Konsumi i lartë i sheqerit është faktori kryesor që mund të sjellë prishjen e dhëmbëve dhe diabetin, ndaj prindër bëni kujdes me ushqimet që konsumojnë fëmijët tuaj gjatë ditës. Apeli vjen nga ekspertët e shëndetit publik në Ditën Botërore të Shëndetit të gojës (20 mars). Ndonëse gjatë viteve të fundit shfaqet në rritje ndërgjegjësimi për rëndësinë e kulturës së shëndetit oral, prishja e dhëmbëve dhe sëmundjet e tjera të gojës mbeten ende në nivele të larta, krahasuar me shtetet e tjera.
Kjo për shkak të një stili jetese që dominohet nga një dietë e pakujdesshme, si dhe vajtja me vonesë tek dentisti, ndërkohë që problemi me dhëmbët mund të ketë nisur prej kohësh. Sipas Shoqatës së Stomatologëve Shqiptarë, sëmundjet e gojës janë më të përhapurat në vendin tonë, dhe prekin rreth 90 për qind të popullsisë. Këto sëmundje kanë ndikim të madh në shëndetin e përgjithshëm të çdo individi, veçanërisht të fëmijëve, tek të cilët raportohet dhe një numër i lartë mungesash gjatë vitit shkollor, si shkak i problemeve me dhëmbët. Sipas të dhënave të raportuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, në vendet e zhvilluara, barra e sëmundjeve orale është në rënie, ndërsa komplikacionet janë më të zakonshme, sidomos te pjesa më e moshuar e popullsisë. Ndërkohë që në vendin tonë këto komplikacione dominojnë në masë tek moshat e reja, e veçanërisht në zonat rurale ku mungesa e shërbimeve dhe kujdesit është më e theksuar. Faktorët kryesorë të rrezikut, si përdorimi i duhanit, pasiviteti fizik dhe një dietë e varfër në yndyrë, kripë dhe sheqer, ul ndjeshëm rrezikun për t’u prekur nga sëmundje të ndryshme të gojës.
Po sipas OBSH-së, rreziku për t’u prekur nga kanceri oral është 15 herë më i lartë, kur kombinohen bashkë dy faktorët kryesorë rriskues siç janë duhani dhe alkooli. Gjetjet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, tregojnë se rreth 90 për qind e popullsisë së botës do të vuajnë të paktën një herë nga një sëmundje në gojë në jetën e tyre, duke filluar nga kariesi dhe sëmundjet periodontale, që çojnë në prishjen e dhëmbëve dhe kancer të gojës. Duke qenë se numri i baktereve që gjenden në gojë mund të jetë më i madh se popullsia e botës, kujdesi për higjienën e gojës duhet të jetë maksimal, duke nisur që në moshë të vogël.
Bluzat e bardha të ISHP-së tregojnë se sëmundja kryesore që prek dhëmbët është kariesi, i cili është një infeksion që shkaktohet nga mikrobet që gjenden në hapësirën e gojës. Kariesi dentar është një sëmundje komplekse që shkaktohet nga bakterie, dhe mund të lidhet me faktorë të ndryshëm siç janë: “Konsumi i ushqimeve dhe pijeve, si dhe neglizhenca në larjen dhëmbëve dhe përdorimit të fillit dentar. Bakteri kryesor përgjegjës për prishjen e dhëmbëve është Streptokoku Mutans. Sipas stomatologëve, disa nga faktorët që ndikojnë në sëmundjet e dhëmbëve janë mungesa e kujdesit, konsumi i duhanit dhe ëmbëlsirave, kequshqyerja, etj. Nëse nuk ndalen në kohë, infeksionet e dhëmbëve mund të kalojnë në organe të tjera, ku zemra është një ndër më të rrezikuarat. Shpëlarja e gojës me ujë pas vakteve ka pak efekt mbi acidet bakterore, megjithëse mund të ndihmojë në eliminimin e mbeturinave ushqimore.
Specialistët e ISHP-së rekomandojnë që të bëhet kujdes në mbajtjen e higjienës së gojë, ku nuk duhen neglizhuar këshilla të tilla si: “Mbani një dietë të shëndetshme dhe zgjidhni ushqime nga grupet ushqimore që kanë të bëjnë me drithëra, fruta, perime, mish, peshk, qumësht, djathë, kos, përdorni ujë pas ushqimit, mos konsumoni ushqime të thata dhe me shumë sheqer, përdorni fije dentare për heqjen e mbeturinave ushqimore mes dhëmbëve, reduktoni shpeshtësinë e marrjes së karbohidrateve (sheqernave) gjatë ditës, përdorni furçën e dhëmbëve 3 herë në ditë me pastë të fluorizuar, bëni kontrolle periodike te dentisti, si dhe ndërroni furçën e dhëmbëve çdo 3 deri në 6 muaj”.
