“Fokusi im kryesor për momentin është familja. Fëmijët i kam mjaft të vegjël dhe janë ende në një moshë, që kanë nevojë për mua. Nëse një ditë, kur të kemi realizuar atë që dua të realizoj me fëmijët dhe do të jem e interesuar nga politika, kjo do të jetë e hapur”.
Pyetja ishte, “a do të hyni në politikë”. Kjo është përgjigja e fundit e Argita Berisha Malltezit, në mbyllje të një interviste të gjatë, e para shfaqje mediatike e saj, në emisionin e Blendi Fevziut në tetor 2006. Arsyeja, apo “skandali” që provokoi daljen e vajzës së kryeministrit në skenë ishte buja që shkaktoi deklarata e saj e pasurisë, që pasqyronte një shumë disi më pak se një milion dollarë të kursyera nga ajo dhe i shoqi. “Ku i gjeti kaq shumë, si ka mundësi”, pyetën të skandalizuar njerëzit dhe opinioni publik. Juristja vendosi të përgjigjet, dhe renditi tëk e tëk rrogat që ajo dhe bashkëshorti Jamarbër merrnin tek administrata e UNMIK-ut në Kosovë, ku ishin njohur edhe me Lulzim Bashën; numëroi edhe dietat, shpërblimet etj, dhe në fund u bë rrumbullak shifra e deklaruar. Foli me qetësi; edhe pse pa ndonjë oratori të veçantë, ishte e artikuluar dhe e fokusuar. Shkurt, la përshtypje të mirë. Kjo sigurisht nuk i ndaloi “gojët e liga” që të nesërmen të ngrinin pyetjen tjetër, si grindavecë që janë shqiptarët: “Mirë moj vajzë na i bëre mbledhjet dhe shumëzimet, por gjithë këto vite familja juaj nuk ka ngrënë bukë, nuk ka bërë pushime, nuk ka harxhuar karburant për makinën, s’ka paguar taksa, ujë e drita?” Por dynjaja pushoi shpejt, duke e kuptuar se tani po u hynte çikërrimave.
Gjithë intervista nuk na intereson, edhe pse duhet thënë se pas këtij eventi Argita s’para ka dalë në publik. Por përgjigja e saj për pyetjen e fundit, është kuintesenca e veprimtarisë së familjes Berisha gjithë këto vite. Argita nuk kishte pse të merrej me politikë, kur i ati vetëm një vit më parë kishte ardhur në pushtet. Ajo kishte një detyrë shumë më të rëndësishme: Të vilte frytet e pushtetit. Ndoshta shumëkujt sot mund t’i vijë për të qeshur (nga marazi e zemërimi) për llogaridhënien shumë serioze të Argitës për 800 a 900 mijë dollarë, e para dhe e fundit në jetën e saj deri tani. Që nga ajo kohë kanë rrjedhur shumë ujëra: Zona e Porto Romanos është rivlerësuar fuqishëm, gjiri i Lalzit është shndërruar në atraksion kryesor turistik dhe pronësor, studioja ligjore e vajzës së kryeministrit ka punuar non stop, si makinë qepëse për kontratat, shitblerjet dhe zhvendosjet e aksioneve të kompanive të Damir Fazlliçit, pa harruar përqindjen e “success fee” që ajo i kërkonte çdo investitori të huaj që kërkonte të punonte në Shqipëri. Vetëm një histori që pa dritën e shtypit, ajo me biznesmenin pakistanez Zafar Ansar që dëshironte të ndërtonte një TEC për 100 milionë euro, mjaftoi për të kuptuar mekanizmin e mprehtësisë juridike të studios së Argitës: Më jep mua 3 milionë euro dhe je në rregull; mos m’i jep dhe kthehu nga ke ardhur.
Kështu, me qetësi dhe metodikisht siç u shpalos “tek Fevzua” asokohe, ka punuar vajza e kryeministrit gjithë këta vjet. Ajo dhe familjarët e tjerë nuk kishin pse merreshin me politikë: Politika ishte e tyrja, dhe telefonat e ministrave e drejtorëve të mëdhenj, edhe sikur t’u kishte mbaruar bateria, hapeshin vetë. Projektet bregdetare “të Bankës Botërore” të të shoqit, bizneset e të vëllait, “bamirësitë” e së ëmës… të gjitha ishin livadhe e lëndina që mjaftonte t’i përshkoje dhe s’të pengonte kush. Ndonjë incident i vogël shpërthyes edhe bënte vaki, por askush nuk është perfekt.
Tani jemi në rrethana në epoka të tjera. Injeksioni “Basha” që Argita i bëri Partisë Demokratike në 2005-ën, këto ditë dha efektin e vet të plotë. Me përjashtim të disa deputetëve ish ministra që për shkak të inercisë janë ende në Këshillin e ri Kombëtar të PD-së, kjo strukturë është mbushur me gjakun e ri që solli kryetari i ri: Çunat e gocat që punojnë në bizneset e familjes Basha, tek-tuk emra disi hijerëndë që duhen patjetër për të vënë rregull, si ish zv.drejtori i përgjithshëm i policisë, dhe pinjoj të kontribuesve historikë të PD-së dhe pushtetit të saj, që i gjeni në shkrimin bashkëngjitur. A mund të thonë tani socialistët se PD-ja është pushtuar nga fenomeni i “neobllokmenëve”? Jo, do thonë nga selia blu, ata janë “neo-demokratë”, sepse siç tha dhe kryetari Basha, “ka ardhur koha të ndërtojmë demokracinë e re”.
Këta pra, “neo-demokratët”, janë tapeti i ri ku nuk është çudi që së shpejti të ecë Argita Berisha Malltezi. Në fillim ajo dërgoi përpara të shoqin, sepse tani e dimë si funksionon e bija e babait: Me përmbajtje dhe maturi. Sot e tutje ajo nuk ka më përballë pëdëistë origjinalë, nga ata që vërtet i bënin fresk Berishës, por që kishin ndërtuar, mirë apo keq, një eksperiencë dhe një profil të tyrin, që kishin qëndruar në ditë të zeza dhe të bardha. Ka çunat dhe gocat e Lulit, kësaj bime e cila u mboll me durim e kujdes në oborrin e PD-së nëntë vjet të shkuara dhe sot u rrit dhe po jep frytet, më të mbara se projektet e arrorëve.
Tek e fundit, “demokracia e re” që Basha po e përdor me qejf si term së fundi, ka funksionuar bajagi mirë në Greqinë fqinjë për shumë e shumë vite: Parti të lëna me trashëgimi nga xhaxhai tek nipi, nga babai tek vajza apo djali. Dhe nëse Sali Berishës më në fund do t’i dalë fjala për “skenarin grek” që e ka kaq shumë qejf, ai është pikërisht ky.

Nese nuk i priten rrenjet qysh tani ketij oktapodi, do ta qajme me lot Berishen e vertete, sic po qajme sot “kohen e Enverit”. Shqiperi, tundu, Shqiperi!
me pelqeu artikulli.Kam ndjesine se po ndodh vertet keshtu.Fillimisht behen miliardat,pastaj fusha hapet vete.Mungon vetem nje detaj i vogel per ti afruar titullit manifestin e famshem te me te ndriturit prej Frasherllinjve.Argjita çfare ka qene….Kam bindjen se ka qene nje mediokre studente,nje mediokre vullnetare e OKB-se, nje mediokre mize nen kesule,qe do leshohet politikes si Papandreu biri,Karamanlis nipi,bija Micotaqis,ose nga sponda pertej Adriatikut do ia kaloje ne protagonizem Aleksandra Musolinit,Stefania Kraksit e me tej,Marie Le Pen.Ajo do jete trashegimtarja,bishti i ri i PD,se koka nuk ka qene as i ati;koka kam bindjen se ka qene gjithmone jashte Shqiperise dhe jashte kufijve te saj do mbetet.
Gjermani i fundit? “…koka ka qënë gjithmonë jashtë Shqipërisë dhe jashtë do të mbetet…”!!?? E fortë kjo,shumë e fortë ? Ec e mos thuaj tani që edhe një gjerman të ngelet të hapen shumë telashe? Nderime! S’të mbetet gjë tjetër veçse ta nderosh të vetmin gjerman të ngelur?
Korrekt Gjermani fundit.
Argita është hajdute juridike dhe do të bëhet hajdute politike? Argita është e bija e babait dhe do të bëhet si babai? Argita është hajneshë dhe do të bëhet “neo hajneshë”? Oh sa ka për qënien dhe bërjen e Argitës? E ka hapur shumë lojën z. Alqi Koçiko me pyetjen që shtron e analizon në këtë shkrim? Vërtet hyn aty por zor të dalësh? Argita ç’është dhe çdo të bëhet ka aq shumë përgjigje dhe pyetje saqë mbytesh në detin e krijuar nga Alqi? Nga i gjen Thano-ja këta gazetarë klasi mor,nga i gjen? Nderime Koçiko!
KETO PLEHRA DUHEN FUTUR NE BURG !!!