Arbana Xharra, Kryeredaktorja e gazetës “Zëri, është ndër 10 gratë, të cilat u nderuan në Uashington me çmimin prestigjioz ndërkombëtar për Gra të Guximshme që jep Sekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kerry. Me një karrierë të gjatë në gazetari, së fundmi ajo është vënë nën shënjestrën e grupeve ekstremiste islamike për shkak të raportimeve që ajo i ka bërë këtij fenomeni. Në një intervistë, zonja Xharra tregon emocionet e marrjes së çmimit si dhe gjendjen e vështirë ekonomike në Kosovë që sipas saj po shfrytëzohet nga grupet ekstremiste islamike.
Znj. Xharra, si u ndjetë në ceremoninë e dhënies së një çmimi kaq të rëndësishëm, siç është ai Gra të Guximshme, të dhënë nga Departamenti i Shtetit Amerikan?
Në fakt emocioni është shumë i madh kur vlerësohesh dhe merr një mirënjohje kaq të madhe nga një shtet mik i shqiptarëve, nga Departamenti i Shyetit Amerikan, është një ndjenjë e papërshkueshme. Të jeshë në mesin e 10 fituesve, nga mbarë bota, ndërkohë që 97 propozime kanë qenë, nga ambasadat e vendeve të ndryshme , është një kënaqësi e veçantë. Kur sheh, po ashtu, edhe të mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së që kanë ndaj shqiptarëve në përgjithësi, sepse kur je jashtë vendit ndjen se flitet për gjithë shqiptaret, kënaqësia është më e madhe. Po ashtu, çmimi është marrë për të gjithë Europën sepse kanë qenë në garë dhe shtetet e tjera, dhe me të vërtetë është një kënaqësi e madhe të të vlerësohet puna, mundi dhe sfidat me të cilat unë jam ballafaquar. Por njëkohësisht nuk është mirë që të dish që, të jesh vende ende me probleme siç janë vendet nga të cilat kanë ardhur fituesit e këtij çmimi, Afganistani, Bangladeshi, Siria, e nga shumë vende të tjera në zhvillim, megjithatë është një ndjenjë e mirë që të shohësh fokusin ndërkombëtarë tek ne, tregon se nuk na kanë harruar.
Pra znj Xharra, ju këtë vlerësim të Departamentit të Shtetit e shihni si një vlerësim të punës dhe sakrificës suaj, apo për shkak, të asaj që edhe ju thatë, që ndërkombëtarët dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ende nuk kanë larguan fokusin nga Kosova?
Në momentin kur unë jam nominuar nga ambasada kanë kërkuar dhe kanë marrë shumë të dhëna për punë time, për temat që unë kam zhvilluar ai për ato të korrupsionit ashtu edhe për çështjet e radikalizmit fetar. Siç dihet, tashmë është një problem shumë i madh e që gjithë bota po ballafaqohet , ISIS. Në fakt kjo çështje është një nga hulumtimet e para që janë bërë. Në vitin 2012, unë kam zhvilluar për 8 muaj, 88 intervista, në Kosovë, Maqedoni dhe në Londër. Pas publikimit të këtij shkrimi edhe në mediat ndërkombëtare ka pasur një interesim shumë të madh , ndërkohë që kërcënimet ndaj meje kanë nisur pas publikimit të këtyre historive. Raportimi im ende nuk ka përfunduar për këtë çështje, por ka nisur të shpërndahet një ideologji e cila nuk është pjesë e identitetit tonë shqiptar.
Normalisht , kam marrë dhe vazhdoj të marr, edhe pas këtij çmimi, kërcënime nga këto grupe, që më thonë ;ti je e nderuar nga amerikanët por amerikanët janë kundra nesh..
Këto kërcënime vijnë nga shqiptarë, po nga trevat që ju thatë se keni bërë intervistat?
Po këto kërcënime vijnë nga shqiptar të cilët fatkeqësisht zhvillojnë dhe tentojnë të shpërndajnë këto ideologji. Fatmirësisht këta janë ende grupe shumë të vogla ndaj dhe ne duhet të punojmë që të mos lejojmë që ata të mos zhvillojnë një ideologji të tillë në vendin tonë.
Nga intervistat që ju keni bërë, 83 të tilla, a keni mundur të arrini një përfundim sa i përket financimit të grupeve terroriste? Kemi të bëjmë me persona të financuar apo thjeshtë ata që përkrahin një ideologji të caktuar për t’u bashkëngjitur një lufte që nuk është pak shqiptare?
Unë po ju them se si ka nisur në Kosovë. Pas luftës kanë ardhur shumë organizata, sidomos nga vendet arabe, për çështje humanitare. Fillimisht kanë pas interes tek fëmijët, 6-12 vjeç, ku u janë ofruar kurse të gjithëve të huaja apo dhe kompjuteri pa pagesë, dhe më pas ju kërkohet të mësojnë për fenë. Po ajo që ndodh është se ata aty vihen në kontakt me një islam tjetër, që nuk është a i traditës shqiptare të besimit, dhe sot kemi të bëjmë me një gjeneratë që është rritur e që besojnë në një ideologji tjetër por që jetojnë në kushte shumë të varfra. Së fundmi unë kam qenë në disa familje që ju kanë bashkëngjitur luftës në Siri dhe ata janë shumë të varfër. Domethënë është gjendur një terren shumë i përshtatshëm, ku është shumë e lehtë t’u bëhet shpëlarja e trurit dhe është shumë e lehtë t’u ofrohet qasja e këtyre predikuesve. Kur shohim familjet e atyre që kanë shkuar të luftojnë përkrah ISIS shohim që ata jetojnë në kushte të mjerueshme. Pra nëse ne do të vazhdojmë të jemi të izoluar , pa liberalizim vizave dhe në gjendje të rënë ekonomike është shumë e lehtë zhvillimi i kësaj ideologjie sepse nëse një njeri nuk ka rast të shoh vlerat europiane është më lehtë të bindet e të shkojë atje ku luftohet.
Si e shikoni rolin dhe ndikimin e institucioneve shtetërore në Kosovë, qoftë në parandalimin e këtij fenomeni ashtu edhe në ndihmën sociale që mund t’i ofrohen këtyre shtetasve?
Mund t’ju them se kemi një ambient perfekt për shtrirjen e kësaj ideologjie, pasi në fakt kemi një qeveri me njerëz të korruptuar . Kemi pak opsione edhe në opozitë pasi edhe aty ka njerëz të përfolur për korrupsion. Këto grupe e kanë shumë të lehtë t’u thonë këtyre të rinjve shikoni se kë keni në qeveri, shikoni se sa të korruptuar janë drejtuesit e vendit. Kemi njerëz të shndërruar në miliarder në një vend ku varfëria është në mbi 30% dhe varfëria ekstreme është shtrirë në mbi 17-20 % të popullsisë. Pra, nuk kemi një shembull të mirë të pushtetit që mund të bindë njerëzit që mos të radikalizohen. Mund të thosha se ambienti është perfekt për ta shfrytëzuar këtë situatë dhe për të rritur shtrirjen e kësaj ideologjie.
Korrupsioni është në nivele më të larta të qeverisjes në Kosovë?
E keqja është se vazhdojmë të kemi njerëz të korruptuar, përkundër shumë fakteve për ta.
Znj. Xharra, keni denoncuar shpesh ngjarje korruptive, por rastet e kërcënimit kanë qenë vetëm nga grupet islamike apo të përfshirë në to kanë qenë edhe njerëz që ju i keni denoncuar si të përfshirë në korrupsion?
Unë jam në gazetari që në vitin 2001. Gjatë karrierës sime kam pasur shumë artikuj ku kam denoncuar përfshirjen e zyrtarëve në korrupsion. Kjo ka sjellë kërcënime të vazhdueshme ndaj meje. Njerëz të panjohur kanë hyrë në shtëpinë time, kam pasur disa raste kërcënimi, edhe të fëmijëve. Së fundmi po ballafaqohem edhe me një padi gjyqësore, nga disa biznese të cilat mbështesin partinë në pushtet. Mirëpo këta grupe kanë në shënjestër dy djemtë e mi. Fatkeqësisht këto kërcënime i kam marr nga këto grupe radikale islame.
Por policia apo sistemi i drejtësisë ç’farë ka bërë? Ju ka ofruar mbrojtje?
Disa javë, para se të vija këtu, ka pasur një deklaratë të një grupi të rinjsh mysliman ku dëshmonin qasjen e tyre radikale duke shpërndarë materiale fetare në qendër të Prishtinës. Unë kam reaguar dhe kam kërkuar që kjo të mos lejohet sepse ne jemi një shtet sekular me një Kushtetutë jo fetare. Pas këtij reagimi kam marrë kërcënime të shumta, mbi 200 të tilla. Ngjarjen e kam dërguar në policisë, dhe sipas informacioneve të miat, jo zyrtare, janë duke u identifikuar personat, por deri më tani, nuk kam informacione zyrtare se çfarë po ndodh.
Sa e vështirë ka qenë për ju realizimi i 83 intervistave, të cilat unë nuk besoj se ju kanë mikëpritur,?
Nuk është e lehtë të shkosh në shtëpitë e këtyre personave kontravers, e tu kërkosh llogari për ata çfarë ato bëjnë, të sqarohen se nga i marrin mjetet teksa thirren në besim islam dhe njëkohësisht kanë dhe një jetë luksoze. Unë kam kërkuar të gjej burime financiarë të tyre . Nuk ka qenë e lehtë t’u afrohesh atyre me paragjykimet që kanë sepse në fillim duhet t’u përgjigjesh pyetjeve të tyre. Pse ke shkuar, kush të ka dërguar e më pas të marrësh përfitimet e tyre. Pas publikimit të shkrimit kam nisur lançimin dhe presionet me të mëdha që arritën deri aty sa, më shpallën islamofobia e vitit 2013. Në një faqe interneti ishte vendosur fotoja ime dhe unë marrë mbi 5 mijë vota të njerëzve që më shpallin si të tillë. Pra, pas këtij lançimi që të bëhet, presioneve, pasi të kërcënojnë edhe fëmijët nuk është aspak e lehtë, por unë do të vazhdoj të përcjellë këtë temë, sepse kam vendosur të rris fëmijët e im e të vazhdoj të jetoj në Kosovë.
Ju thatë që gratë që u vlerësuam me këtë çmim, ishin nga vende në zhvillim si; Bangladeshi, Afganistani etj. Mos do të thotë se gjendja në Kosovë është si në këto rajone?
Në fakt ne jemi shumë afër Europës, jo vetëm gjeografikisht. Nga Bangladeshi është një gazetare që është rrahur aq keq sa ka dy operacione në gjurin e saj. Gruaja tjetër e vlerësuar është pilote nga Afganistani, të cilat kur flas me to, më thonë se kanë frikë të kthehen në vendet e tyre. Fatmirësisht ne nuk jemi në atë gjendje. Pilotja ka probleme edhe me rrethin e saj familjarë. Është shpallur jo besimtare vetëm pse është pilote, një profesion ky për të cilin duhet të ishte vlerësuar dhe jo të ballafaqohej me këto probleme. Po të dëgjojmë këto histori le të kuptosh që ne jemi më mirë, nuk jemi në këtë gjendje. Gazetarja nga Bangladeshi tregon se në aspektin e gazetarisë jemi shumë më mirë se ata, por në aspektin ekonomik jemi shumë keq. Dhe kur tregoj për nivelin e papunësisë ato çuditen për gjendjen tonë, dhe pse vijnë nga vende në zhvillim.
*Tonight Ilva Tare

Vleresim mese i merituar per punen e saj .Bravo Arbana!