Spartak Braho: Apologjia e Gazidedes për krimet e Berishës dhe të SHIK-ut

Ornela

Pasi kemi lexuar raportin që ish-shefi i SHIK-ut, Bashkim Gazidede, njëherësh Gjeneral dhe Komandant i Gjendjes së Jashtëzakonshme, ka mbajtur më 26 mars 1997, në vijim po botojmë pyetjet e deputetëve dhe përgjigjet që u jep Gazidede. Deputeti Spartak Braho paraprakisht më thotë e gjithë kjo seancë e turpshme parlamentare, si raporti ashtu dhe përgjigjet që jep Bashkim Gazidedja janë një apologji e krimit shtetëror në atë periudhë.

E pyes zotin Braho:

– Pse këmbëngulni se, si raporti i Gazidedes në Kuvend, ashtu dhe përgjigjet e pyetjeve që ai u ka dhënë deputetëve të PD-së në seancën e 26 marsit 1997 janë një përpjekje e dështuar për të fshehur krimin shtetëror të 97-s?

– Më habit kjo pyetje që më bëni, Xhevdet. Po a ka ndonjë shqiptar që pas 21 vjetësh nga ajo tragjedi të mendoj ndryshe? E kam thënë dhe e them se ai ishte një krim i përbindshëm dhe i paparë shtetëror që kishte dhe ka vetëm një autor: Sali Berishën. Në raportin që dha Gazidedja atë ditë, gjoja i thirrur në interpelancë, si dhe në përgjigjet që ai u ka dhënë deputetëve po atë ditë, kishte vetëm një qëllim: të bënte apologjinë e krimeve të Sali Berishës dhe të SHIK-ut, të largonte përgjegjësinë për katastrofën nga regjimi fashist i Berishës tek shërbimet e huaja sekrete, duke implikuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Kjo mund të duket e çuditshme dhe mbase e tepruar për ata të rinjtë që kanë lindur pas vitit 1997, por jo për shqiptarët që e kanë përjetuar maksimalisht atë klimë terrori të pashembullt, që kanë humbur njerëzit e tyre më të shtrenjtë nga plumbat e Saliut dhe torturat e SHIK-ut të Gazidedes…

– Pse jeni kaq i bindur për këtë?

– Fare thjesht: Lexo raportin që dha Gazidedja atë ditë dhe përgjigjet e tij. Asgjëkundi nuk përmendet Sali Berisha që ishte shkaktari kryesor i tragjedisë. Pse, do të më pyesni ju? Po ishte Sali Berisha që e kishte hartuar atë raport, në mos ai, sejmenët e tij, ku ndër më kryesorët në mos më kryesori ishte Bashkim Gazidedja. Ky shef i SHIK-ut pranoi të gradohej gjeneral dhe të merrte përsipër detyrën e komandantit të gjendjes së jashtëzakonshme. Si në raport, ashtu dhe në përgjigjet që ai u jep deputetëve ai përpiqet të argumentojë dhe e nxjerr SHIK-un qelibar, si një strukturë nga më të devotshmet për të mbrojtur demokracinë. Këtë e bënte në një kohë që SHIK-u krahasohej me Gestapon e Hitlerit. Pse nuk i dinë shqiptarët krimet e SHIK-ut që janë bërë me urdhër të Gazidedes dhe Berishës?

– Sidoqoftë, zoti Braho, më bëjnë përshtypje disa nga pyetjet e deputetëve demokratë të asaj kohe. Fjala vjen pyetja e Pjetër Arbnorit. Brenda asaj pyetjeje unë lexoj edhe një përgjigje. Arbnori nëpyetjen e tij thotë: “Mundësisht na flisni për qëndrimet e sotme të qeverisë greke, të kryeministrit Simitis, i cili ka mbajtur qëndrim korrekt në deklaratat e tij për gjendjen në Shqipëri”. Në të vërtetë me qeverinë Simitis ne nuk kemi pasur probleme, apo jo?

– Po është e vërtetë. Pjetri ka qenë gjithnjë një ndër njerëzit më të arsyeshëm dhemb të matur në atë parti. Ai ka mbajtur edhe qëndrime kundër partisë së tij. Pyetja e tij është e kësaj natyre, pra që nuk e ka bindur se tragjedia e vitit 1997 ishte tërësisht vepër e qarqeve të huaja, sidomos atyre greke. Ai lë të nënkuptohet se në radhë të parë kemi një përgjegjësi të brendshme.

– Të tilla janë dhe pyetjet e deputetëve Abdyl Xhaja dhe Hasan Halili. Duket se ka një frymë qortimi dhe pakënaqësie për punën e SHIK-ut,apo jo?

– Keni të drejtë. Është e vërtetë se ata nuk mund të dilnin hapur kundër Berishës në atë kohë, as kundër Gazidedes,sepse pas Gazidedes ata shikonin Berishën. Por janë disa deputetë që kanë mbajtur qëndrim parimor dhe e kanë pësuar më vonë nga Berisha. Kjo do të thotë se ka pasur edhe njerëz me mend brenda asaj partie… Shikoni se sa me marifet Gazidedja godet Safet Zhulalin si përgjegjës për shkatërrimin e ushtrisë. E akuzon për dezertimin, kur vetë në mënyrën më të paturpshme, pasi i shërbeu deri në fund Saliut, ia mbathi, duke mbajtur mbi shpinë krime të shumta…

Përgatiti për botim Xhevdet Shehu

 

Vijon nga numri i kaluar (Lexo KETU)

Përgjigjet e pyetjeve nga z. Bashkim Gazidede në seancën e datës 26.3.1997

Do të përpiqem t’u përgjigjem pyetjeve që më janë adresuar në lidhje me fjalën që mbajta.

Së pari, zoti Ali Spahia pyet: A ka dijeni organi i SHIK-ut për gjendjen në ushtrinë shqiptare gjatë muajve të fundit dhe sidomos për aktivitetin e ish-ministrit Zhulali, për rolin e tij në revoltën e armatosur dhe ku ndodhet ai tani e çfarë aktiviteti zhvillon? Dhe pyetja e dytë: A ka të dhëna SHIK-u për aktivitetin e shovinistëve serbë ndaj Shqipërisë?

Përgjigje: SHIK-u, me ligj, nuk lejohet të ndërtojë punën në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Ministrisë e Brendshme, të cilat kanë dy shërbime të tyre, që quhen përkatësisht SHIU dhe SHIR-i dhe që varen nga ministrat përkatës. Natyrisht, për të gjitha problemet që i dalin SHIK-ut në veprimtarinë e tij dhe që lidhen me këto ministri, u raporton ministrave përkatës, u dërgon informacione dhe në raste të veçanta ndërton edhe punën e përbashkët me shërbimet përkatëse. Për të gjitha të dhënat që na kanë dalë në lidhje me problemet e ushtrisë, ne ia kemi dërguar informacionin me shkrim ish-ministrit të Mbrojtjes. Nuk mund të pretendoj që e njihja këtë gjendje të ushtrisë shqiptare.

Se çfarë roli ka ish-ministri Zhulali në këtë revoltë, nuk e them dot me siguri, por gjatë kohës që kam qenë komandant operacioni, mund të them se ushtria shqiptare nuk vuri në dispozicion të këtij operacioni pothuajse asgjë dhe në këtë kuptim natyrisht që nuk mund të shmanget nga përgjegjësia edhe zoti Zhulali si ish- ministër, i cili kishte drejtuar reformën në ushtri dhe që në fund të fundit i kishte lënë në mëshirën e fatit të gjitha depot e armatimit të ushtrisë, ashtu siç nuk dua të shmang as veten nga përgjegjësia për ngjarjet që jeton sot Shqipëria.              1

Për zotin Zhulali di që është jashtë shtetit, kam dëgjuar që është larguar nga Durrësi dhe ka shkuar në Itali, por nuk di se ku ndodhet sot dhe çfarë bën.

Përsa i përket pyetjes së dytë të zotit Ali, SHIK-u ka të dhëna për aktivitetin e serbëve në drejtim të Shqipërisë. Nuk besoj se është as vendi, as koha që të prononcohem për këtë problem. Natyrisht, synimi i tyre është antishqiptar.

Zoti Pjetër Arbnori pyet: Ju na folët për plane të kaluara të qarqeve vorioepirote, që synonin copëtimin e Shqipërisë. Mundësisht na flisni për qëndrimet e sotme të qeverisë greke, të kryeministrit Simitis, i cili ka mbajtur qëndrim korrekt në deklaratat e tij për gjendjen në Shqipëri.

Përgjigje: Në material nuk akuzoj qeverinë e sotme greke për situatën në Shqipëri, njëkohësisht nuk kontestoj as politikën e kësaj qeverie për stabilitetin në rajon.

Zotërinjtë Abdyl Xhaja dhe Hasan Halili i kanë pyetjet të përbashkëta.

Pyetja e parë: Pse informohet për herë të parë në Parlament nga ju dhe pas 5 vjetëve veprimtari?

Përgjigje: Natyrisht, unë raportoj në Parlament në atë kohë që më thërret Parlamenti. Jam thirrur edhe herë të tjera për probleme të ndryshme tematike, kam ardhur dhe kam raportuar. Sot u kërkova për të raportuar për gjendjen në Shqipëri dhe po raportoj. Nuk jam unë ai që vendos se kur duhet të vij në Parlament e për çfarë duhet të raportoj.

Pyetja e dytë: Informacioni që jepni sot, gjykoni se i shërben stabilizimit?

Unë gjykoj se sot çdo shqiptar duhet të bëhet i ndërgjegjshëm për rrezikun që i kanoset Shqipërisë, çdo shqiptar duhet të harrojë e t’i kapërcejë dallimet politike përballë kësaj situate, kur cenohet integriteti i Shqipërisë. Unë mendoj se njohja e kësaj situate i shërben stabilitetit të Shqipërisë, ndihmon Qeverinë e Pajtimit Kombëtar dhe sa më i ndërgjegjshëm të bëhet çdo shqiptar, aq më i lehtë është edhe përballimi i situatës.

Pyetja e tretë: Për sa informohet sot, cili është mendimi i vendeve të Bashkimit Evopian dhe të SHBA-së, me të cilët ju keni bashkëpunuar në luftë kundër krimit të organizuar dhe trafikut?

Probleme të kësaj natyre në marrëdhëniet që unë kam pasur me shërbimet e tjera, i kam diskutuar disa herë. Se cili është qëndrimi i atyre, nuk mund ta shpreh unë, nuk mund të bëhem unë zëdhënës i asnjë shërbimi të huaj, përveçse i këtij shërbimi që kam drejtuar unë. Ato kanë format e tyre dhe i shprehin mendimet e tyre nëpërmjet qeverive të tyre, ministrive të Jashtme, pra nuk mund të shpreh unë mendimet e tyre përpara jush.

 

Zoti Vasil Ndreko ka adresuar dy pyetje. Pyetja e parë: A mos vallë më mirë do të ishte që i gjithë dokumentacioni juaj i seleksionuar për procesin e fajdeve t’i jepej Qeverisë së Pajtimit Kombëtar, në mënyrë që ajo të realizonte plotësisht transparencën për këtë fenomen?

Përgjigje: Materialet që disponojmë për procesin e fajdeve, jemi përpjekur t’i vëmë në dispozicion të Qeverisë së mëparshme dhe mendoj se duhet të jenë të arshivuara në Arkivin e Kryeministrisë dhe që mund të përdoren edhe nga Qeveria e Pajtimit Kombëtar. Përveç kësaj, mendoj që, në qoftë se ka materiale shtesë, ne jemi gati t’ia vëmë në dispozicion edhe kësaj qeverie.

Pyetja e dytë: A ka të dhëna që Zhulali ka qenë një nga lojtarët e skenarit që paraqitët ju dhe në qoftë se po, cilat janë këto të dhëna?

Përgjigje: Natyrisht, nuk kam të dhëna, por gjendja në Shqipëri nuk mund ta shfajësojë Zhulalin, as ndofta edhe mjaft të tjerë; pak a shumë përgjegjësia është e të gjithëve, megjithëse përgjegjësia e tij si ish-ministër i Mbrojtjes mendoj se është e veçantë, por s’kam unë të drejtë ta gjykoj. Unë nuk kam pasur të dhëna që do të ndodhte në ushtri kjo që ndodhi. Natyrisht, fakti që nuk kam pasur të dhëna më ngarkon mua, në radhë të parë, me përgjegjësi. Fakti që u braktisën depot e ushtrisë ngarkon atë me përgjegjësi, në radhë të parë, si ish-ministër i Mbrojtjes, si dhe personat që janë përgjegjës sipas reparteve.

 

Zoti Kasem Dylgjeri pyet: Duke respektuar anën diplomatike të problemit, si shpjegohet që mendimi zyrtar i Departamentit Amerikan të influencohet nga opinionet e lobit progrek në Amerikë?

Përgjigje: Mendoj se s’më përket mua të gjykoj për problemet politike dhe diplomatike, i kalon kompetencat e mia përgjigjja e kësaj pyetjeje.

 

Zoti Kozma Tavanxhi adreson dy pyetje. E para: Si mendoni ju, pse nuk u realizua kjo kryengritje e zonës së Jugut të Shqipërisë, e drejtuar nga qarqe të caktuara greke, në vitet ’90-’92, kur u rrëzua sistemi diktatorial dhe kur përkrahja e qeverisë së Micotaqisit ndaj këtyre qarqeve ishte më e dukshme, por u realizua në vitin 1997, kur sistemi demokratik ishte më i konsoliduar dhe këto qarqe shoviniste greke nuk kanë përkrahje të qeverisë së Simitisit? E dyta: Ka luajtur rol ndërrimi i disa drejtuesve kryesorë në disa vende perëndimore të fuqishme këto vitet e fundit në ngjarjet në Shqipëri dhe në përkrahjen më të vendosur të qarqeve të caktuara shoviniste greke?

Përgjigje: Natyrisht, ky është një problem për t’u analizuar me hollësi, por unë mendoj se në atë periudhë gjendja në Shqipëri nuk njihej siç u njoh sot dhe nuk ishin mjaft kushte të përshtatshme, si fenomeni i fajdeve, që i ndihmuan këto zhvillime. Natyrisht, ky problem meriton ndoshta një analizë të veçantë dhe unë s’mund të pretendoj se jam në gjendje t’i jap përgjigje kaq të shpejtë.

 

Zoti Robert Çeku adreson dy pyetje. Pyetja e parë: Problemet që trajtohen në raportin tuaj i gjykoj tepër delikate për situatën në Shqipëri. A gjykoni se reagimi mund të jetë më tepër negativ sesa pozitiv?

Përgjigje: Është pak a shumë përgjigjja që edhe e dhashë. Unë mendoj se në të gjitha partitë politike ka patriotë, ka shqiptare, siç ka edhe në të gjithë Shqipërinë. Natyrisht, duke kapërcyer dallimet partiake, për integritetin e Shqipërisë mendoj se njohja me situatën luan më tepër rol pozitiv sesa negativ.

Pyetja e dytë: Veprimtaria antishqiptare e disa qarqeve greke dhe greko- amerikane rezulton e dokumentuar nga raporti juaj. Pse nuk e keni denoncuar publikisht më parë dhe pse pikërisht sot?

Përgjigje: Unë mendoj se nuk është detyrë e SHIK-ut për të publikuar materiale. Këto gjëra bëhen në rrugë diplomatike, bëhen në rrugë shtetërore. Unë kam vënë në dijeni instancat përkatëse, pa shmangur, natyrisht, përgjegjësinë që më takon për parandalimin e një situate të tillë. Mendoj se mjaft probleme të tilla janë bërë në një farë mënyre publike qoftë me gjyqin e 5 shtetasve shqiptarë me kombësi greke, qoftë edhe në raste të tjera. Ata që e kanë ndjekur me vëmendje, besoj se kanë pasur mundësi të njihen me një rrezik të tillë.

 

Zoti Alush Shima pyet: Si qëndron fenomeni “Zhulali” në problemin që ngrihet nga ju?

Përgjigje: Ndoshta koha do të jetë ajo që do të qartësojë pozicionin e tij. Thashë që s’jam unë as prokuror, as gjykatës që të them se cila është përgjegjësia e tij konkrete, por përgjegjësi mendoj se ka.

 

Zoti Agim Fuga më adreson tri pyetje. E para: Mos vallë sot ne paguajmë faturat e tolerancës sonë lidhur me të ashtuquajturin problem të vorioepirit?

Përgjigje: Mendoj se në përgjithësi ka pasur tolerancë gjatë periudhës së qeverisjes katërvjeçare. Nuk po them se toleranca është e dëmshme, natyrisht ajo duhet të jetë, por jo në zbatimin e ligjeve. Mendoj se në zbatimin e ligjeve ka pasur tolerancë, nuk u arrit ndoshta, sipas mendimit tim, të krijohet bindja se ligjet janë të detyrueshme për të gjithë dhe duhen zbatuar pa asnjë hezitim. Vetë demokracia s’është gjë tjetër vetëm se një sistem ku zbatohet me rreptësi ligji dhe ku përjashtohen veprimet arbitrare. Them që ndoshta këtu ka pasur diçka për të rregulluar.

Pyetja e dytë: A nuk do të ishte më efektive që ky raportim të ishte bërë më parë dhe jo sot në këtë gjendje të krijuar, kur ne analizojmë pasojën?

Përgjigje: Ndoshta po.

Pyetja e tretë: Thëniet e zotit Nikollas Bërns se “ne nuk do të lejojmë shpërbërjen e shtetit shqiptar”, mos vallë lë të nënkuptohet e kundërta?

Përgjigje: S’më takon mua të gjykoj për problemet politike, as të komentoj të tilla deklarata.

 

Zoti Hysen Selfo më adreson dy pyetje. E para: Nga raporti që paraqitët, deklaruat se për të gjithë aktivitetin tuaj dhe veçanërisht për veprimtarinë antikombëtare keni lajmëruar ose vënë në dijeni institucionet përkatëse. Dua të di: çfarë përgjigje kanë marrë dhe në rast se kjo ka munguar, si keni vepruar ju?

Përgjigje: Unë nuk mund të pretendoj se puna e SHIK-ut ka qenë e përsosur. S’përjashtoj veten dhe as punonjësit e mi nga përgjegjësia që kemi edhe ne për gjendjen e krijuar sot, ashtu siç duhet të nxjerrin përgjegjësi të gjithë politikanët shqiptarë për këtë gjendje, të të gjitha partive politike, mendoj unë. Pastaj, se cili e ka më të madhe apo më të vogël përgjegjësinë, ndoshta koha do ta tregojë. Duhet të dini një gjë, që SHIK-u është shërbim informues, është institucion informues, nuk ka kompetenca ekzekutive, nuk ka të drejtë të arrestojë persona, nuk ka të drejtë të bëjë veprime të kësaj natyre: ekzekutive, po e përsëris, dhe unë mendoj se puna e SHIK-ut mbaron me informimin që u bën instancave përkatëse.

Pyetja e dytë: Në lidhje me firmat rentiere që falimentuan, ju kishit shumë të dhëna ose informacione. Atëherë, pse nuk vepruat në bashkëpunim me organet kompetente për të parandaluar aktivitetin e tyre?

Përgjigje: Thashë që detyra e SHIK-ut është informimi dhe mendoj se informimi nuk u ka munguar mjaft instancave. Për shembull, e kisha edhe në material, por harrova ta lexoj, që ne kemi pas shkëmbyer informacione sistematike me Guvernatorin e Bankës për këto probleme për një periudhë jo të shkurtër. Megjithëqë në fund të fundit nuk ishte detyrë e SHIK-ut, ne kemi denoncuar firmën “Arkond” dhe përfaqësuesit e kësaj firme ishin të arrestuar të paktën për një kohë të gjatë pikërisht për mashtrime të kësaj natyre. Ne kemi denoncuar gjithashtu fondacionin “Xhaferri”, megjithëse s’ishte detyra jonë për të hapur procese gjyqësore për ta.

Natyrisht, besoj se nuk kemi bërë gabim për këto, por pothuajse në të gjithë botën demokratike prokurorët hapin çështje kryesisht për probleme që mendojnë se s’janë në rregull. Unë mendoj se vënia në lëvizje e drejtësisë do të kishte qenë një ndër rrugët më efikase për këtë qëllim, Prokurorët duhet të kishin marrë iniciativën që të hapnin çështje penale për këto probleme, se pothuajse të gjithë shqiptarët i kanë njohur që ishin firma mashtruese, të gjithë shqiptarët e kanë kuptuar që po luajnë bixhoz me paratë e tyre, por që fatkeqësisht çoi pastaj në këtë përfundim. Bile kur kemi denoncuar ata të firmës “Arkond”, jemi akuzuar në gjithfarë mënyrash prej shtypit shqiptar sikur po ndërhynim në probleme që s’na takonin.

 

Zoti Isa Sinani drejton dy pyetje. E para: Cili ka qenë pozicioni i ish-ministrit të Mbrojtjes, Safet Zhulali, me agjenturat e huaja, kur dihet që ishte ai i pari që u evakua jashtë shtetit?

Përgjigje: S’kemi pasur ndonjë të dhënë konkrete për këtë gjë dhe s’mund të them gjë me përgjegjësi. Natyrisht, veprimi i tij është i rëndë. Rezultoi që reforma që ai bëri në ushtri, nuk qe efikase, ose qe e dështuar.

Pyetja e dytë: Shumë politikanë të opozitës shqiptare kanë bërë thirrje: “0 burra, rrëmbeni armët, ja vdekje, ja liri!” dhe sot ata u ulën në tryezën e partive me Presidentin. Cila është lidhja e tyre me agjenturat e huaja?

Përgjigje: Në bazë të ligjit “Për Shërbimin Informativ Kombëtar”, ne nuk ndjekim dot ministra, deputetë, kryetarë partish politike etj. Nuk kam ndonjë të dhënë konkrete dhe mendoj se nuk është këtu vendi ose sot për të gjykuar për këtë problem.

 

Zoti Jemin Gjana bën tri pyetje. E para: Cilat janë infiltrimet e kësaj veprimtarie antishqiptare në klasën e sotme politike shqiptare?

Përgjigje: Nuk e shoh të arsyeshme të përgjigjem për këtë pyetje.

Pyetja e dytë: Cili është implikimi i ministrit të Mbrojtjes në këtë veprimtari dhe a dispononi të dhëna se ku gjendet ai tani?

Përgjigje: Mendoj se pak a shumë është dhënë përgjigjja për këtë pyetje.

Pyetja e tretë: Si e komentoni paralelizmin e deklaratës së një tryeze të rrumbullakët, dhënë dje në Televizionin Shqiptar, mes oficerëve të Sigurimit dhe oficerëve të SHIK-ut?

Përgjigje: Unë e shoh si tendencioze atë lloj deklarate. Oficerët e SHIK-ut nuk mund të krahasohen në asnjë plan me oficerët e Sigurimit të Shtetit. Në qoftë se oficerët e Sigurimit të Shtetit, për një arsye ose një tjetër, mbajnë mbi supe krimet 50-vjeçare që janë bërë në Shqipëri, asnjë përgjegjësi të tillë nuk kanë oficerët e SHIK-ut sot. Ata kanë punuar në bazë të një ligji të Parlamentit Shqiptar, kanë punuar në kuadrin e një shteti demokratik, veprimtaria e tyre është në një farë mënyre e dokumentuar dhe e kontrollueshme.

E përsëris edhe një herë që nuk ka oficerë të SHIK-ut kriminel dhe ata që përhapin thashethemet janë pikërisht personat e inkriminuar, personat që, në një formë ose një tjetër, janë kundër stabilitetit në Shqipëri dhe të interesuar ta paraqesin SHIK-un si të barabartë me Sigurimin e Shtetit. Nuk mund të jenë kriminelë ata studentët e dhjetorit, shumica e të cilëve kanë punuar në SHIK. S’mund të krahasohen punonjësit e SHIK-ut për nga formimi i përgjithshëm kulturor e arsimor me oficerët e Sigurimit të Shtetit, që kanë mbaruar një shkollë sigurimi, u kanë mësuar metodat ruse të trajtimit të njerëzve dhe veprat e shokut Enver. S’mund të krahasohen në asnjë plan. S’mund të krahasohen veprimet arbitrare që bënin punonjësit e Sigurimit të Shtetit me veprimet ligjore që kanë bërë punonjësit e SHIK- ut. As unë nuk e krahasoj veten me asnjë drejtues të Sigurimit të Shtetit. E kaluara ime mendoj se është krejt e ndryshme nga ata. Kam punuar mësues dhe pedagog në Universitet. S’mund të më akuzojë asnjë njeri as për hajdut, as për kriminel. Kush të ketë ankesa, le t’i bëjë publike, që t’u përgjigjem dhe unë publikisht.

Natyrisht, ajo deklaratë ka të bëjë me faktin që oficerët e Sigurimit të Shtetit shkuan të rregullojnë rendin dhe qetësinë tani në polici, meqenëse nuk u pranuan andej nga Ministria e Brendshme. Tani përkrahësit e tyre duan të bëjnë paralelizëm me SHIK-un, që s’mund të bëhet kurrë.

(Vijon numrin e ardhshëm)

Share This Article
6 Comments
  • Semuindja e konvertimit i mori shpirtin popullit.Degjeneroi vendin ne Mysybet!!!

    Pytje pergjigjet jane pordha te paralamentit sepse ne vend ti viheshin qe ne ate moment hekurat Berishes.Parlamenti e rizgjodhi per se dytit here President.
    Kur ky president me detyre komandant i pergjitheshem i forcava te armatosuna e kthej(konvertue) veten ne komandant i pergjitheshem i forcave te caramatosuna.Skrumoci ushtrine i vuni pushken popullit kryesisht te Vlores qe nuk ishte i kenaqun.E per tu kenaq ngriti dhe dy avion per ti bombardue nga qielli.Fal patriotizmit te dy pilotve iu shmangen urdherit te krimit dhe dezertune ne Itali.
    Cfare duhet te te dime.Te gjitha i dim,te gjitha i ndjekme ne ato kuvendet te cburrnimit qe nuk doli nji burre ta bante zap shthurjjen e shtetit.
    Krimi i 1997 ishte rreforma e fundit e planifikume nga agjentura Serbe qe i kishte vue detyre drejtuesve te shtetit Shqiptare.
    1.Shkatrrimin e gjendjes ekonomike te vendit.Autori i zbatimit Ramiz Alija duke pague me rroge te plot cdo punonjes e punetor deri mbi 85 % te pages pa krye asnji minut pune e prodhim.Kjo piramida e pare,tue mos fut gja ne buxhet por vetem tue mjel,nga ato qe do lulezonin ma vone ne te ardhmen.
    Se dyti: Berisha me te marr detyrat udheheqese te vendit ne krye te presidences Shqiptare.Shkrumoci Sigurimin e shtetit me pinjoll te ri qe s’ia kishin haberin detyres se sigurise se vendit.
    Etreta dhe e fundit kjo qe lexojme tashti po qe u krye ne ate kohe te vitt 1997 me shkrumocjen dhe te ushtrise.Kur nji njeiri ne Shkoder mbante prone te veten nji tank per te mbrojtur lagjen apo mahallen.
    Ne fund du ta mbyll:Merreni me mend sikur keto te baheshin nen hundet e Enver Hoxhes.Cfare do behesh ne te vend.Kaq mjafton te dim e te vlersojme se keto hijena burra kuvendtar ishin te gjithe te dhjere ne brekushe sa ishte gjalle diktatori.Me tu shue,minjet hidhnin valle trimerie ma te forta se sa vallet kreshinke te Osman Takes.

  • Banda e Berishës ka funksionuar në një atë kohë si një sahat zviceran, por gënjeshtrat i kanë këmbët e shkurtra. Tani të dashur komentues kemi një bande tjetër, bandën socialiste qe ropat popullin me taksa evropiane dhe me rrogë afrikane që ata fitojnë.

  • Gazidede e beri Shikun vegel qorre te Berishes komplet, as Sigurimi nuk ishte aq i varrur sa SHIKU malok i Gazidedes, nje tmerr i vertete per qytetaret u largua nga vendi se duhet te shkonte ne burg per krime por Nano bytha e la jashte edhe ate edhe Shefin e tij psikopat e te shitur Berishen,Krime ndaj Shqiperise nder me te rendat ne historine e saj dhe edhe sot keta te tjeret bejne si zogj pule ndaj tradhetarit te kombit Berisha, si duket jane ne te njejten rruge, Nano po e po e tregoi por edhe keta te sotmit njesoj.Nuk dij ne bote nje udheheqes qe ka shkateruar vendin si Sali Berisha, ka vrare mijra vete duke shkateruar shtetin bashke me ushtrine, policine burgjet e gjithcka.Nese gjeni ne bote nje udheheqes te tille qe nuk eshte denuar me thoni se je kot.

  • Ofendim,injorim dhe tallje me te madhe per popullin shqiptar qe humbi mijra djem te rinj per asgje ,nuk mund te kete.
    Ju te pacipe ,mos na tregoni gjurmet por UJKUN-Sali dhe kukllat e tij.Krim me te madh,tradheti mete madhe s’mund te kete.
    Te behet gjyq popullor,te gjykohen te gjithe dhe te shkojne ne litar.N.q.s. doni te shkojme ne demokraci.

  • Gradimi gjeneral dhe marrja e pozicionit te shefit te operacint nga ana e z. Gazidede si kryetar i SHIKUT nuk ka ndodh dhe nuk mund te ndodh ne asnje vend te botes sepse eshte antikushtetuese. Dhe ketu mbaron filmi. Te gjitha qe vijuan me pas dhe qe i vuajti populli e kane fillin tek ky veprim antikushtetues qe e mori persiper ky sharlatan me emrin Gazidede.

  • Kjo puna e fajsimit të disa personave qeverisës të vendit si të lidhur me ndoni shërbim të huaj ma shum është sindrom ballkanik se reale Salih Berisha të denohet si i pa kokërr përgjegjsie në qeverisje ku e shembi shtetin presedan i pa parë në Europë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *