Apeli i sindikalistëve: Të rritet buxheti për arsimin në 5% të PBB-së

Saimir Lleshi

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, zhvilloi  seancë dëgjimore me përfaqësues të sindikatave për buxhetin e arsimit.

Përfaqësuesi i Federatës së Sindikatës së Arsimit, Xhafer Dobrushi theksoi se përmes seancave dëgjimore me grupet e interesit, krijohet mundësia  për të parashtruar  vërejtjet dhe propozimet për buxhetin e vitit 2016. Dobrushi u shpreh se, buxheti  në nivel qendror dhe vendor është bërë pa asnjë konsultim me partnerët social.

“Për herë të parë  këtë vit buxheti  nuk është diskutuar  as në Këshillin Kombëtar të Punës. Kjo praktikë u heq partnerëve dhe punonjësve mundësinë për të gjykuar mbi objektivat e shpërndarjes dhe përdorimit të parave të taksapaguesve për një vit”, tha Dobrusha.

Përpara anëtarëve të komisionit, z. Dobrushi u ndal  në disa nga problemet dhe kërkesat kryesore, që në thelb janë sugjerime të shumë sindikalistëve dhe mësuesve, si : rritja e pagës mos jetë më pak se dyfishi i inflacionit; motivimi i mësuesve për inkurajimin dhe shpërblimin e mësuesve më të dalluar në arsimin cilësor; mos shkurtohen vendet e punës për mësuesit.

Ndërsa, përfaqësuesi i  Sindikatës së  Pavarur të Arsimit z. Novruz Kaptelli, kërkoi që buxheti për arsimin të rritet  në 5% të GDP-së.

“Mësuesit prej një viti janë pa kontratë kolektive. Mësuesit po pushohen nga drejtorë pa eksperiencë. Atyre u premtuar paga e 13, por ju hoq dhe shpërblimi prej 10 mijë lekësh ”, tha përfaqësuesi i  SPASH. Sipas tij, për të pasur një arsim cilësor duhet të kemi mësimdhënie, mjete dhe ambiente cilësore.

Kryetari i Komisionit Genc Pollo, kërkoi  që rastet e shkeljes së ligjit për mësuesit të bëhen të ditura. “Nëse ju nuk jeni konsultuar me ministrinë, kjo përbën një shkelje  të ligjit për “Konsultimin Publik” dhe cenon legjitimitetin e projektligjit. Kjo është shqetësuese dhe përbën një precedent negativ, që  mësuesit janë pa kontrata kolektive”, tha Pollo. Nga ana e tij, Peza kërkoi që të mos keqpërdoret mikrofoni për hallet e partisë.

Kreu  i KSSH, z. Kol Nikollaj tha se ligji për arsimimin është diskutuar me aktorët që janë potencial dhe sjellin kontribute dhe bashkëpunojnë për buxhetin. “Ligji është diskutuar me komisionet e posaçme të Këshillit Kombëtar të Punës. KKP, për efekte kohe dhe organizativ që qeveria kaloi shpejt ligjin në parlament, e ka diskutuar vetëm me kryesinë e këshillit. Ky buxhet ndalon problemin e borxhit”, tha Nikollaj.

Duke iu përgjigjur shqetësimeve të përfaqësuesve të sindikatave, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, z. Plarent Ndreca, sqaroi se procesi i negocimit dhe nënshkrimit të kontratës kolektive ka hasur probleme administrative, përfaqësueshmëri nga dy grupet e mëdha  sindikale.  Z. Ndreca tha se jemi në një proces finalizimi për nënshkrimin e kontratës kolektive. /Dita/

 

 

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *