Feçor Shehu: Dosjet u përgatitën dhe u dogjën në kundërshtim me ligjin. Unë nuk kam marr pjesë në falsifikim dokumentesh për arrestim e dënim të njerëzve të pafajshëm!
(Vijon nga numri i kaluar)
Përgatitja e dosjeve të shantazhit për rreth 30 ministra dhe anëtarë të Komitetit Qendror si dhe hartimi i dokumenteve false për arrestimin dhe dënimin e njerëzve të pafajshëm, janë dy nga akuzat e radhës që kryesuesi i seancës së 24 dhe prokurori Rrapi Mino, u paraqesin Kadri Hazbiut e bashkëpunëtorëve të tjerë të ‘Grupit armiqësor të vënë në shërbim të zbulimeve të huaja’. Lidhur me këto akuza, në këtë seancë jep shpjegime i pandehuri Feçor Shehu, një nga të akuzuarit kryesor të këtij grupi… Shehu thotë se për dosjet ka pasur dijeni të plotë Kadri Hazbiu, ndërsa mohon dijeninë dhe përgatitjen e dokumenteve të falsifikuara për arrestimin, torturimin dhe dënimin e vajzës nga Tropoja, Rukije Rama….
Seanca e 24
Kryetari(Aranit Çela):- Tjetër gjë keni Feçor Shehu?. Ai terrori, arrestimet e njerëzve të pafajshëm e fshehja, mbrojtja nga udhëheqja e 30 drejtuesve që kishin dosje e aktivitet kundër Partisë?
Feçori:- Flitet aty, dhe prokurori e tha në ato praktikat e tij, e tha se janë disa herë(raste) që janë bërë dokumente false për të arrestuar njerëz. Një dokument të tillë nuk ka bërë Feçor Shehu. Përkundrazi, kur ka zbuluar, ka mbajtur qëndrim. Aty akuza sjellë Rukije Ramën. Unë e kam parë edhe vendimin e Plenumit të Gjykatës së Lartë. Por për këtë t’u përgjigjet Sulo Abazi, kryetar i degës së punëve të brendshme. Se Feçor Shehu, Rukije Ramën se njeh as si fytyrë, as si lokalitet, as si zonë, as si njeri. Dhe s’kisha asnjë interes që të arrestohej Rukije Rama. Pra, në qoftë se i kanë bërë dokumentet falco, i ka bërë Sulo Abazi që ishet kryetar i degës së brendshme të Tropojës…
Prokurori(Rrapi Mino):- Ti ke përgjegjësi dhe ke bërë falsifikim sepse është kërkuar tre herë nga Komiteti Qendror për këtë gjë dhe e ke dizinformuar atë….
Feçori:- Domethënë, sipas jush, për falsifikimet që bën Sulo Abazi atje me punëtorin operativ, punëtorin operativ atje, të përgjigjem unë!?
Prokurori:- Po e di ti që për këtë keni dërguar tre ekipe?
Feçori:- Kemi dërguar, kemi dërguar Kapllan Sakon si zëvendësdrejtor dhe si kryetar i degës për krime kundër shtetit. Dhe ka dhënë raport që i është përgjigjur asaj kërkesës së Kadri Hazbiut nga Komiteti Qendror i Partisë dhe nuk është e vërtetë që ne e kemi pasur sinjalizime, siç thotë dëshmitari Rexhep Kolli…..
Kryetari:- Vetëm një gjë Feçor Shehu! Nuk e di, me këtë të këtij Kapllanit, se ky Kapllani, nga këto të dhëna që janë këtu, ky ka shkuar, dhe kudo, i ka fikur zjarret….
Feçori:- I ka fikur! Po ajo është për krime kundër shtetit! Si!?
Kryetari:- Jo, i ka fikur një çikë zjarret… Në këtë kuptim, domethënë, ku e di unë, po del nga dosjet këtu…
Feçori:- Unë nuk i kam parë. Emrin e Kapllan Sakos unë nuk e kam parë nëpër dosje….
Ndihmësgjyqtar:- Tani, në atë kohë kur po diskutohej problemi i Rukijes, që ishte në burg dhe kërkoheshin prova, në materiale e në prova thuhet që ti ke thënë që detyrimisht duhet të digjet agjentura, edhe sikur e gjithë agjentura e Tropojës, të digjet, të dalë dëshmitar kundër saj….
Feçori:- S’është e vërtetë. Thotë një njeri kështu. Unë nuk jam dakord me thëniet e një njeriu se dhe unë jam një njeri….!
Prokurori:- Po e dinit ju këtë, që ka pasur mendime të ndryshme. Dini ju që prokurori i rrethit të Tropojës nuk ka pranuar të merrte pjesë në gjykim. Se unë po të marr pjesë, tha ai, do të kërkoj pafajësi se është e pafajshme… Edhe s’ka marrë pjesë….
Feçori:- Unë di këtë, që kur e kemi parë këtë, se e kemi marrë dhe e ka parë edhe prokurori i përgjithshëm, dhe Ministria e Brendshme, kanë qenë dakord me vendimin gjyqësor…
Kryetari(Aranit Çela):- Dhe një gjë mos harro. Se dhe në Prokurorinë e Përgjithshme, e tërë prokuroria ka qenë kundër, me përjashtim të atij, prokurorit të Përgjithshëm, siç doli. Ti e di… Megjithatë, për këtë çështje, ti, kur ke dërguar Kapllanin, të ka ardhur Kapllani e ke biseduar… Me që zure çështjen e Rukijes.
Feçori:- Unë kam parë raportin që ka dhënë ai dhe e ka firmosur Kadri Hazbiu dhe nuk e kam parasysh se çfarë informacioni thotë atje. Por di këtë gjë, që arrestimi është i padrejtë….
Kryetari:- Keni ndonjë gjë tjetër?
Feçori:- Atje flitet dhe futet. Prandaj, them unë, i nderuar kryetar, shumë herë emri i Feçor Shehut është tamam si xhol. Del aty që thotë ‘unë kam hequr dhe survejimin ndaj ambasadës jugosllave në vitet 1957-1958’….
Kryetari:…- Tjetër?
Feçori:… Një çështje tjetër pra akuzë ndaj meje… Thuhet që ka ardhur një udhëzim në kuadrin e luftës kundër burokracisë, të digjeshin disa materiale që quheshin dosje drejtimi….
Kryetari:- Nga kush?
Feçori:- Nga Kadri Hazbiu, nga Mihallaq Ziçishti e nga Rexhep kolli që drejtonte në fakt punën e Sigurimit atje… Pas një kohe, që më kujtohet mua, është detyruar Sigurimi që të riprodhojë disa gjëra që kishin në kujtesë punëtorët operativ dhe kuadrot e tjerë, për të vënë në vend këtë shkelje të rëndë…
Kryetari:- Si mundet që t’i rikonstrukturoni ju këto, si mund të bëhen, të rindërtohen kur ata janë materiale operative…? Kush dreqin e di çfarë janë?
Feçori:- Ja. Kishte kështu i nderuar kryetar, histori… Për shembull, i zbulimit grek… Tani ishte bërë një punë e madhe për atë, për ta mbajtur drejtimi në qendër dhe këtu….
Kryetari:- Ti thua që me këtë u dogjën materiale operative. Pra, u dobësua puna operative….
Feçori:- Unë tani po them për dosjen e drejtimit. Dosja e drejtimit krijohet nga historiku i sigurimit. Domethënë, u shfrytëzua deri në një farë mase për të riprodhuar materialin arkivor, proceset gjyqësore të ndryshme, etj… Por ama, ishte një dëm ky…
Prokurori(Rrapi Mino):- Po kishte nga ata që nuk u riprodhuan?
Feçori:- Po, edhe ka pasur…
Kryetari:- Por çfarë qëllimi ka pasur? Kjo është puna këtu ama…
Feçori:- Unë, qëllim që të më vrasë ndërgjegjja, e të them që ka pasur qëllim armiqësor, nuk e di. Këtë duhet ta shpjegojnë….
Kryetari:- Tani, për sa i përket kësaj djegies tjetër, ke deponuar edhe ti vetë. Ti, këtu e ke pranuar këtë që kur u bëre drejtor i drejtorisë së parë ke marr një dosje me ekstrat aplikimesh për 20-30 kuadrosh të larta Partie e shteti, edhe anëtarë të komitetit Qendror të Partisë… Pastaj, çfarë bëre me këto?
Feçori:- Ja, po ua them unë. Unë këtë dosje nuk e kam marrë nga Kadri Hazbiu, por e kam marrë nga Rexhep kolli. Dosja është krijuar nga Rexhep kolli me ekstrate të ndryshme ku implikoheshin 20-30 kuadro, deri anëtarë të Komitetit Qendror të Partisë, dhe ndonjë ministër, për të cilin unë kam dhënë shpjegime… Tani, unë e pashë këtë, dhe zëvendës atëherë ishte Rexhep Kolli. Unë nuk i vajta Rexhep Kollit, se Rexhep Kolli ishte vetë shkelësi, pra ai e kishte shkelur. Dhe unë i vajta Kadri Hazbiut dhe i thashë që që është kjo dosje. “Kjo dosje ka materiale, ka dhe deponime të ndryshme të proceseve që implikojnë këto kuadro. Këtë dosje e ka pasur Rexhep kolli. Mua më duket që këtu është shkelje e Platformës, nuk është e drejtë”- i thashë Kadri Hazbiut unë. Pasi më dëgjoi, Kadri Hazbiu më tha:”Po, e drejtë, ashtu është siç thua ti. Prandaj, si mendon ti?”. Unë i thashë, ta djegim. Po, digje, tha Kadriu dhe shtoi se për të gjitha këto ka dijeni Komiteti Qendror, sipas rasteve. Por ç’ rregullsia e Rexhepit, dhe e zëvendësit ët tij Nevzat Haznedari, pra që ishte dhe është e atillë, shkelje, në vend që ta djegin, e kanë mbajtur në kundërshtim me rregullat, në kundërshtim me normat. Unë i thashë edhe një gjë Kadriut:”Po mirë, këto unë i dogja, po atje nëpër ato arkivat, sipas proçeseve të ndryshme mund të jenë”. “Thuaju sektorëve që drejtojnë arkivat, degën e përgjithshme që të shikojnë ku ka anëtarë Partie, ti marrin sipas rregullave, ti nxjerrin mënjanë dhe ato që duhen asgjësuar, të asgjësohen me procesverbal. Ato që i takojnë sektorit operativ të shkojnë tek sektori operativ sipas procedurave, sipas normave.”- më tha Kadriu.
Kryetari:- Ti e di mirë që atëherë u dënua si praktikë armiqësore mbajtja e dosjeve për kuadrot udhëheqëse, praktika që ndiqeshin nga Koçi Xoxe. Ky është një veprim i ngjashëm me atë. Kështu mbaheshin dosjet nga ai… Është një dosje që tu gjet ty në dorë, e kjo, siç e pranon dhe vetë ti, është në kundërshtim me Platformën. Është një veprim i rëndë që për një kohë, mbaheshin dosje për këto kuadro të lartë… Për këtë, u vu në dijeni Komiteti Qendror?
Feçori:- Unë, i nderuar kryetar, mua i nderuar kryetar, atëherë mu duk se bëra një punë të mirë.
Kryetari:- Mirë, një punë të mirë. Po e dogje pastaj në marrëveshje me Kadri Hazbiun.
Feçori:- pasi u morëm vesh me Kadri Hazbiun. Dhe Kadri Hazbiu më tha që ‘e di Partia’.
Kryetari:- Çfarë di, çfarë përmbajnë ato dosje?
Feçori:- Për implikimin e seicilit person. Kadri Hazbiu më tha që për këto, nominalisht, për seicilin proces, është në dijeni Komiteti i partisë. Gabimi është se pasi është vënë në dijeni Komiteti Qendror dhe këto janë quajtur si materiale që nuk duheshin mbajtur, se siç dihet të pandehurit dizinformojnë dhe kanë një nga detyrat agjenturore që të disinformojnë edhe për kuadro të ndershëm, duhet djegur. Rexhep Kolli nuk e ka djegur këtë……
Kryetari:- Ti, ishe kuadër udhëheqës atje, dhe ti e di që kjo që u bë, dosjet për kuadro të lartë, deri ministra e anëtarë të Komitetit Qendror, janë në kundërshtim me Platformën…. Për këtë akt kush mori vesh?
Feçori:- Unë, i nderuar kryetar, kisha besim atëherë tek Kadri Hazbiu. Dhe unë që vura në dijeni Kadri Hazbiun, mendova që të mos shkoja më lart…
Kryetari:- Po Komitetin e Partisë të ministrisë e kishe aty more… Ç’ka bërë ky se ti thua i more nga Rexhep Kolli?
Feçori:- Unë po them, e kemi marrë këtë si ç’rregullsi dhe shkelje në të njëjtën kohë.
Ndihmësgjyqtari:- Epo kështu!!! Si është bërë pra arrestimi i qytetarëve Lindita Bega e Enriko Gjoka, është i bazuar?. Elham Gjika të ngarkon ty?
Feçori:- Elham Gjika mund të më ngarkojë. Në dosje janë këto gjëra: Është letra që i ka bërë kryetarit të Gjykatës së Lartë, është letra e prokurorit të Përgjithshëm, janë shënimet e mia, është raporti me shkrim që më kanë dhënë Elham Gjika e Kosta Gazheli(ndihmës i Elhamit)… Atëherë, jo tani… Se tani jam në burg unë edhe më vihen këto epitete. Mund të hidhet shumë baltë mbi mua. E kanë thënë ndryshe, është me shkrim. Një, kjo. E dyta, është me shkrim përgjithësimi që ka bërë ministria dhe kush është autor i heqjes, pra jo Feçor Shehu. E treta, një muaj e ca punoi ekipi i Komitetit Qendror, komisionet e ekipit të Komitetit Qendror, u punuan në organizatën-bazë dhe ën Komitetin e Partisë… Nuk ka qenë Feçor Shehu
autor i heqjes së ekspertizave. Dhe Feçor Shehu, kurrë nuk e bënte një gjë të tillë….
Ndihmësgjyqtari:- Po ndonjë verifikim i Komitetit Qendror lidhur me arrestimet e këtij procesi, dënimet, internimet…?
Feçori:- Internimi i katër vetëve është bërë me propozim të Drejtorisë së Tiranës dhe e ka miratuar komisioni Qendror. Domethënë, tani, aty ne nuke e kemi ditur këtë çështje, dhe aspak biografinë e saktë të tyre. Prandaj edhe kemi gabuar. Për atë gabim mbajë përgjegjësi unë..
Kryetari(Aranit Çela):- Po këtë ti, Neshat Tozajt, i ke bërë presion që të lëshojë ekspertizë jo të rregullt, që të ndryshojë mendimet?
Feçori:- S’është e vërtetë. Unë Neshat Tozajn e kam thirrur në zyrë i nderuar kryetar, vetëm për këtë gjë, se më vjen i alarmuar Kapllan Koka, një ekspert… Se kishin mendime të ndryshme… (Vijon nesër)
Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi
SOM 1
“U përgatitën dosje për 20 apo 30 ministra e anëtarë të Komitetit Qendror, nga gjyqe e deponime të ndryshme për implikimin e sejcilit person. Kadri Hazbiu më tha që për këto, nominalisht, për seicilin proces, është në dijeni Komiteti i partisë. Gabimi është se pasi është vënë në dijeni Komiteti Qendror dhe këto janë quajtur si materiale që nuk duheshin mbajtur, ato u mbajtën. Rexhep Kolli nuk i ka djegur këto materiale dhe ky është një gabim shumë i rëndë. Jo vetëm unë si Feçor Shehu, megjithëse Kadriu më tha se kanë dijeni dhe ata lart, por dhe të tjerët nuk duhet ta kishim lejuar këtë gjë, për të cilën akuzohemi mes të tjerave dhe sot në këtë gjyq”
SOM 2
“Një dokument të tillë, të falsifikuar për të dënuar njerëz kot, nuk ka bërë Feçor Shehu. Përkundrazi, kur ka zbuluar, ka mbajtur qëndrim. Aty akuza sjellë rastin e Rukije Ramës nga Tropoja. Unë e kam parë edhe vendimin e Plenumit të Gjykatës së Lartë. Por për këtë t’u përgjigjet Sulo Abazi, kryetar i degës së punëve të brendshme. Se Feçor Shehu, Rukije Ramën se njeh as si fytyrë, as si lokalitet, as si zonë, as si njeri. Prokurori i Tropojës kundërshtoi këtë arrestim të pafajshëm e nuk erdhi në gjyq. Se po të vij, tha ai, unë do kërkoj pafajësi. Pra, në qoftë se i kanë bërë dokumentet falco, i ka bërë Sulo Abazi që ishte kryetar i degës së brendshme të Tropojës…”
NESËR DO TË LEXONI:
-Aranit Çela dhe Rrapi Mino kundër Kadri Hazbiut: Ja provat dhe dëshmitë e lidhjes e bashkëpunimit të ‘grupit armiqësor agjenturor’ në ministrinë e Brendshme me ‘Grupin puçist” në ushtri dhe sabotatorët e ekonomisë.
-Deponimi i Fiqret Shehut: Si u takuan në shtëpinë time Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, Beqir Balluku e Petrit Dume dhe çfarë biseduar për ‘teorinë e rrëshqitjes’ dhe sabotimet në fushën e mbrojtjes.
-Si u sabotua nga Mehmet Shehu e grupi i tij armiqësor direktiva e Komitetit Qendror të PPSH-së për fortifikimin e vendit.