Apolonia nuk “lëshon pe”, për pak befason Tiranën

redaktor

Quhet kompeticioni i surprizave dhe një të tillë të hidhur ishte duke e provuar për pak edhe Tirana. Pretendentët e titullit barazuan 2-2 në çerekfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë përballë Apolonisë, që kryesonte 2-0 në përfundim të pjesës së parë. Për ndeshjen e parë, quhej në shtëpi por luhej në Krujë për shkak të mungesës së infrastrukturës sportive në kryeqytet.

Magani prezantohej me shumë linja të dyta, duke nisur që nga porta ku luante Edvan Bakaj ndërsa në sulm i besonte dyshes Hajmali të Kupës Morina – Bushic, ndërsa te Apolonia, Mërgjyshi mbante premtimin për të respektuar kompeticionin duke mos i kursyer nga minuta e parë Dimon, apo Ribajn.

Rasti i parë për Tiranën me Bushic që u prezantua para portierit, por me bardhëblutë që e morën lehtë dominoi freskia dhe agresiviteti i Apolonisë. Në minutën e 30 Uzuni tërhoqi pas vetes në zonë gjithë mbrojtjen kryeqytetase duke dhënë asistin e artë për Ribajn që i vetëm nuk e pati të vështirë të kolaudonte goditjen fatale për Tiranën. Apolonia në avantazh dhe fierakët vijuan të ishin agresive me Uzunin që vetëm dy minuta më vonë vuri sërish në provë Bakajn.

Ishte pikërisht portieri i dytë i Tiranës ai që vuante më shumë iniciativën në krahun e Apolonisë si në harkimin e Uzunit në minutën e 37, dhe menjëherë më pas Magani nxitoi të bënte korrigjimet duke futur në lojë njeriun e 2015 bardheblu, Selemani Ndikumanën që zuri vendin e Hyshmerit.

Megjithatë, sikletet e Tiranës nuk ishte e thënë të mbaronin me futjen në fushë të afrikanit pasi Uzuni ndëshkoi sërish në minutën e 45-të. Talenti 19-vjeçar nga Berati shfaqi sërish klasin e tij me një goditje spektakolare që i dërgoi bardheblutë në disavantazhin e dy golave në dhomat e zhveshjes.

Magani vijoi nxjerrjen nga sënduku të xhevahirëve bardheblu duke futur në lojë dhe Kërçikun në vend të Bakajt me fantazistin që u bë protagonist menjëherë në minutën e 47 me goditjen e tij. Në minutën e 49-të, 22-vjeçari avancoi i vetëm në krah për të ndëshkuar me goditjen e tij Miçon duke rihapur lojën për t’u zhbllokuar sërish në Kupë.

Edhe pse Tirana fitoi potencë në pjesën e dytë Apolonia mbetej gjithmonë e rrezikshme në kundërzbritjet e saj, me bardheblutë që arritën të risjellin ekuilibrin në minutën e 66. Bushic ftoi në goditje Karabecin që nuk u mendua dy herë për të ndëshkuar sërish Miçon. 2-2 me Tiranën që filloi të qartësojë dyshimet e ngritura nën mjegullnajën që e rrethoi gjatë një pjese të parë nën tonus në Krujë.

Bardheblutë shënuan sërish në minutën e 74 por me golin e Morinës që u anulua me të drejtë për shkak të pozicionit jashtë loje, ndërsa në minutën e 91-të Uzuni mund të kishte vënë në kornizë paraqitjen e tij fantastike me golin e fitores për Apoloninë, por këtë herë 19-vjeçari gaboi dhe gjithçka u mbyll në barazim 2-2. Për të prekur gjysmëfinalet, bardhebluve do t’ju duhet të fitojnë në Fier, përballë një Apolonie të tillë, misioni nuk duhet aspak i lehtë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *