Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi masën “arrest me burg” për tre nga gjashtë të akuzuarit për korrupsion në Gjykatën e Pukës. Seanca u zhvillua pas ankimimit të depozituar nga avokatët mbrojtës për masën e dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë dy javë më parë për arrestimin e 7 të dyshuarve për skandalin e publikuar nga “Fiks-Fare”.
Seanca
Në seancën e djeshme të zhvilluar në mesditë me dyer të mbyllura, Apeli ka lënë në fuqi masën e sigurisë, “arrest me burg” për kancelaren e Gjykatës së Pukës, Meliha Kuka, për avokatin Fariz Xhurxhi dhe sekretaren e gjykatës, Liljana Shkjau. Kurse për 3 të arrestuarit e tjerë, shqyrtimi i ankimimit do të bëhet ditën e hënë, më 30 dhjetor. Ata janë avokati Fran Dashi, prokurori i Pukës, Pëllumb Prençi dhe i dyshuari si sekser, Dëfrim Prençi. Për më vonë mbetet edhe shqyrtimi i ankimimit për gjyqtarin Shtjefën Lleshi, tashmë i shkarkuar edhe nga KLD-ja nga funksioni i kryetarit dhe gjyqtarit, ndërsa ndodhet në paraburgim me masë “arrest në burg”. Shtatë të arrestuarit akuzohen për shpërdorim detyre dhe mitmarrje. Të arrestuarit e Gjykatës së Pukës apeluan masën e Shkallës Parë duke kërkuar nga Apeli masë sigurie më të butë.
Skandali
Gjithçka nisi në protestën e 19 prillit 2013 në Fushë-Arrëz nga banorët kundër firmës “Ber-Alb” të kromit për shpronësimet dhe ndotjen. Policia ndaloi rreth 20 persona, mes tyre edhe familjen Ndoka. Por në proces e sipër, babë e bir mbetën në qeli. Pal Ndoka denoncoi se kishte paguar vetë 4 milionë lekë për t’u liruar dhe 5 milionë të tjera për djalin. Emisioni investigativ “Fiks-Fare” ndoqi çështjen dhe transmetoi tre pjesë për skandalin me pamje. Sekseri e ka lidhur Ndokën me oficerin gjyqësor, ku përmenden emrat e prokurorit të Pukës, kryegjyqtarit dhe më tej kancelares, sekretares, që ndajnë paratë, juristit të Burgut të Shënkollit, avokatëve dhe një tjetër sekseri që përmend edhe kreun e Gjykatës së Lartë. Denoncuesi shpjegon se përgjatë gjashtë muajve zvarritje ka harxhuar mbi 40 milionë lekë për lirimin e familjarëve. Pas skandalit Ministria e Drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm shkarkuan vartësit, KLD liroi gjyqtarin dhe iu hap rruga arrestimeve të 7 të dyshuarve, që janë nën proces hetimor dhe gjyqësor.
shume bukur ::por gjygjet duhen te behen me dyer te hapura ::: keshtu te gjithe ta shikojne ::::ne demokracie nuk fshihet asgje
Per kesi rastesh seanca gjyqesore duhet te trsmetohet drejtpersedrejti nga Tv e radiot qe duan ta trasmetojne, ndersa RTSH e ka detyrim