Vajza e kryeministrit Berisha dhe bashkëshorti i saj reagojnë ndaj akuzave të ditëvetë fundit nga ana e socialsitëve për pasuritë e mëdha.
Në një deklaratë të tyre, Çifti Malltezi e akuzojnë kryetarin e PS-së për shpifje dhe shphehen se pasuria e tyre është e ligjshme dhe e deklaruar.
“I kapur në panik nga zbulimi i korrupsionit të tij, të familjareve dhe të bashkëpunëtorëve të tij, z.Rama nën moton “shpif, shpif se diçka mbetet”, vazhdoi sot për të 13-tën herë sulmet e ulëta politike dhe pa asnjë fakt në lidhje me të ardhurat tona dhe burimet e tyre plotësisht transparente. Ne u kemi faktuar institucioneve shtetërore dhe shqiptarëve se të ardhurat tona janë të qarta, nga burime të pastra, të ligjshme dhe te njohura, të përfshira në mënyrë të plotë në deklarimin pranë organeve tatimore dhe ILDKP, të cilat janë dokumente publike, që mund të disponohen nga kushdo. Këto të ardhura janë krijuar nga aktiviteti profesional, mësimdhënie, kërkim shkencor, botime librash profesionale, pjesëmarrje në konferenca kombëtare e ndërkombetare, qera nga apartamente në pronësinë tonë dhe trashëgimi familjare; të gjitha këto të përfshira dhe të vërtetuara me firmat tona dhe punëdhënësve tanë, me derdhjet bankare dhe me kontratat përkatëse të deklaruara në organet tatimore dhe ILDKP; dhe e kemi bërë këtë vite më parë se ligji të kërkonte një gjë të tillë. Këto institucione kanë bërë kontrollet e tyre dhe kanë dalë me njoftim zyrtar duke i konsideruar ato transparente dhe konform ligjit. Këto kanë qenë dhe janë standardet tona”, thuhet në njoftimin për media të çiftit Malltezi.
Më tej, ata i kërkojnë kreu të opozitës të bëjë transparencë në lidhje me shumën prej 100 milion lekësh, e derdhur sipas tyre në llogarinë e zonjës Rama, në formën e një huaje pa interes.