Ekskluzive / Dokumentet arkivore të procesit gjyqësor ndaj “puçistëve në ushtri”. Kryesuesi Aranit Çela shpall vendimin dhe argumentet e Gjykatës Speciale Ushtarake për dënimin e Ballukut, Dumes, Çakos dhe Parllakut
Gjykata: Rrahman Parllaku dënohet me 25 vite heqje lirie. Veprimtaria armiqësore e tyre është komplekse, në disa fusha dhe në bashkëveprim me armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm të Shqipërisë”
Pas pretencës së prokurorit Murat Kamani, Kryetari i Gjykatës së Lartë, në cilësitë e kryesuesit të Gjykatës Speciale Ushtarake, komunikon dënimet për gjeneralët e akuzuar për “Tradhti të lartë ndaj Atdheut”. Në bazë të këtij vendimi, Beqir Balluku, Petrit Dume dënohen me vdekje dhe me heqjen e urdhrave e dekoratave të dhëna, ndërsa Rrahman Parllaku me 25 vjet heqje lirie dhe me heqjen e urdhrave e dekoratave. Njëkohësisht, Aranit Çela sjellë në vazhdim dhe argumentet për veprimtarinë armiqësore për sejcilin të dënuar veçmas dhe në kuadër të bashkëpunimit në grup…
(Vazhdon nga numri i kaluar)
VENDIMI I GJYKATËS
Republika Popullore e Shqipërisë
Gjykata e Posaçme Ushtarake
Nr 10 i Regj. Themeltar
Nr 10 i Vendimit
VENDIM
NË EMËR TË POPULLIT
Gjykata e Posaçme Ushtarake, e caktuar me Dekretin nr 5330 datë 27 gusht 1975 të Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë, i përbërë:
Kryetar:- Aranit Çela,(Kryetar i Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë).
Anëtar:-Tahir Minxhozi(Sekretar i Komitetit të Partisë në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore).
Anëtar:-Nazar Berberi(Zëvendësministër i Ministrisë së Mbrojtjes Popullore)
Anëtar:-Hilmi Telegrafi(Anëtar i Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë).
Anëtar:-Lirim Gjetja(Ushtarak në repartin nr 2350)
Me pjesëmarrjen e sekretarëve të seancës Ylli Mahmuda dhe Sadik Memo dhe të prokurorit Murat Kamani, në seancë me dyer të mbyllura, nga data 25 tetor deri në 5 nëntor 1975, mori në shqyrtim çështjen penale që u përket të pandehurve:
1-Beqir Balluku, i biri i Aliut dhe i biri i Naxhijes, lindur në vitin 1917 në Tiranë dhe banues në Selenicë të Vlorës, me origjinë shoqërore qytetar i mesëm, me gjendje shoqërore nëpunës, ish-Ministër i Mbrojtjes Popullore, me gjendje familjare i shkurorëzuar, me 6 fëmijë të moshës madhore, me arsim të lartë ushtarak të pambaruar, i përjashtuar nga Partia e Punës së Shqipërisë, i padënuar më parë, i dekoruar, i arrestuar më datë 16 dhjetor 1974.
2-Petrit Dume, i biri i Taullait dhe i Hysnijes, lindur në vitin 1920 në Lubonjë të rrethit Korçë dhe banues në Tiranë, me origjinë shoqërore shtresë e mesme fshatare, me gjendje shoqërore nëpunës, ish-zëvendësministër i Mbrojtjes Popullore, me gjendje familjare i martuar e me tre fëmijë në moshë madhore, me arsim të lartë ushtarak, i përjashtuar nga Partia e Punës së Shqipërisë, i padënuar më parë, i dekoruar, i arrestuar më datë 16 dhjetor 1974.
3-Hito Çako, i biri i Shaqos dhe i Miros, lindur më 1924 në Progonat të rrethit të Tepelenës, banues ën tiranë, me origjinë shoqërore fshatar i varfër, me gjendje shoqërore nëpunës, ish-Drejtor i Drejtorisë Politike të Ushtrisë Popullore, me gjendje familjare i shkurorëzuar me tre fëmijë në moshë të mitur, me arsim të lartë ushtarak, i përjashtuar nga Partia e Punës së Shqipërisë, i padënuar më parë, i dekoruar, i arrestuar më 16 dhjetor 1974.
4-Rrahman Parllaku, i biri i Latifit dhe i Kadimesë, lindur në vitin 1919 në Novosej të Kukësit, banues në tiranë, me oriigjinë shoqërore fshatar i varfër, me gjendje shoqërore nëpunës, ish-zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, me gjendje familjare i shkurorëzuar me tre fëmijë në moshë madhore, me arsim të lartë ushtarak, i përjashtuar nga Partia e Punës së Shqipërisë, i pa dënuar më parë, i dekoruar, i arrestuar më datë 16 dhjetor 1974.
TË AKUZUAR:
Me aktakuzën datë 15 tetor 1975 për krimet e parashikuar nga nenet 64, 72, 73/II në kombinim me nenin 76 të Kodit penal të Republikës Popullore të Shqipërisë, ndërsa të pandehurit Beqir Balluku, Petrit Dume e Hito Çako edhe për krimet e parashikuara nga nenet 80/I dhe 323/II të Kodit penal të Republikës Popullore të Shqipërisë.
GJYKATA E POSAÇME USHTARAKE,
Pasi dëgjoi apologjinë e të pandehurve, mendimin e prokurorit, i cili kërkoi të deklarohen fajtore të gjithë të pandehurit dhe të dënohen si vijon:
1-Beqir Balluku, në bazë të neneve 64, 72, 73/II në kombinim me nenin 76, 80/I, 323/II dhe 48 të Kodit Penal, me Vdekje, konfiskimin e pasurisë dhe heqjen e titujve të nderit dhe dekoratave,
2-Petrit Dume, në bazë të neneve 64, 72, 73/II në kombinim me nenin 76, 80/I, 323/II dhe 48 të Kodit Penal, me Vdekje, konfiskimin e pasurisë dhe heqjen e titujve të nderit dhe dekoratave,
3-Hito Çako, në bazë të neneve 64, 72, 73/II në kombinim me nenin 76, 80/I, 323/II dhe 48 të Kodit Penal, me vdekje, konfiskimin e pasurisë dhe heqjen e titujve të nderit dhe dekoratave,
4-Rrahman Parllaku, në bazë të neneve 64, 72, 73/II në kombinim me nenin 76, 80/I, 323/II dhe 48 të Kodit Penal, 25 vjet të heqjes së lirisë, konfiskimin e pasurisë dhe heqjen e titujve të nderit dhe dekoratave.
Pasi dëgjoi mbrojtjen dhe fjalën e fundit të të pandehurve Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako e Rrahman Parllaku, të cilët deklaruan se e njohin veprimtarinë kriminale të kryer prej tyre, se për këtë e çmojnë të drejtë çdo lloj dënimi dhe se kanë besim tek Gjykata:
VËREN:
Nga zhvillimi i gjyqit rezultoi plotësisht e provuar aktakuza në ngarkim të grupit armiqësor e antiparti të komplotistëve në ushtri, të kryesuar nga Beqir Balluku dhe me bashkëpunëtorë kryesor Petrit Dumen, Hito Çakon e Rrahman Parllakun.
Të pandehurit Beqir Balluku, Petrit Dumen, Hito Çakon e Rrahman Parllaku, në mënyrë të organizuar dhe sistematike për një kohë të gjatë kqnë zhvilluar veprimtari kundër Republikës Popullore të Shqipërisë dhe forcës së vetme udhëheqëse të saj, Partisë së Punës së Shqipërisë, duke synuar përfundimisht me anën e puçit të likuidonin diktaturën e proletariatit dhe socializmin, të vendosnin diktaturën fashiste borgjezo-revizioniste dhe të restauronin kapitalizmin në Shqipëri.
Nga zhvillimi i hetimeve dhe i gjykimit të çështjes doli e qartë se grupi armiqësor dhe antiparti i komplotistëve ën ushtri, i kryesuar nga i pandehuri Beqir Balluku, dhe me bashkëpunëtorë të pandehurit Petrit Dume, Hito Çako e Rrahman Parllaku, nëpërmjet shfrytëzimit të posteve shtetërore që zinin në krye të ushtrisë, duke shkelur betimin ushtarak si dhe duke tradhtuar detyrat dhe idealet e Forcave të Armatosura kanë vepruar për të minuar mbrojtjen e Republikës Popullore të Shqipërisë, dhe në radhë të parë, për të degjeneruar ushtrinë popullore, për ta kthyer atë kundër Partisë të punës së Shqipërisë dhe pushtetit popullor. E gjithë kjo veprimtari armiqësore përbën krimin më të rëndë të kryer nga ky grup komplotistësh në kokë të ushtrisë-tradhtinë më të lartë ndaj atdheut tonë socialist….
Veprimtaria komplotiste dhe puçiste e të pandehurve Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako e Rrahman Parllaku jo vetëm përkon, por ajo është e lidhur organikisht dhe ka të njëjtën bazë politike dhe ideologjike me gjithë veprimtarinë armiqësore që zhvillojnë kundër Republikës Popullore të Shqipërisë, Partisë së Punës së Shqipërisë dhe popullit shqiptar, imperialistët dhe revizionistët modernë…
Nga të pandehurit, Beqir Balluku, që në vitet e para të çlirimit të vendit, sikurse ka punuar në hetuesi dhe gjatë gjykimit, ka qenë nën influencën fillimisht të revizionistëve jugosllavë dhe më vonë të revizionistëve sovjetikë… Ka mbajtur lidhje të ngushta me armiqtë e Partisë dhe të popullit Tuk Jakova, Liri Belishova etj, duke u solidarizuar me pikëpamjet e tyre armiqësore…. Gjykata, duke u bazuar në rezultatet e hetuesisë dhe zhvillimit të gjykimit, duke u mbështetur në të gjitha dokumentet që ndodhen në dosje, arrin në përfundimin se të pandehurit Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako e Rrahman Parllaku, janë agjentë të armiqve të betuar të Partisë dhe të popullit tonë, revizionistëve sovjetikë e jugosllavë…
Të pandehurit Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako e Rrahman Parllaku kanë shfaqur pikëpamje të njëjta armiqësore të të njëjtës bazë ideologjike borgjezo-revizioniste. “Frymëzimi i materialit të antitezave,-deponon i pandehuri Beqir Balluku- kam qenë unë, por kanë qenë në dijeni të plotë, kanë qenë dakord edhe Petrit Dume, Hito Çako e Rrahman Parllaku. Ata kanë qenë dakord me pikëpamjet e mia mbi mbrojtjen që ishin në kundërshtim me Tezat e Këshillit të Mbrojtjes”. (Fq 136, dosja nr 7). Ja si deklaron i pandehuri Balluku për këtë veprimtari:
Beqir Balluku:-“Çështjes, (Tezat e Zeza) që në fillim i kemi parë në mënyrë të përbashkët me Petrit Dumen, Hito Çakon e Rrahman Parllakun. Pikërisht për këtë, edhe materialin 18 faqe ua dërgova atyre , ashtu siç pamë së bashku edhe materialin e dytë dhe vendosëm të përgatitej materiali i tretë…. Në këtë drejtim, në kundërvënie të Tezave të Këshillit të Mbrojtjes, jemi bashkuar, kemi bërë punë armiqësore të përbashkët, i jemi kundërvënë vijës ushtarake të Partisë”.
Shokë gjyqtarë!
Nga hetimi dhe gjykimi i çështjes e nga tërësia e provave të administruara, rezulton se ky grup armik dhe antiparti i komplotistëve në ushtri i kryesuar nga Beqir Balluku dhe me bashkëpunëtorë Petrit Dumen, Hito Çakon e Rrahman Parllakun, për të realizuar qëllimin kriminal kanë zhvilluar veprimtarinë e tyre armiqësore në disa drejtime kryesore dhe konkretisht:
Kanë sabotuar rolin udhëheqës, drejtues dhe kontrollues të Partisë së Punës në Ushtri. Këto akuza janë vërtetuar dhe nga këto deklarime të të pandehurve:
Beqir Balluku:- “…Nuk ka pasur një jetë të brendshme luftarake të organizatës bazë të Partisë, ka munguar kritika nga poshtë lart e paralele, ka munguar kërkesa e llogarisë, nuk janë vënë para përgjegjësisë së Partisë kuadrot drejtues… Tek unë kanë vepruar konceptet që komandanti të mos kritikohet në organizatën bazë të Partisë, pasi ai jep urdhra dhe të tjerët duhet ti zbatojnë… Ky është një koncept revizionist… As unë, as Petriti, e as Hito nuk folëm kundër Letrës së hapur të Komitetit Qendror të Partisë të Punës së Shqipërisë, por nuk e zbatuam atë… Në heshtje, u kuptuam me njeri-tjetrin vepruam njësoj, si njëri dhe tjetri, duke ruajtur praktikisht formën e komandimit unik”…
Hito Çako:-‘Ne ndryshuam përbërjen e Komiteteve të Partisë , duke futur njerëz nga komanda dhe shtabi Kështu, futëm frymën e komandimit, burokracinë ushtarake… Unë vura komandën mbi Partinë dhe kjo është një pikëpamje revizioniste’…
Beqir Balluku:-“Duke sabotuar masat revolucionare të Partisë, duke vënë organizatën bazë të Partisë në ushtri nën urdhrat e komandave, ne, pra unë, Petriti, Hito e Rrahmani, ecëm po në ato binarë që ecën revizionistët sovjetik për marrjen e pushtetit, ku ushtria u kthye në një armë sundimi dhe shtypje. Duke ndjekur këtë rrugë, duke shkelur në këto binarë, ne krijuam një front opozite revizioniste kundër vijës së Partisë”.
Rrahman Parllaku:-“Hito Çako që ishte Drejtor Politik, për problemet që kjo drejtori do i ngrinte Komitetit Qendror, merrte paraprakisht mendimin e Beqir Ballukut, domethënë aty merrte aprovimin e tij, nëse duhej apo jo të raportohej”….(Vijon nesër)
Përgatiti për Borim: Kujtim Boriçi
NESËR DO TË LEXONI:
-Argumentimin nga Aranit Çela, kreu i Gjykatës së Lartë, i vendimit të Gjykatës së Posaçme Ushtarake të masave të dënimit për të pandehurit Beqir Balluku Petrit Dume, Hito Çako e Rrahman Parllaku. Krimi në goditjen e vijës së partisë në ushtri.
-Krimi i gjeneralëve në emërimin e kuadrove drejtues në ushtri, shmangia e të aftëve, vendosja e servilëve, të degjeneruarve dhe njerëzve me biografi të keqe.
-Si i përgatitën ‘gjeneralët puçistë’ të quajturat ‘Teza të Zeza’ dhe efektet armiqësore të zbatimit të tyre në fushën e mbrojtjes.
Vendim i pa drejte.