Katër janë kategoritë që kanë të drejtë të përfitojnë nëpërmjet statusit të jetimit pagesën mujore, si dhe disa lehtësira të tjera në sigurimin falas të disa shërbimeve të tjera publike dhe trajtimin me prioritet nga shteti për tregun e punës dhe atë të strehimit. Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin përkatës për dhënien e statusit të jetimit, çdo person që i përket moshës nga 0 deri në 25 vjeç dhe që plotëson një nga këto katër kushte: është i lindur jashtë martese, nuk ka gjallë asnjërin nga prindërit, është individ që me vendim të formës së prerë të gjykatës i është hequr e drejta prindërore me vendim gjykate e të dy prindërve, ose i është hequr e drejta prindërore për njërin prind dhe prindi tjetër nuk jeton. Po ashtu, përfitues të këtij statusi janë edhe të gjithë personat e tjerë që braktisen nga të dy prindërit dhe nuk u njihet identiteti i tyre.
Aplikimi për të siguruar librezën e përfitimeve nga statusi i jetimit tashmë mund të bëhet lehtësish edhe nëpërmjet shërbimit online. Sikundër ndodh me shumë shërbime të tjera edhe në këtë rast çdo individ që përmbush kriteret e përcaktuara mund të aplikojë në portalin online e-albania për të plotësuar formularin përkatës, shqyrtimi i të cilit bën të mundur edhe lëshimin e librezës që konfirmon se aplikuesi mund të përfitojë pagesat dhe lehtësirat e tjera që ofrohen nga mbajtja e këtij statusi. Koha e marrjes së librezës mund të jetë e menjëherëshme, ose brenda tre muajsh, kohëzgjatje e cila përcaktohet nga fakti nëse aplikimi bëhet për herë të parë, ose për rinovim dokumenti.
Procedurat për të marrë librezën
Për të marrë librezën e përfitimit të statusit, hapi parë që duhet të bëjë çdo aplikues është të hyjë në portalin online të qeverisë në adresën www.e-albania.al ku duhet të bëni identifikimin përkatës. Më tej duhet të vijoni duke zgjedhur shërbimin e listuar si: “Aplikim për përfitim të statusit të jetimit” dhe të klikoni butonin “përdor” ku do të mund të nisni direkt me plotësimin e formularit përkatës, në të cilin duhet të plotësoni me shumë kujdes dhe skatësi të gjitha të dhënat e kërkuara.
Formularit të aplikimit duhet t’i bashkëngjisni edhe dokumentacionin e duhur. Pesë janë dokumentet që duhet të bashkoni formularit të aplikimit, që janë: dokument që vërteton trajtimin e aplikantit nga institucionet publike dhe private të përkujdesit shoqëror, nëse është i sistemuar në këto institucione, certifikatën e vdekjes së të dy prindërve nëse asnjë nga prindërit nuk është gjallë. Duhet të ngarkoni edhe vendimin e formës së prerë nga gjykata për rastin e heqjes së të drejtës prindërore të dy prindërve ose njërit prind, kur prindi tjetër nuk jeton (certifikatë e vdekjes për prindin që nuk jeton). Gjithashtu kërkohet edhe vendimi i gjykatës që e deklaron të braktisur fëmijën nga të dy prindërit ose njëri prind kur tjetri nuk jeton (certifikata e vdekjes për prindin që nuk jeton), si dhe vërtetim si i pastrehë nga bashkia përkatëse (për personat mbi 25 vjec). Ndërkohë që tre dokumente të tjera siç janë certifikata familjare certifikata e lindjes së aplikantit, si dhe vërtetimi që tregon se aplikanti trajtohet me ndihmë ekonomike nga njësia administrative (për personat mbi 25 vjec), do të ngarkohen në aplikim nga nënpunësit e shtetit.
Pasi bëhet dergimi i formularit të plotësuar së bashku me dokumentacionin përkatës do të bëhet edhe shyqrtimi i tyre nga komisioni i ekspertëve ku dhe merret vendimi nëse aplikuesi do të pajiset me librezën e përfitimit të këtij statusi. Për rastet në të cilat aplikimet për të përfituar këtë status bëhen për herë të parë vendimi nga komisioni do të merret brenda një afati kohor prej tre muajsh. Ndërsa në rastet e rinovimeve, vendimi do të jetë i menjëhershëm.
“Për rastet e reja të cilat kërkojnë të pajisjen me Librezë Status Jetimi mblidhet Komisioni një herë në 3 muaj, i cili shqyrton dokumentacionin dhe vendos nëse i akordohet ose jo personit përkatës statusi i jetimit. Ndërsa për rastet të cilat janë rinovime, libreza do të përfitohet menjëherë, pasi është shqyrtuar dokumentacioni. Vlefshmëria nga 1 deri në dhjetë vjet për librezat përcaktohet nga komisioni i Shërbimit Social Shtetëror”, sqarojnë ekspertët e shërbimeve sociale shtetërore. Në vijim të aplikimit online ju do të njoftoheni me email për sigurimin e librezës, të cilën do të mund ta gjeni edhe tek seksioni “Dokumentet e mia” që ndodhet në portal.
Statusin e jetimit e përfitojnë personat 0-25 vjeç që plotësojnë këto kritere:
- Janë të lindur jashtë martese
- Nuk kanë gjallë asnjërin nga prindërit
- Rastet kur me vendim të formës së prerë të gjykatës, u është hequr e drejta e të dy prindërve, ose u është hequr e drejta prindërore për njërin prind dhe prindi tjetër nuk jeton
- Janë fëmijë që braktisen nga të dy prindërit dhe nuk u njihet identiteti i tyre.
