Universalja e karikaturës

Leda Hysa

    MOIKOM ZEQO

Nga lashtësitë e hershme ka mbetur gati në mënyrë proverbiale shprehja e piktorit të vjetër kinez Ci Bai Shi: “Një imazh është sa një mijë fjalë”

Në të vërtet kemi të bëjmë me një ligj apo dialektikë estetike që kapërcen dhe kohën.

Imazhi pikturik mbërthen në vetvete një simbolike  ekumenike dhe një ndjeshmëri të alternuar.

Nëse vetë arti i pikturës i  parakupton domethëniet e veta në një paraqitje,- ndonëse të palëvizshme më,- por në një lëvizshmëri domethëniesh,- ahere ne mund të kuptojmë pse një imazh mund të thotë diçka më shumë edhe se një mijë fjalë, po guxoj të shtoj – edhe më shume se dhjetë mijë fjalë.

Dihen lidhjet e piktografisë me hieroglitin ,- deri tek alfabeti i abstraguar fonetik.

Por kur flasim për artin pikturik,- cdo gjë mund të artikulohet,- sipas shprehjes së famshme të Leonardo Da Vincit, i cili ka vdekur në vitin 1519,- pra 500 vjet më parë,- që në Traktatin e Pikturës ka shkruar, se “Piktura është një Poezi memece, ndërsa Poezia është një Pikturë që flet.”

Në të tëra zhanrat pikturike, abstragimin më të madh në simbolikën e ka arti i karikaturës.

Pse vallë imazhi në karikaturë abstragohet në në mënyrë të tillë që përjetëson ide të mëdha, shpesh edhe të skajshme?

Nga buron kjo fuqi e pamatë dhe e brendshme e karikaturës?

Pse karikatura meriton të cmohet shumë më tepër dhe se karikturistët janë shpesh edhe mendimtare të shquar,- ndonëse nuk shkruajnë fjalë?

 

***

Prej vitesh e njoh Arben Meksin,- i lindur në qytetin marramendës të Vlorës,- të diplomuar në arkitekturë-, i cili që nga viti 1985 dhe deri më sot ka lëvruar me guxim dhe me finesë të hollë, artin e karikaturës.

E njoh mirë koleksionin e karikaturave të Arben Meksit.

Ashtu sic njoh dhe një koleksion tepër të vecantë , por të mrekullueshëm të fotografive të bëra prej tij me një stil dhe përjetim të spikatur.

Por koleksioni i fotografive të bëra prej Meksit ende nuk e njeh paraqitjen publike.

Arben Meksi kohët e fundit është i vlerësuar,- jo brenda Shqipërisë .

Ai ka fituar Cmime Ndërkombëtare edhe në Turqi,  Itali, Qipro, në Serbi, në Belgjike dhe në Maqedoni.

Pra Meksi është bërë një subjekt i Artit Bashkëkohor dhe Global të Karikaturës.

Kjo është një arritje jo e vogël,- për të mos thënë ,-se është një arritje me se e meritueshme.

Disa herë jam nisur të shkruaj diçka për karikaturat e Arben Meksit.

Kjo nuk ka të bëje më miqësinë time me të,- por është e vështirë që ta realizosh profilin artistik të Arben Meksit.

Nuk duhet harruar që Karikatura Shqiptare ka krijuar një traditë pllenuese dhe origjinale,- jo më shumë se një qindvjeçare.

Karikatura,- e cila mbijeton mes koncepteve politike dhe përplasjeve të ideologjive të mëdha , arrin të strukturoje idenë e humorit dhe të mendimit kriticist,- që posedon mundësi të thella të Ripërtëritjes- dhe të Mbijetesës të së Vërtetës.

Me të vërtet lindja e karikaturës,- të paktën, që nga epoka e artit babilonas,- ka të bëje gjithmonë me hiperbolat dhe groteskun,- me një fuqi inteligjente,- që nuk mbaron,- por vetëm ftillëzohet.

Karikatura  ngjan si ajo Lufta Zarathustriane- midis të Mirës dhe së Keqes.

Humori dhe satira janë sharmi dhe aspekti luftarak, janë pazmorja dhe shpata e karikaturës.

Por karikatura në artin pikturik është një “shpikje e metaforës.”

Kujtoni,- fjala vjen edhe pikturën e famshme emblematike të shekullit të XX “Guernikën” e Pablo Pikasos.

Në këtë pikturë tragjike Pikasoja grotestizon tiparet dhe vijat duke simbolizuar deri në kulm një karikaturë sublime,- me në kumt të hatashëm dhe të pa shkatërrueshëm dot.

Në të gjithë aspektet “Guerrnika” i largohet çdo lloji kuptimi apo nënkuptimi thjeshtëzues, empirik,- ndoshta dhe pezhorativ të karikaturës.

Shembulli i mësipërm tregon ngultasi se cfarë shpërthimi ka në vetvete karikatura.

Karikatura është në akt publik,- ku përditshmëria shpaloset e shpejt, -plotë me vrull dhe pa asnjë kompromis- duke krijuar disa lidhje në dukje të brishta,- por në të vërtet të dukshme me Përjetësinë.

Arben Meksi e ka kuptuar Natyrën e Karikaturës.

Ai prandaj është karikaturist i shkëlqyer.

 

***

Vështrimi i tij inteligjent bën prerje kirurgjikale të realitetit,- apo të shumësisë të paradokseve ,- që ashtu si “matrioshkat ruse” pjellin njëra tjetrën,- nga më e madhja,- tek më e vogla,- dhe ndërsjelltas.

Arben Meksi është me Letër Kredenciale e artistit shqiptar të karikaturës në globalizmin poliform dhe multikulturalist,- të vete karikaturës.

Arben Meksi mbështetet tek mjeshtëria e kërkuar, por dhe plot imagjinatë e vizatimit.

Ai bën pjesë në një galeri të karikturistëve shqiptarë si Zef Bumci, Petrit Konci, Enriko Veizi, Shtejfen Palushi, Ilir Pojani, Bujar Kapexhiu, Agim Sula, Medi Belortaja, Kosta Raka etj.

Karikatura shqiptare ka “leximet” e saj.

Në shumicën e rasteve karikatura stimulon teresinë e germave të epigramave, të satirave,- por edhe të fabulave, anektodave si dhe parabolat.

Karikatura  shpreh gjithmonë një botëkuptim të koncentruar,- kjo përbën stilin,- forcën dhe- angazhimin social -dhe mendor të Arben Meksit.

Duke i riparë me kujdes dhe me këndellje, karikaturat e Arben Meksit të krijohet ideja e disa filmave me kartona,- të cilët nuk bazohen thjeshtë tek vijimësia e sekuencave,- por nganjëhere edhe tek një imazh,- tek një karikaturë e vetme,- që ka pjesë dhe elemente përbërëse,- sipas parimit të simultanizmit,- pra i subjekteve në kohë dhe në hapësira të ndryshme,- brenda të njëjtit imazh.

Në këtë optikë vlerësohet në të vërtet forca krijuese e artistit të karikaturës.

Karikatura në shumë pika e tejkalon pikturën tradicionale, ajo apelon me anë të gjestikulacioneve,- ka fuqi shkatërruese, -në emër të idesë së ndërtimit të tjetër lloji,- është një gjuhë universale,- në një semantike të shijueshme nga të gjithë,- pa përjashtim,- karikatura e plotëson botën njerëzore,- në pak realizime dhe linja lakonike,- të zdërvillta,- por edhe në dukje të pabesueshme.

Karikatura është një “betejë e betejave.”

Ajo ngërthen dhe përhap konceptin Heraklitian të kontradiktave,- që sjellin ndryshueshmëri të pafund.

Në përgjithësi artistët e karikaturës janë dhe heronj të etikës.

Më saktë duhen quajtur mjeshtra të dialektikës.

Tashmë karikturisti i njohur Arben Meksi ka përhapur rreth e qark alegoritë e hijeve dhe të sentencave të tij të vizatuara.

Ai konstrukton fabula filozofike që të kujton aktin rebel të Erazmit të Roterdamit apo të Volterit.

***

 

Arben Meksi ka lindur në Vlorë në 16 Prill 1954, – viti 2019 është  i 65 vjetorit të tij.

Puna e tij e jetës natyrisht nuk mund të shkëputet aspak edhe nga projektet arkitektonike, konceptet e tij kulturore janë gjeometrizuar në karkasat dhe siluetat e ndërtimeve, që lidhen me emrin e tij.

Ky njeri i vërtet dhe serioz, i dashur dhe i ditur,- që beson ende tek e Mira dhe e Bukura,- e ka shpërndarë personalitetin e tij rreth e qark,- dhe në formën e kipseve të hiperbolizuara të karikaturës,- pa harruar edhe ndjesinë delikate dhe ëmbëlsisht estetike të fotografimit të perëndimit të Diellit- në gjirin e Vlorës mbi Akrokeraune,- apo dhe në ishullin e Sazanit.

Share This Article
6 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *