Gjyqi i Kadri Hazbiut. Seanca e 28
“Helmin e solli nga Franca vetë Fiqreti. Nëse Byroja Politike refuzonte Mehmetin në krye të Partisë, Kadriu do vriste kundërshtarët, Feçori do bënte arrestimet”
(Vijon nga numri i kaluar)
Në seancën e 28-të të gjyqit të Kadri Hazbiut, e parafundit e këtij gjyqi maratonë, Aranit Çela, kreu i Gjykatës së Lartë, sjell provat e fundit për të pandehurit, ku mes të tjerave veçohen fakte të bashkëpunimit të gjatë armiqësor mes tyre dhe plani për eliminimin e Enver Hoxhës me helmim të vonuar e marrjen e pushtetit…
Aranit Çela(Kryetar i gjykatës): -Vazhdojmë me provat ndaj të pandehurve… Gjatë gjykimit të çështjes, të pandehurit Kadri Hazbiu e Feçor Shehu kanë mohuar vënien në shërbim të agjenturave të huaja dhe veprimtarinë e gjerë të spiunazhit që kanë kryer. Një qëndrim të tillë mbajti në gjyq dhe i pandehuri Llambi Peçini, duke mohuar ato ç’ka pohuar me hollësi në hetuesi. Pavarësisht nga ky qëndrim i tyre, faktet dhe rrethanat që u përmendën vërtetohen në mënyrë bindëse nga një sërë provash që u administruan në seancën gjyqësore.
Kështu, të pandehurit Mihallaq Ziçishti, Gani Kodra, Xhavit Ismailaga e Ali Çeno, pohuan vënien në shërbim të agjencive të huaja dhe veprimtarinë e spiunazhit që kanë kryer, qoftë vetë prej tyre, qoftë dhe në bashkëpunim me Kadri Hazbiun, Feçor Shehun e Llambi Peçinin. Të njëjtën gjë pohuan dhe armiqtë Fiqret Shehu, Llambi Ziçishti, Nesti Nase e Skënder Shehu kur u gjykuan për veprimtarinë e tyre gjyqësore, apo kur dëshmuan për shtatë të pandehurit në gjykatë…
Pra, si agjentë të fshehtë të zbulimeve të huaja, të pandehurit Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Gani Kodra, Ali Çeno e Xhavit Ismailaga, së bashku me bashkëpunëtorë të tjerë e me poliagjentin Mehmet Shehu kanë vendosur lidhje agjenturore brenda e jashtë vendit… Nëpërmjet këtyre lidhjeve, të pandehurit u kanë dorëzuar agjenturave të shteteve armike informata politike, ushtarake, ekonomike dhe të dhëna të tjera që përbëjnë sekret shtetëror…
Siç u vu në dukje më sipër del e qartë se të gjithë të pandehurit e lartpërmendur kanë tradhtuar Atdheun, i cili është krimi më i rëndë që mund të kryejë shtetasi i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.
II- Nga gjykimi i çështjes rezultoi plotësisht e provuar se të pandehurit Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Gani kodra, Ali Çeno e Xhavit Ismailaga janë pjesëtarë aktivë të organizatës kundër revolucionare të krijuar nga armiku Mehmet Shehu, e cila ka kryer veprime të shumta duke synuar të godasin Partinë e Punës së Shqipërisë dhe Udhëheqësin e saj(Enver Hoxhën), si dhe të përmbysin diktaturën e proletariatit e të vendosin në Shqipëri rendin borgjezo-revizionist. Lidhur me karakterin e veprimeve të kësaj organizate kundër revolucionare, gjykata konkludoi sa vijon:
Udhëheqësi dhe zëdhënësi kryesor i zbulimeve të huaja në këtë organizatë kundër revolucionare është poliagjenti Mehmet Shehu. Megjithëse ky armik, me aktin e vetëvrasjes i dha fund veprimtarisë së tij të egër, të gjerë, të vazhdueshme, shumë të rrezikshme kundër Partisë, popullit e Atdheut, Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, ai mbetet figura qendrore e këtij procesi gjyqësor. Në këtë vështrim, shteti dhe populli jonë, me këtë proces gjyqësor i vë damkën e zezë të turpit kësaj pjelle bastarde, ogurzezë, këtij tradhtari e jude klasik. Programi, pikësynimet dhe deri mënyra e veprimit të kësaj organizate kundër revolucionare janë të diktuara nga zbulimet e huaja dhe në radhë të parë nga zbulimi amerikan, jugosllav e sovjetik…
Mehmet Shehu, Fiqret Shehu dhe pjesëtarë të tjerë të kësaj organizate pas çdo goditje që u ka bërë Partia grupeve armiqësore kanë përdorur të njëjtën taktikë për të mbuluar gjurmët e veprimtarisë së tyre. Nga njëra anë, ata godisnin me forcë armiqtë e demaskuar, e nga ana tjetër punonin në prapaskenë për të shpëtuar këdo që mundnin dhe studionin kandidatët e përshtatshëm për të shtuar radhët e organizatës me elementë të tjerë kundër revolucionarë…
Tashmë është zbuluar plotësisht mekanizmi i kryerjes së puçit ushtarak dhe roli që do të luanin secili nga të pandehurit. Kështu, ishte përcaktuar që pas likuidimit fizik të Sekretarit të Parë (Enver Hoxhës), do të ndiqej me vëmendje situata në Byronë Politike dhe po qe se nuk do të zhvillohej siç e kishin parashikuar këta tradhtarë, atëherë do të përdorej dhuna.
E mirë informuara Fiqret Shehu, gjatë gjykimit të saj shpjegoi: ”Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu që kryesonin grupin tonë, kishin menduar dhe masat që duheshin marrë e veprimet që duheshin kryer në rast se Byroja Politike nuk do të ishte dakord që Mehmet Shehu të zgjidhej Sekretarë i parë… Në këtë rast do të përdorej forca, do të arrestohej personi që do të kundërshtonte propozimin e Kadri Hazbiut për Mehmet Shehun, duke hyrë në veprim Feçor Shehu e të tjerë… Dhe në qoftë se shumica e anëtarëve të Byrosë do të shprehej kundër atij propozimi, do të arrihej deri në rrethimin e Selisë së Komitetit Qendror me tanket e repartit të Gardës së Republikës që do të urdhëroheshin nga Feçor Shehu. Ndërsa Kadri Hazbiu do të mbante në gatishmëri repartin e tankeve në Sauk dhe po të ishte e nevojshme, do të urdhëronte përdorimin e menjëhershëm të tyre… Do të aktivizoheshin edhe Mihallaq Ziçishti me Llambi Peçinin për arrestimin e izolimin e atyre personave që do të bëheshin pengesë për marrjen e drejtimit të Partisë e të shtetit nga Mehmeti dhe Kadriu…”
III- Nga zhvillimi i gjyqit rezultoi plotësisht e provuar se të pandehurit Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Gani Kodra, Ali Çeno e Xhavit Ismailaga, në bashkëpunim me agjenturat e huaja, kanë kryer veprime terroriste për likuidimin fizik të Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë.
Të gjitha fitoret që kanë arritur Partia e populli jonë, prestigji dhe autoriteti që gëzojnë ato sot në botë, janë të lidhura pazgjidhshmërisht me shokun Enver Hoxha, themeluesin e Partisë tonë, luftëtarin e orëve të para kundër fashizmit e tradhtisë, kundër imperializmit e revizionizmit, marksist-leninistin e shquar, njeriun më të dashur e më të shtrenjtë të popullit shqiptar. Prandaj, është e natyrshme që tërë planet e armiqve tanë të jashtëm e të brendshëm kanë synuar dhe likuidimin të Udhëheqësit të Partisë e të popullit.
Për arritjen e këtij synimi, poliagjenti Mehmet Shehu ka menduar dhe vepruar, në bashkëpunim me padronët e tij, që gjatë Luftës Nacionalçlirimtare. Ai, me porosi të anglezëve, gjatë Operacionit të Dimrit 1943-1944, nuk shkoi me Brigadën e Parë në ndihmë të Shtabit të përgjithshëm të rrethuar nga gjermanët, me qëllim që të asgjësohej. Por siç dihet, jashtë vullnetit të armiqve, kjo u evitua. Shtabi e çau vetë rrethimin. Për këtë çështje, djali i tradhtarit Mehmet Shehu, i dënuari Bashkim Shehu ka deponuar: ”Siç më ka treguar Mehmeti, gjenerali anglez, nëpërmjet oficerit anglez që ndodhej në Brigadën e Parë, kishte urdhëruar që Brigada të mos shkonte në ndihmë të Shtabit të përgjithshëm, pra, ta linte Shtabin të asgjësohej. Unë, më ka thënë Mehmet Shehu, e bisedova këtë gjë me Fiqret Shehun dhe Tuk Jakovën dhe të tre ramë dakord me urdhrin e anglezëve. E vonuam disa ditë me radhë nisjen e Brigadës në ndihmë të Shtabit të Përgjithshëm…”.
Të njëjtat mendime ka pasur dhe shoku i ngushtë i tradhtarit Mehmet Shehu, Nako Spiro, njeriu i jugosllavëve dhe i prapaskenës së Beratit, i cili duke e pasur fjalën për shokun Enver Hoxha, i ka thënë Naxhije Dumes në Berat: ”Nëse Komandanti s’bindet, e bind koburja!”.
Siç rezultoi në hetuesi e gjykim, padronët i kanë dhënë Mehmet Shehut variante të ndryshme për ta asgjësuar fizikisht Sekretarin e Parë të Komitetit Qendror të Partisë të Punës së Shqipërisë. Zbatimin e kësaj vepre të poshtër terrori, Mehmet Shehu, me ndihmën e Llambi Ziçishtit ka dashur ta realizonte në vitin 1973 me anën e mjekëve që do të kuronin Enver Hoxhën, të cilët do t’i shkaktonin ndërlikime shëndetit të tij, për ta shmangur nga drejtimi i punës dhe pastaj ta çonin drejt asgjësimit fizik. Konsekuentë në realizimin e aktit terrorist armiku Mehmet Shehu dhe bashkëpunëtorët e tij i janë kthyer herë pas here këtij problemi, kanë shkëmbyer mendime e kanë thurur plane të reja për ta zbatuar atë. Për t’u theksuar janë përpjekjet e bëra në këtë drejtim në vitet 1980-1981.
Ngjarjet e Kosovës në pranverën e vitit 1981, kriza e rëndë politike që ka mbërthyer Jugosllavinë titiste dhe qëndrimi parimor, i hapur e i vendosur i Partisë tonë në përkrahjen e kërkesave të ligjshme të vëllezërve kosovarë, i bënë jugosllavët të kërkonin nga poliagjenti e terroristi Mehmet Shehu likuidimin fizik të Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të Partisë të Punës së Shqipërisë dhe përmbysjen e gjendjes së shëndoshë në vendin tonë. Lidhur me realizimin e kësaj veprimtarie terroriste, armikja Fiqret Shehu ka deponuar në hetuesi e në gjyq se i ka thënë Mehmet Shehut ta shpejtojë nisjen në Paris, pasi donte takim një person i agjenturës së huaj, i cili do të jepte disa porosi dhe një pako të vogël për të.
Pasi siguruan helmin me efekt të vonuar, pjesëtarët e organizatës kundër revolucionare të kryesuar nga poliagjenti Mehmet Shehu, përgatitën planin e detajuar të veprës terroriste dhe pastaj të marrjes së pushtetit, duke ndarë rolet e detyrat në vartësi të funksionit që kryente secili. Me hollësi e kanë sqaruar këtë moment armiqtë Fiqret Shehu, Llambi Ziçishti e Nesti Nase gjatë gjykimit të tyre. ”Aty nga mesi i vitit 1981, nga ku unë u ktheva nga Franca dhe solla pilulat e helmit me efekt të ngadalshëm, Mehmet Shehu më tha se e kishte biseduar me Kadri Hazbiun çështjen e likuidimit fizik të
Udhëheqësit të Partisë dhe të rrugëve që mund të përdoreshin për arritjen e saj, ashtu siç e kishte biseduar këtë problem edhe me Llambi Peçinin”.
Armikes Fiqret Shehu ju ngarkua detyra që gjatë pushimeve në Vlorë, kur Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Partisë të shkonte për vizitë tek Mehmet Shehu, të gjente momentin për t’i hedhur në kafe helmin me efekt të vonuar. Armiku Llambi Ziçishti do manipulonte rezultatet e analizave teknologjike dhe të autopsisë mjekoligjore. Detyra të rëndësishme kanë pasur dhe anëtarët e tjerë të kësaj organizate. Kështu, i pandehuri Ali Çeno do lajmëronte në momentin e duhur Kadri Hazbiun e Feçor Shehun që të ndërhynin me forcë, duke përdorur dhe teknikën luftarake, kurse të pandehurit Llambi Ziçishti e Llambi Peçini, ishin ngarkuar të bënin arrestimet e nevojshme.
“Në një bisedë që kam bërë kohët e fundit me Mehmet Shehun, ai më ka thënë: ’Kur të bëhet puçi, me detyra janë ngarkuar edhe Llambi Peçini e Mihallaq Ziçishti. Konkretisht ai më tha se Llambi Peçini e Mihallaq Ziçishti do të përdoren për të kryer arrestimet e nevojshme’”. Ndërsa i dënuari Nesti Nase ka shpjeguar: ”Mehmet Shehu më tha: ’Ka ardhur koha që ndryshimet të bëhen me pahir, ose me anë të forcës. Dhe, për këtë problem kam biseduar edhe me Feçorin e Kadriun, të cilët janë ngarkuar se si do të veprojnë. Ti Nesti duhet të mendosh për të vepruar menjëherë për të justifikuar ndryshimet që do të bëhen në udheheqje dhe qëndrimet që do të mbajmë’”.
Siç u vu në dukje më sipër, për të dalë nga gjendja e rëndë që kalonte Jugosllavia, më 16 dhe 17 dhjetor të vitit 1981, nëpërmjet agjentëve të saj Feçor Shehu e Kadri Hazbiu, UDB-ja i trasmetoi Mehmet Shehut që: ”Enver Hoxha të vritej me çdo kusht me armë zjarri, edhe në mbledhje, qoftë duke u vrarë dhe ti vetë”. Terroristi Mehmet Shehu u ndodh në udhëkryq. Nga njëra anë Byroja Politike e Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë i kërkonte llogari për fejesën e djalit dhe për veprimet e tjera antiparti, nga ana tjetër UDB-ja e urdhëronte për veprim. Në konsultë me bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, ashtu si dikur, shokun i tij Nako Spiro, ky vendosi dhe vrau veten që të shpëtonte ‘të kaluarën e tij të lavdishme’, gruan dhe fëmijët dhe të mos jepte llogari përpara Partisë e popullit për punët e poshtra që kishte bërë tinëzisht për 43 vite rresht. Por, në saj të vigjilencës së saj, Partia i zbuloi fijet e këtij komploti dhe e shpartalloi atë.
Zbulimet e huaja nuk u tërhoqën nga dështimi që pësuan me vetëvrasjen e poliagjentit Mehmet Shehu. Ato me çdo kusht kërkonin likuidimin fizik të Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë dhe realizimin e puçit ushtarak monstruoz për përmbysjen e pushtetit popullor në Shqipëri. Për këtë qëllim, zbulimi jugosllav shpejtoi nxjerrjen e bandës së terroristit Xhevdet Mustafa e cila zbarkoi në vendin tonë në zonën e Divjakës duke u gdhirë 25 shtatori i vitit 1982 për të marrë lidhje me të pandehurin Kadri Hazbiu, etj…(Vijon nesër)
Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi
SOM 1
“Armikes Fiqret Shehu ju ngarkua detyra që gjatë pushimeve në Vlorë, kur Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Partisë të shkonte për vizitë tek Mehmet Shehu, të gjente momentin për t’i hedhur në kafe helmin me efekt të vonuar. Armiku Llambi Ziçishti do manipulonte rezultatet e analizave teknologjike dhe të autopsisë mjekoligjore. Detyra të rëndësishme kanë pasur dhe anëtarët e tjerë të kësaj organizate. Kështu, i pandehuri Ali Çeno do lajmëronte në momentin e duhur Kadri Hazbiun e Feçor Shehun që të ndërhynin me forcë, duke përdorur dhe teknikën luftarake, kurse të pandehurit Llambi Ziçishti e Llambi Peçini, ishin ngarkuar të bënin arrestimet e nevojshme”.
SOM 2
”Pasi siguruan helmin me efekt të vonuar, pjesëtarët e organizatës kundër revolucionare të kryesuar nga poliagjenti Mehmet Shehu, përgatitën planin e detajuar të veprës terroriste dhe pastaj të marrjes së pushtetit, duke ndarë rolet e detyrat në vartësi të funksionit që kryente secili. Me hollësi e kanë sqaruar këtë moment armiqtë Fiqret Shehu, Llambi Ziçishti e Nesti Nase. ‘Aty nga mezi i vitit 1981, nga ku unë u ktheva nga Franca dhe solla pilulat e helmit me efekt të ngadalshëm, Mehmet Shehu më tha se e kishte biseduar me Kadri Hazbiun çështjen e likuidimit fizik të Enver Hoxhës, ashtu siç e kishte biseduar këtë problem edhe me Llambi Peçinin”
NESËR DO TË LEXONI:
-Vendimi nr. 08 i Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë për të pandehurit Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Gani Kodra, Ali Çeno, Xhavit Ismailaga.
-Cilat janë akuzat e tyre veçmas dhe në bashkëpunim si anëtarë të “Grupit armiqësor të vënë në shërbim të zbulimeve të huaja.
-Masa e dënimit që i kërkon gjykatës Prokurori i Përgjithshëm Rrapi Mino për secilin nga të akuzuarit.
Sa do te deshiroja te lexoja librat e Karl Marksit dhe Leninit ne shqip … teorit e ketyre njerzve me inteligjence te shumfishte … “Kritikat per ideologjine Gjermane” …. “Maniskripti Ekonomik -vol1,2,3” dhe te mos harrojme “Imperializmi , faza me larte e Kapitalizmit” … une i kam ne kompjuter por jane ne formatin PDF dhe anglisht …veshtire te kuptohen … do deshiroja qe keto libra te silleshin dhe njehere ne treg ne gjuhen shqipe… une jam 19 vjec … besoj dhe se moshataret e mi do ti blinin keto libra… do deshiroja ti prekja me dore keto libra … do deshiroja ti lexoja ne gjuhen time , qe ti kuptoj me mire , ti kushtoj 2 ore te jetes sime ketyre librave … Kete deshire e kisha qe kur isha 15 vjec … Edhe pa lexuar keto libra po arrij te kuptoj maskaralleqet e kesaj bote , sesi Amerika e ka mberthyer ket bote me iluzione , sikur po zhvillohemi , sikur po jetojme ne demokraci … sesi e njollosi komunizmin me ane te agjneteve te saj qe inflitronte neper bote per te rrezuar qeverite … arrij te kuptoj si sillen borjgezet , psikologjine e tyre , egozimin … sesi filmat Amerikane kane permbajtie hipnotike per te manpiluar mendiet e njerzve … dhe jo me te lexoj librat e Marksit … Sa shume me nevoiten keta libra …