Apoteoza e një qyteti

Leda Hysa

Moikom Zeqo

(DURRESI NË MIJEVJEÇARË)

Dëshmitë shumë të rëndësishme të kulturës prehistorike, të zbuluara në Durrës dhe në rrethinat e tij, ato të kulturës antike, si dhe të kulturës së herëshme shqiptare e më vonë, nuk janë aspak pa lidhje dhe vijimësi nga njëra tjetra.

Përkundrazi, duke mos qenë pasim dhe përcjellje mekanike e njërës etapë në tjetrën, ato plazmojnë në unitet, një histori të tërë, me një zhvillim të brëndshëm, (pa mohuar këtu edhe ndikimet e kulturave të lashta mesdhetare, lindore e përëndimore,) të përfshirë në një hapësirë gjoografike të caktuar, hapësirë që zë afërsisht atë që quajmë sot Shqipëri të Mesme, hapësirë që asnjëherë nuk ka qenë në vetvehte, por e ndërthurur me tërë trevat iliro-shqiptare.

Pikërisht në këtë hapësirë pozicionale të rëndësishme, për të cilën po flasim, dhe që ka përbërë në një farë mënyre edhe rrethinat e horën e Durrësit antik e mesjetar, spikat me një peshë të dorës së parë roli i këtij qyteti, si një nga qëndrat e lashta e më të mëdha të krejt botës Adriatiko-Mesdhetare.

Durrësi është qyteti më i vjetër i Shqipërisë dhe i tere bregut lindor te Adriatikut.

Veglat prej guri të neolitit, objektet e periudhës së bronxit flasim për egzistencën e jetës njerëzore e të fiseve vëndase ilire qysh në herëshmëri.

Gjetja kohët e fundit të qeramikës së pikturuar të quajtur “qeramikë devollite” e bën Durrësin si skajin më verior të gjetjeve të kësaj qeramike që dokumenton tashmë një formim të etnosit ilir e të një vetzhvillimi të rëndësishëm.

Janë zbuluar gjithashtu edhe elementë të kulturës paraqytetare, jo vetëm brënda territorit që zë sot qyteti, por edhe rreth e qark tij, sidomos të një lulëzimi të kulturës së periudhës të quajtur arkaike të shekujve VIII e VII para erës sonë.

Sipas kronikës, Durrësi u themelua nga dorët në vitin 627 para erës së re, natyrisht mbi bazën e një vendbanimi ilir të formuar shumë më parë dhe është një fakt se elementi ilir ka dominuar në jetën e këtij qyteti, jo vetëm për arësye të lidhjes së ngushtë jetësore e të domosdoshme me rrethinat ilire, por edhe për të ardhmen historike të qytetit, të zhvillimit e të mbijetesës së tij me këto rrethime.

Në shekullin e VI para erës së re Durrësi fuqizohet aq shumë sa që mund të luajë rolin e një metropoli, të qytetit mëmë. Është tashmë ai që krijon një qytet bir: Apolloninë.

Durrësi zgjat shumë rreze lidhjesh të ndryshme, ekonomike, kulturore, monetare, me një areal të gjërë. Kështu ai përveç Apolonisë lidhet më vonë me Lisin (Lezhën), qytetin Brysakion, (me këtë qytet indentifikohen rënojat e muret e Persqopit të sotëm), me qytezën Denda, (që duhet kërkuar në Kepin e Rodonit), me qytetin e vjetër të taulantëve Sesaretin, (të pagjetur deri tani), me qytetin Arnisa (arkeologët mendojnë se duhet të jetë në fshatin Babunjë e Re të Lushnjes), me një qytezë ilire, që nuk i dihet emri në gërmadhat antike të Zik-Xhafajt, etj, të cilët mund të quhen edhe si qytete asteroide të qytetit të madh e kryesor Durrës.

Në shekullin e IV para erës sonë Durrësi kthehet në një kryeqëndër e Shtetit Ilir.

Kryeparët e taulantëve ilirë si Glaukia, Monuni e Mytyli, rreth Durrësit, i organizojnë dhe i përqëndrojnë forcat e masave ilire.

Iliriciteti i Durrësit pohohet qartë sidomos në shekujt III e I para erës sonë nga gurët e shumtë mbivarrorë ku janë skalitur emrat ilirë – një repertor onomastik me vlera të veçanta.

Studimi i tyre jep ndihmesë konkrete për ilirologjinë e etnogjenezën e popullit tonë.

Gjatë sundimit romak Durrësi nën “vernikun” e “lëkurën e hollë romake”, siç është shprehur me të drejtë një dijetar, ruajti në shumë aspekte traditat vendase, vazhdimësinë e kulturës autoktone pararomake, që natyrisht në situatat e reja historike fitoi e zhvilloi shprehi të reja.

Në shekullin e II të erës sonë Durrësi përjeton një zhvillim të ri të dukshëm.

Ndërtohen kryevepra arkitektonike të tilla si ujësjellësi, amfiteatri, termat (banjot publike) etj.

Ky zhvillim është rezultat i drejtëpërdrejtë i lidhjes gjenetike të Durrësit me qerthullin ilir, me fuqizmin e pastokës e rrethinave ilire.

Raporti i qytetit me këto rrethina nuk ka qenë thjesht hapësiror e gjoografik, por para së gjithash ekonomik, politik e kulturor.

E theksojmë posaçërisht këtë, se ky raport nuk humbet, por trashëgohet nga antikiteti në mesjetë, nga një epokë në tjetrën.

Në shekullin e II të erës sonë me një qendër të tillë të përmëndur ilire si qyteti Albanopolis (Qyteti i Albanëve), i fisit ilir, për të cilët flet Ptolemeu, si dhe pranë fisit ilir të parthinëve që bënë emër në historinë politike me kryengritjet e tyre kundër romakëve.

Në shekullin e IV të erës sonë Durrësi ndjen gjithashtu, si tërë viset ilire, krizën e rendit skllavopronar dhe të rënies së perandorisë romake.

Durrësi del nga periudh e sundimit romak pa i tretur tiparet e tij.

Teza tendencioze e Ugolinit dhe e Sestierit e gjoja romanizimit të plotë të qytetit, (“ishull romak në detin ilir”), është ballafaquar e ka humbur çdo mbivlerësim nga faktet arkeologjike e dija.

Zbulimet e begatëshme në qeramikë, herakota, riti i varrimit, veglat, monumentet skulpturore etj, vërtetojnë se kultura ilire në Durrës nuk qe një enklavë e vetmuar nga mjedisi e pastoka ilire, por një degë e pashkëputur e trungut ilir, pamvarësisht se kjo kulturë dyrrahase në aspektin lokal përshkohet edhe nga kulturat e tjera fqinje të Mesdheut.

Pikërisht me këtë trashëgim na paraqitet Durrësi në antikitetin e vonë.

Por në epokën e re historike ky trashëgim pëson ndryshime, humbje të disa tipareve e zhvillimin e disa tipareve të tjera, që shpesh janë edhe cilësisht të reja. Viset e qerthullit të Durrësit ndahen nga antikiteti përmes shqetësimeve e luftrave të pandërprera.

Tipik për këtë është fakti se për të shtypur kryengritjen tronditëse të taulantëve në vitin 395 perandori Honor përdori mercenarë visigotë e se rezistenca e viseve ilire ka një lloj kompaktësie.

Në shekujt IV e VI duket kjo kompaktësi në fushën ekonomike e kulturore në trevat rreth e qark Durrësit.

Nga materiali arkeologjik i përftuar në një varrezë të Malit të Robit kanë dalë në dritë vegla zejtarësh që përdoreshin në shekullin e IV e që lidheshin me punimet bujqësore e ekonominë fshatare, ku shpërbëhen marëdhëniet e vjetra për të ecur drejt marëdhënieve të reja të rendit feudal, dukuri kjo që do të konsolidohet më pas.

Në shekujt V e VI Durrësi s’e ka humbur aspak rëndësinë e tij siç ka ndodhur me shumë qëndra qytetare antike.

Ndryshe nga Apolonia, Bylysi, Amantia, Foinike, Antigonea, që e mbyllin përfundimisht historinë e tyre antike, Durrësi mbijeton akoma si një kryeqëndër. Monumentet e mëdha arkitektonike që ruhen nga shekulli i VI si sistemi kështjellor, kolektori dhe kanalet higjeno – sanitare, bazilikat etj, flasin për fuqinë në rritje ekonomike e pushtetore të Durrësit.

Mendimi i Leon Hezeit, se rrethoja e periudhës bizantine duhet të ruajë diçka nga rrethoja më e lashtë u vërtetua tani, me gjetjen pranë  ish Shtëpisë së Pionierit në Durrës, të një trakti muri më të lashtë disa shekuj se mbistruktura e shekullit të VI.

Kjo do të thotë se në antikitetin e vonë Durrësi trashëgon në vija të përgjithëshme një situatë urbanistike të përcaktuar të traditës.

Zbulimi këto vitet e fundit të disa monumenteve arkitektonike të kultit që i përkasin shekullit të VI si bazilika e gjetur dikur nga Leon Reji në I924 në qëndër të qytetit, poshtë kuotës ’59, apo e bazilikës monumentale të Arapajt, flet për një kulturë ndertimore të lartë.

Në këto ndërtime nderthuret kultura e vjetër antike me paleo-kristianizmin, paganizmi me fenë e re moniste. Kjo duket qartë në mozaikët befasonjës të bazilikës së Arapajt, mozaikë me vlera të mëdha historike e artistike. Mendojmë se këta mozaikë, për nga lirëshmëria e trajtimit kompozicional e nga motivet ende të panështruara një kanunizimi hieratik e të reptë të kishës e ikonografisë, duhet ti përkasin si kohë periudhës së sundimit të perandorit të Bizantit, me origjinë nga Durrësi, Anastasit (49I-5I8), i cili ishte përfaqësues i një sekti heretik, (monofyzëve), që toleronte dogmat fetare.

Ndërtimet e karakterit qytetar, siç janë hipodromi i qytetit (i pagjetur ende) pretoriumi e monumente të tjera venë në dukje pozitën e rëndësishme të qytetit si nyje transporti e nderlidhjeje si dhe administrative.

Arti i gdhëndjes së kapiteleve, i disa relieveve, si dhe i një koke burri në gur gëlqeror, që ndryshon nga modelet antike, shpreh faktin e një lulëzimi të një arti të ri në këtë lak kohor.

Zbulimi i objekteve arkeologjike që u përkasin si kohë shekujve VII e VIII e që lidhen me kulturën e Komanit, edhe brënda territorit të Durrësit, në Kepin e Rodonit, në Malin e Robit, në Vrrin etj janë një hallkë themelore, për të përfaqësuar lidhjen në proçesin e madh e vendimtar të formimit të popullit shqiptar, proçes ky që ka përfshirë disa shekuj.

Për shekujt VII e deri në shekullin e XI, për arësye se heshtin burimet shkrimore përgjithësisht, informacionin historik e plotëson arkeologjia, duke e mbushur kështu “hiatusin” e duke bërë lidhjet.

Zbulimet arkeologjike në Durrës kanë nxjerrë të dhëna të reja, të pazëvëndësueshme.

Kështu vërtetohet se në këto shekuj Durrësi vazhdon të jetë qytet i madh, një qëndër e qarkullimit monetar, një ndermjetës midis Lindjes e Perëndimit dhe se rruga antike Egnatia në Mesjetë fuksionon tashmë me emrin Rruga Mbretërore.

Nga pikëpamja e historisë politike e kishtare Durrësi në mesjetë është një qëndër administrative e peshkopale.

Kështu Durrësi është kryeqytet i provincës së Epirit të Ri, i Temës së Durrësit, i Mbretërisë Arbëre të Anzhuinëve, i dukatit venedikas etj.

Afërsisht territoret e hapësirat, që ka administruar politikisht e ekonomikisht Durrësi, pamvarësisht nga llojet e strukturave të pushteteve të ndryshme politike të huaja, kanë qënë në vija të përgjithëshme po ato.

Duke fuksionuar në shekujt XII e XIV si qyteti më i madh e më i përfillshëm në skajdetin lindor të Adriatikut, “një Kostandinopojë e Dytë”, siç e kanë quajtur kronistët e kohës, Durrësi ka luajtur një rol të padiskutueshëm organizues për shqiptarët e hershëm e ka ndikuar në jetën e tyre ashtu si dhe trevat e tjera të atdheut kanë ndikuar mbi vetë Durrësin.

Që nga shekulli i XI kemi konsolidim të marëdhenieve feudale si dhe dukurinë e inkuadrimit në heriarkinë e lartë shtetërore të përfaqësuesve të një klase feudale vendase.

Kështu është rasti i Komiskortesit, i një fisniku arbër, që përmënd Ana Komnena, në Durrës, që organizoi mbrojtjen e qytetit nga sulmet e tmerëshme normane.

Shteti i Arbërit, në shekullin e XII, jo rastësisht do të ishte pranë trevave të Durrësit.

Sundimi shekullor i Bizantit në shumë raste dobësohej e njihej vetëm nominalisht e shpesh viset arbëre përjetonin një lloj autonomije.

Durrësi bëhet edhe një bazë e kryengritjeve arbëre e nga ku aristrokatët e mëdhej të provincës  niseshin të sulmonin vetë Kostandinopojën, qëndrën e perandorisë së Njëmijë Qyteteve.

Në shekullin e XIV Durrësi bëhet për ca kohë Komunë Qytetare Autonome, ka edhe një statut të tij.

Po në këtë shekull atë e synojnë dhe e shtijen në dorë princërit shqiptarë Topiajt e Balshajt.

Nga pikëpamja gjuhësore Durrësi paraqet shumë interes për vazhdimësinë iliro shqiptare.

Nga periudha antike u trashëguan emra të tillë topikë si Dyrrachium, Isamnum, Redon, që kanë dhënë sipas ligjeve të fonetikës së shqipes përkatësisht Durrës, Ishëm e Rodon.

Në versionin e dytë të Këngës së Rolandit (Chanson de geste), siç e ka vënë në dukje studiuesi francez Henri Greguar, del që në vitin I085 emri topik Albeinje, për viset e Bishtit të Pallës.

Kjo lidhet, mendojmë ne, me emërtimin e krahinës Arbanon, që përmënd Ana Komnena, në shekullin e XI, e kronistë të tjerë bizantinë.

Këtu duhet shtuar dhe faktin që e dëshmon G.Hani, se gjer në shekullin e kaluar, quhej Arbëni, Arbëri, ultësira midis Kepit të Rodonit, Ishmit, Prezës, midis Matit e Erzenit.

Pra albanët pranë Durrësit në shekullin e II e Arbëria e mesjetës e arbërit, shqipëtarët e herëshëm, po pranë Durrësit, e nderthurren midis tyre me shume fije në kohëra, si dhe gjoografikisht.

Natyrisht nuk është vetëm Durrësi që ka luajtur rol në formimin e popullit shqiptar, por tërësia e faktorëve të brëndshëm të tërë trevave në veri e në jug, ku u ngjiz e u përcaktua ky popull, është një paralelegram i tërë forcash, që përcaktuan, në fund të fundit, rezultanten përfundimtare.

Por në këtë rezultante Durrësi ka pjesën e tij.

Këto ishin disa aspekte të historisë së Durrësit në antikitet e në mesjetë.(1980 )

Share This Article
4 Comments
  • Kur te shuhen burra dhe stjudues te tille si ju o i madhi Moikom, cfare do na paqyrojne palaciot e sotem qe lehin bla-bla vetem per emer. Pershendete zoti Moikom

  • Z.Moikom ! Respekt per punen tuaj studiuese .Por duke lexuar shkrimin pashe se edhe ju beni pjese ne shumicen e studiuesve shqiptare qe disa te verteta I bini rrotull ose nuk I thoni fare .Ciceroni ka shkruar :Detyra e pare e historianit (pra e studiuesit ne rastin tuaj) eshte ti shmanget genjeshtres ,e dyta-te mos fshehe te verteten ,e treta- te mos jape shkas per dyshime .Ju keni shkruar e shkruar ne artikull per Durresin e lashte,per Apollonine etj.por nuk keni shkruar ate qe themeloi keto qytete -Greket . Marsejasit e kane per nder dhe kane nje pllakat shume te madh ne mes te qytetit ku shkruhet qe qytetin e tyre e kane themeluar Greket .Kjo ja shton nderin ,vlerat,historine qytetit te Durresit dhe qyteteve te tjera te lashta qe ndodhen ne Shqiperi dhe qe kane qene koloni greke .Dhe sic shkruajne historianet e lashte (Strabon-Z,VII,8 ,Apiani etj ) ,kur greket themeluan Durresin e lashte ,ne teritorin rreth Durresit nuk banonin fise ilire ,por VRIJET ,qe nuk ishin ilire .Me vone ketu u vendosen Taulantet me te cilet Vrijet nuk kishin asnje lidhje . Dhe Matzinger shkruan “Iliret shihnin ,nga zonat malore ku jetonin, me lakmi kolonite greke ,por nuk kishin cfare tu benin .Iliret mund te ktheheshin ne greke,kurse greket nuk beheshin kurre barbare …”. Etj.et.

    • Nuk po dime ne bota e qyteteruar se c’eshte bere para 70 vjeteve jo Strabo dhe Apiani , 400 apo 500 vjet para se te lindnin ata vete. Para 3 vitesh bene buje ne internet fotot me guret e StoneHedge ngriheshin me vinc dhe betonoheshin ne pozicionin qe kane sot (restaurimi i 1958). Dhe cdo gje n’a shitej si mrekulli e XXXX viteve me pare. Librat e Strabos me shoke i kane retushuar deri ne palce si i ka dashur trapo njerezve. Gjithe territori i Ilirise eshte banuar shume me pare se shekulli IV para eres sone. Thuhet qe mesapet emigruan nga Fusha e Korces ne Italine e Jugut ne shekullin e 8 para heres sone per aresye mbipopullimi. Lind pyetja: pse shkuan ne Itali dhe nuk u ngulen ne bregdet? Llogjikisht bregdeti ka qene i populluar. Eshte shume e sakte ajo qe thote Butrinti. Kolonet greke erdhen ne ate qytet si kolone. Vrijet? Me keto librat greke degjon perralla. Ne gjithe kete habitat para ilir , po keta nga kishin mbire? Keta kolonet greke ne shekujt 4 apo 5 para heres sone, si ju dilte koha dhe te benin lufte mes tyre dhe te benin lufte me perset dhe te ndertonin koloni ne gjithe boten dhe te punonin token dhe te shumoheshin? Sa miliarde doriane n’a kane zbritur nga mali i Pindit 1100 vjet pare here sone, qe n’a pushtuan dynjane me sepata guri apo bronzi, se hekuri sapo qe shpikur. Vini ne perdorim llogjiken o njerez.E vetmja gje i ka shpetuar retushimit mund te jene guret apo dhe shkrimet qe mund te dalin sot nga gjetjet arkeologjike pa te tjerat… E kane bere historine e botes greket … po eshte shkruar me skript grek eshte greke. I ndajne rrufjanet greke shkrimet e lashta te gdhendura si di do qejfi dhe normalisht, po t’i ndash si te do qefi i lexon dhe kinezce.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *