Gjykata e Apelit të Tiranës nuk pranoi dje kërkesën e avokatëve për lirimin nga sekuestro të pronave dhe kompanive të investitorit italian Francesko Becchettit.
Avokatët e kompanive kundërshtuan mënyrën e zbatimit të sekuestros së urdhëruar nga prokuroria. Sipas avokatëve, vendimi i gjykatës për sekuestro shtrin efektet vetëm mbi kuotat në kapitalin e gjithsecilit dhe jo për llogaritë bankare dhe asetet.
Pak muaj më parë, kjo kërkesë u bë edhe në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë, e cila nuk ua pranoi kërkesën. Vendimi u ankimua në Gjykatën e Apelit, e cila rrëzoi pretendimet e avokatëve, që pretenduan se me këtë sekuestro janë bllokuar pagat e punonjësve.
Sipas Gjykatës, sekuestrimi preventiv është kryer për efektin e mostjetërsimit, shitjes apo transferimit të 60 % të aksioneve të të dyshuarve për një sërë akuzash penale, nga ajo e krijimit të skemave mashtruese e deri te pastrimi i parave.
