Apolitika është karakteristikë që është shpërndarë në mënyrë tejet uniforme në të gjitha shtresat e popullsisë. E gjen si medalje inteligjence në facebook, por e has me të njëjtën vëmendje në të gjitha klasat e shoqërisë shqiptare. Kategoritë që përfitojnë më shumë nga mungesa e politikës në jetën e përditshme sigurisht janë shtresat më të pasura që e lidhin jetën e tyre me përfitimin ekonomik nga gjendja aktuale. Njëfarë aleance të biznesmenëve dhe familjeve të tyre në gjendjen e heshtjes së politikës. E njëjta gjendje mosbesimi me politikën gjen të bashkuar dhe pronarët e tokës të cilët e kanë të qartë në nënndërgjegjen e tyre se politika në sensin e vet të vërtetë do t’u kufizonte jetesën mbi bazat e qerave dhe betonit të hedhur pa kriter në çdo hapësirë të lirë. Mungesa e politikës është karakteristike dhe në oborret e partive kryesore, si pasojë e tendencës popullore për të shmangur të menduarin politik. Kryesisht në ambientet e politikës flitet për çdo gjë veç jo për poltikë. Aleancat e brendshme ngrihen mbi baza sekserllëku, që çon patjetër tek kombinimi në forma kriminale të organizmit. Askush nuk tronditet për numrin e lartë të burrave të besës në themelet e partive.
Mungesa e idelogjive ka çuar më përpara lehtësinë e padurueshme të formimit të një organizate në model partie. Një fjalim i tipit “dhëdhë dhë Bashkimi Europian, dhëdhë dhë integrimi, dhëdhë dhë do luftojmë korrpusionin”, do të mjaftonte për çdo fushatë mediokre politike. Duke mos patur detyrim retorike politike në sensin e vet të vërtetë , baza e gjerë ndërtohet nga grupet e çunave që paraditen e kalojnë duke kërcënuar çdo mashkull që vjen të fusë hundët tek bota femërore e lagjes apo fshatit, pasditen duke mbushur skedina, parkuar keq apo u fryrë me alkol të keq periferie. Kush mund ta pengojë të marrë vota një parti që ofron leje për të zhdukur pyllin përpara syve? Aq më tepër ky premtim i bërë ndaj një popullsie që mjet jetese ka vetëm krahët dhe shpresën që shteti s’do jetë shtet, në mënyrë që pemët të priten pa kriter. Jetohet mirë duke shitur natyrën, nëse vetë nuk ke mbjellë asgjë. Kjo situatë i jep shans çdo partie që të përdorë çdo lloj organizmi, qoftë sportiv apo dhe thjesht gjeografik për të ndërtuar baza elektorale.
Turp dhe t’u kërkojë njerëzve të mos përfitojnë nga këto situata, kur një parlamentar po aq apolitik sa ata vetë jeton në kushte të jashtëzakonshme. Ama demokracia i ngelet në kurriz qytetarit që pranon pagesë ditën e zgjedhjeve.
…
Rreziku që parti të ekstremit të djathtë (sikur të mos mjaftonte PD) të krijohen për shkaqe të terrenit aktual, është shumë i madh. Kushtet ekonomike sa më shumë përkeqësohen , aq më shumë krijojnë hapësira për retorika të cekëta dhe pa asnjë bazë ideore. Rasti i Kreshnik Spahisë, apo partive të Nard Ndokës, atij tjetrit që doli deputet me votat e marra në zonën e Pukës etj, tregojnë se hapësira për abuzim sa vjen e shtohet. Kushti i vetëm që ka bërë më pak të dukshëm këtë fenomen ishte se dy partitë PS e PD vijnë respektivisht me bazë historike apo dhe me anën e simbolikës së zhdukjes së komunizmit. Nëse në rastin e PS kjo histori e gjatë ka konsoliduar një pjesë të mirë të moshave mbi 30 vjeç, Partia Demokratike është akoma peng e karizmës së Berishës. Arsye kjo për të bërë të mundshme dhe një ndarje dhe copëzim në momentin që zotëria në fjalë nuk do të jetë më i aftë të përformojë sipas kërkesave të publikut. Aq më tepër që komunizmi nuk do të jetë përgjithmonë një sistem për t’u zhdukur. Kjo simbolikë historike shumë shpejt do ta humbasë vlerën.
Megjithatë s’ka keqardhje, partitë e mëdha kanë bërë ç’ishte e mundur për të krijuar ndjesinë se politika është ajo që na sjell fatkeqësitë e mëdha, e apolitika do të ishte shpëtimi. Pikërisht kjo teknikë bindëse që solli për kaq kohë përfitime elektorale, mund ta çojë fatin e këtyre grupimeve në drejtimin e kundërt. Mjafton pak, kur nga një parti s’ke as bindje logjike dhe ideologjike, as përfitim ekonomik, as frymëzim artistik , që ta braktisësh. Copëtimi i partive të mëdha me të gjitha gjasat do të ndikonte edhe më tepër tek apolitizmi i jetës në Shqipëri. Nga kjo anë, edhe gjasat që partitë klienteliste të shtohen dhe të forcohen. Pritet nga historia në këtë pikë vetëm fashisti i duhur, njeri me ide të qarta dhe karizmën e atij që ka çdo gjë nën kontroll. Atë ditë apolitika jonë nuk do të jetë vetëm tendencë lezeti në fejsbuk, por der’ atëherë le të jetë vetëm trend snob për t’u përballuar.