Kriteri i përzgjedhjes për degët me fluks të lartë kërkesash do jetë mesatarja.
Nxënësit që duan të vijojnë studimet e larta të ciklit par time në universitetet publike janë ende në kohë të aplikojnë. Udhëzimi i shpallur dje në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit detajon se aplikimi për kandidatët që duan të ndjekin studimet part-time si fakultet i parë ose i dytë mund të aplikojnë pranë fakulteteve duke dorëzuar dosjen përkatëse të dokumenteve të kërkuara. Kërkesat sipas udhëzimit të MASH do të pranohen deri në datën 15 nëntor.
Pas kësaj date komisionet e ngritura në fakultet përkatëse do të verifikojnë një e nga një dosjet e depozituara gjatë fazës së aplikimeve dhe ata që do të plotësojnë kriteret e përcaktuara do të shpallen në listën e fituesve. Dosja e dokumenteve duhet të ketë në përmbajtje diplomën e Maturës Shtetërore ose Dëftesë Pjekurie për ata që kanë mbaruar studimet e shkollës së mesme para viti 2010 të noterizuara, dokument identifikimi, 2 fotografi, mandat arkëtimin për faturën e regjistrimit, si dhe kërkesën e plotësuar që konfirmon se kandidati nuk vijon studimet me kohë të plotë apo të pjesshme në asnjë prej programeve të tjera të fakulteteve publike.
Brenda katër ditëve që nga koha e mbylljes së regjistrimeve, këto komisione do të shpallin edhe listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet për t’u pranuar në këto programe studimi. Për degët që do të rezultojnë me fluks të lartë kërkesash do të përdoren kritere përzgjedhëse. Në këto kushte, për programet studimore që do të kenë fluks të lartë kërkesash krahasuar me kuotat e përcaktuara, do të përdoret si kriter seleksionues mesatarja. Regjistrimi i kandidatëve me kohë të pjesshme dhe edukimit në distancë në programet ku janë shpallur fitues do të zhvillohet nga sekretaritë mësimore të fakulteteve duke nisur nga data 19 nëntor për të vijuar deri në datën 23 nëntor.