Quhet Reshat Mati dhe nuk njeh rivalë, duke fituar trofe të shumtë në SHBA e botë
“Ariu shqiptar” është emri që po bën bujë në artet parciale në Amerikë, por jo thjesht për sukseset, të cilat nuk i ka të pakta. Ai është vetëm 13 vjeç dhe konsiderohet si fëmija-mrekulli në boks dhe arte parciale. Është kaq i avancuar në të gjitha disiplinat që stërvitet, sa që është praktikisht i pamposhtshëm. Është kampion i Amerikës në boks dhe shkëlqen në muai tai, kickboxing dhe mundje. Quhet Reshat Mati, jeton në Staten Island në SHBA dhe shpreson që në vitet e ardhshëm e gjithë bota të dëgjojë për të. Duket në rrugën e duhur, pasi deri tani nuk ka pësuar asnjë humbje në boks e muai tai. Babai i tij, Adrian Mati, tregon se i biri, prej katër vjetësh, është kampion bote në kickboxing, ndërkohë që është kampion i Amerikës Veriore në xhui xhitsu.
Megjithëse ka fituar gjithë këta tituj, Reshati nuk ndryshon nga moshatarët e tij më pak të famshëm, për shumë gjëra. Për shembull, ende bëhet nervoz kur nuk ia arrin për diçka në sy të babait, i cili e ka stërvitur që kur ishte në kopsht. “Dua t’i provoj babait se jam i zoti në boks”, thotë Reshati. Por, nga ana tjetër, rreth tij është ngritur shqetësimi i ligjshëm për shëndetin e tij, duke pasur parasysh numrin e goditjeve që merr në kokë. I ati këmbëngul se familja e kupton rrezikun e ushtrimit të sporteve të rëndë. “Nëse shoh që im bir goditet rëndë apo po rrihet keqazi në ndonjë ndeshje, do ta ndaloj ndeshjen menjëherë”. Deri tani nuk ka pasur asnjë problem, thjesht sepse 13-vjeçari nuk është mundur asnjëherë. Kur të ndodhë, me siguri që do të ngrihen pyetje, por, duke parë rrugën e tij deri këtu, me siguri që ajo kohë do të vonojë të vijë.
Bravo Ariu jone ! Hec aty __Kujdes , servitu forte –Beje trupin me muskuj ne menyre qe te mos te demtojne goditjet e kundershtarit
Suksese Nipce __Kampion Bote te dua te behesh sa me shpejt ……__
Edhe kujdes ushqimin !