 13 shtator të 2012-ës, në vendin e quajtur Katund-Sukth të Durrësit, gjatë një operacioni të policisë.
I cilësuari si i “forti” i Shijakut, Ilir Xhakja e ka pranuar akuzën. “E mendova si kurth. Kryekomisari dhe inspektori kishin pistoletat në duar. E qëllova nga frika se mos më qëllonte”, tha Xhakja pas ngjarjes. Shoferi dhe oficeri që shoqëronin kryekomisarin e ndjerë, dëshmuan se po ushtronin kontroll në mjetin me xhama të zinj të nipit të Xhakjas, por ky i fundit erdhi dhe e goditi shoferin dhe më pas shau dhe vrau Tahirin, edhe pse ky iu prezantua. Xhakja zbrazi pesë plumba mbi kryekomisarin, duke e lënë të vdekur në vend dhe më pas përfitoi të arratisej, por u kap afër Gjirit të Lalësit pak orë më pas nga RENEA i rrethuar në një banesë.
Xhakja ka qenë disa herë i arrestuar për akuza të ndryshme dhe një herë i dënuar për vrasje nga Krimet e Rënda për një ngjarje të 1998 po në Sukth, por më pas i liruar pas rigjykimit në Gjykatën e Durrësit në 2009 dhe me një vendim që nuk u zbardh për më shumë se një vit nga gjykatësi Neritan Tabaku, që dha pafajësinë. Kjo pengoi prokurorinë të apelonte, ndërsa kishte kërkuar 24 vite burgim. Pas kësaj, Xhakja u përfshi në përplasjen ku dhe mbeti i vrarë kryekomisari.