Tre ministra, ca drejtorë, dy arkeologë të rinj dhe në fund mendohuni pak se kush do të “fitonte”?. Ishte pushteti, prepotenca dhe loja e nisur dhe e mbaruar në llum, ndaj dy specialistëve të rinj. Rasti i Ardit Mitit dhe Egla Serjanit, specialistë të arkeologjisë dhe trashëgimisë materiale, është i përzier me atë moment kur disa drejtues institucionesh hallin ta “qajnë”, por punë nuk të zgjidhin. Ndërsa disa të tjerë, të bëjnë të qash me veten, sepse përballë të vendosin drejtues të lartë të katapultuar nga shoqëria civile, që kur “mbarset” me pushtetin, ndoshta bëhet më e lig se vetë politika. Këtë histori me Institutin e Monumenteve të Kulturës, (IMK), Ministrisë së linjës dhe institucione të tjera të trashëgimisë e kanë dy specialistët Miti dhe Serjani. Kanë më shumë se dhjetë vite punë, që të gjitha me projekte të financuara nga organizmat e huaja, ndërsa kur vendosën që eksperiencën e tyre ta japin edhe në shtet, zyrtarët nuk të japin punën, të mohojnë kontributin dhe në fund të “heqin nga puna” edhe kur nuk je pjesë e administratës. Po, kjo ka ndodhur vetëm pak ditë më parë në Ministrinë e Kulturës dhe institutin me emër të gjatë, por me punë ca si shumë të vogla. Ndoshta të vetmet “privilegje” që patën dy të rinjtë ishin takimet me dy ish-ministrat e Kulturës nga radhët e PD-së, Aldo Bumçi dhe Visar Zhiti dhe takimi i fundit edhe me ministren e re të pushtetit të së majtës Mirela Kumbaro. Miti dhe Serjani menduan se pas dy vitesh mbajtje “peng” e një marrëveshjeje me IMK-në (nëntor 2011) dhe qëndrimit në një ambient të këtij institucioni do të vinte zgjidhja. Ministrja Kumbaro dhe tre drejtorë të “mëdhenj”, thërrasin Mitin dhe Serjanin dhe në vend të zgjidhjes i japin një mësim të mirë që një herë të iknin “bashkë me rraqet” nga zyra, e pastaj t’i linin ato dhe të largoheshin vetë. Sipas Mitit, ky takim i datës 22 të këtij muaji, nuk kishte të bënte fare me një shkresë anti-ligjore të IMK-së apo me një marrëveshje që i falte këtij institucioni një Databaze dhe disa pajisje si kusht për punësimin, (marrëveshje që hynte në fuqi në qershor 2012, por që nuk u zbatua kurrë), por me një punë më të madhe, e cila i ofrohej shtetit në dobi të trashëgimisë. Ndërsa arkeologia Serjani shprehet se: “në po këtë takim, pa lidhje direkte me historinë e lartpërmendur, na u komunikua se nuk mund të bëheshim pjesë e një projekti bashkëpunimi me ASHA-n, (Agjencinë e Shërbimit Arkeologjik), të financuar nga Komisioni Europian. Projekti nuk konsistonte vetëm në fushën e arkeologjisë, por ishte i fokusuar në studimin e peizazhit historik dhe ambiental, marrjen e të dhënave nga etnologjia, vendburimet hidrike dhe analizat e kampioneve të dherave për të parë evoluimin e shtratit të L. Vjosë gjatë mesjetës”. Në lidhje me këto problematika të shfaqura mes dy arkeologëve dhe ministrisë së Kulturës, ata në një intervistë për gazetën “Dita” tregojnë të gjithë peripecitë e përballjes me institucionet, deri në rrezikun që për shkak të burokracirave, prepotencës, paragjykimit dhe mungesës së profesionalizmit të disa drejtuesve të Ministrisë së Kulturës, rrezikohet që të humbasin dy projekte të rëndësishme të financuara nga organizmat perëndimorë në dobi të trashëgimisë kulturore.
Zoti Miti prej disa ditësh keni pasur një konflikt me Ministrinë e Kulturës. Mund të na thoni cilat janë shkaqet që sollën këtë përplasje dhe çfarë qëndrimi mbajti pala tjetër?
Prej dy vjetësh kemi pasur një insistim në kërkesa të vazhdueshme ndaj përgjegjësve politik të trashëgimisë për ofrimin e ekspertizës dhe kërkimeve tona personale dhe implementimin në shtet të teknologjive dhe filozofive të reja, në të mirë jo vetëm të dokumentimit përshkrimor dhe gjeografik të monumenteve dhe vendbanimeve arkeologjike, por edhe të parandalimit dhe vlerësimit të rreziqeve që i cënojnë ato. Megjithatë nga ana e ministres, jo vetëm që nuk u tregua interes, por me dërgimin e letrës sonë drejtuar kryeministrit Z. Edi Rama, u thërritëm në një takim ku na u bë e ditur se duhej menjëherë të linim zyrën në IMK, të dorëzonim arkivin dhe disa pajisje, e ne të merrnim pjesë në konkurse për “vende pune” si dhe të mos i shkruanim më Kryeministrit të vendit për këtë shqetësim. Në letrën dërguar Kryeministrit shprehëm zhgënjimin tonë për trajtimin absurd dhe mos interesimin nga ana e Ministrisë dhe IMK-së ndaj punës së ofruar. Paçka se kemi dy vite që punojmë në zyrën e IMK-së, për përmirësime dhe plotësime të sistemit (databazë e GIS) dhe nga shteti nuk kemi marrë asnjë përfitim financiar apo material, ministrja Kumbaro na komunikoi se nuk kishin nevojë për këtë implementim, pasi vetë Ministria është duke krijuar sistemin e vet. Për pretendimin e fundit të ministres, më lind e drejta të dyshoj, sepse një sistem i tillë kërkon njerëz të përgatitur, një punë të specializuar të gjatë në terren dhe laborator e aq më shumë përkushtim maksimal. Duke e njohur çështjen nga afër mendoj se si drejtues të lartë të ministrisë e po aq ajo e IMK-së, nuk janë të aftë të kuptojnë situatën e sotme të trashëgimisë kulturore, e aq më tepër të njohin implementime të reja që vende të zhvilluara i kanë prioritet.
Duke marrë shkak nga pretendimet e lartpërmendura, cilat janë disa nga problemet madhore që ka trashëgimia kulturore shqiptare?
Ndoshta duhet të ishte e fundit për lexuesin, por duhet ta them të parën: Njerëz të gabuar, në vende të gabuara. Pra, mosshfrytëzimi i kapaciteve njerëzore e intelektuale në raport me politikat parësore të trashëgimisë. Sot kemi monumente dhe vendbanime që cënohen nga fenomene natyrore dhe humane, e nga ana tjetër një mefshtësi reagimi nga institucionet përgjegjëse. Kjo jo vetëm nga mungesa e legjislacionit për mbrojtën e trashëgimisë kulturore që përdoret si justifikim i vazhdueshëm këtu e 20 vite, por edhe e mungesës së kontrollit territorial. Aktualisht në listën e monumenteve të kulturës të mbrojtura nga shteti janë qindra syresh, por që ende nuk ka një inventar të plotë të gjendjes së tyre. Disa dhjetëra nuk ekzistojnë më (psh, rasti i kalasë së Vokopolës në Berat, apo i disa banesave historike në qytetin e Shkodrës), të tjera të rrezikuara nga shkatërrimi i plotë, (Kalaja e Këlcyrës apo i gjithë peizazhit historik dhe arkeologjik të qytetit të Durrësit), apo të pavizitueshme e të padukshme si (kalaja e Ballecit në Malësi të Madhe, mozaiku i Tushemishtit në Pogradec, etj.). Me sistemin që morëm përsipër të implementonim në shtet, por që na u refuzua nga ministria, menjëherë mund të jepnim të dhëna të sakta dhe rekomandime mbi zonat në rrezik. Faktet aktuale tregojnë se monumentet po shkojnë drejt rrënimit përfundimtar (rasti i fundit i banesës së Hadërajve në Gjirokastër) dhe përgjegjësit që duhet t’i ruajnë e promovojnë, humbasin kohën në interpretime ligjore, apo “shpikje” grupesh pune, që vegjetojnë në zyra ose organizojnë takime pompoze mediatike.
Znj. Serjani, më lart jeni shprehur se ka një projekt të Këshillit të Europës ku përfitonte drejtpërdrejtë vendi ynë dhe mund të rrezikojë që të mos zbatohet. Cilat janë arsyet e një dështimi të mundshëm?
Në po të njëjtin takim që u zhvillua në ministrinë e Kulturës, nga ana e drejtuesve na u njoftua se unë bashkë me kolegun Miti nuk mund të ishim pjesë e këtij projekti. Arsyet sipas tyre ishin se ne nuk kishim ekspertizën e duhur për të realizuar këtë projekt në luginën e Vjosës dhe marrëveshja paraprake e kryer më parë mes Brukselit dhe ASHA-s, ishte jashtë ligjit pasi duhet të miratohej më parë në Këshillin Kombëtar të Arkeologjisë. Në po këtë të fundit duhej të miratohej edhe roli ynë si bashkëdrejtues të këtij projekti, por që licenca jonë sipas tyre nuk përputhej me punën konkrete që do zhvillohej në terren. I kujtojmë zonjës ministre dhe drejtorit të ASHA-s, që ky është thjesht një paragjykim dhe aq me keq nga njerëz që nuk kanë lidhje me arkeologjinë. Gjithsesi për sqarim, mund të them se ky projekt nuk ka të bëjë vetëm me arkeologjinë, por edhe me lidhjen e komunitetit lokal me vlerat e trashëgimisë dhe promovimit të saj. Ne të dy krijuam lidhjet dhe përzgjodhëm si partner të këtij projekti ASHA-n dhe u mandatuam si bashkëdrejtues të punës nga Brukseli. Në rast se do të lindte nevoja për ekspertë më të specializuar, në projekt është e parashikuar që të kontraktohen specialistë të fushave të ndryshme, përfshi edhe arkeologët. Marrëveshja paraprake e kryer një vit më parë, edhe pse ata e gjykojnë si jo ligjore, është shumë normale të kryhet para aktivitetit të terrenit, pra gjatë aplikimit të përfitimit financiar të projektit në përputhje me rregullat e BE-së. Për këtë i referohemi Ligjit 9048 Për Trashëgiminë Kulturore, datë 07.04.2003, Neni 41 dhe 43, ku shprehet qartë procedura e ndjekur. Ky refuzim që bie ndesh me rekomandimet e KE-së, rrezikon përjashtimin e ministrisë si partnere nga ky projekt dhe më tepër ndërprerjen e financimit të studimit në luginën e Vjosës. Së fundmi, këto dy probleme lidhen me çështje komplekse dhe madhore për vendin. Së pari, me një papërgjegjshmëri shtetërore kundrejt donacioneve të huaja që lidhen me prioritet e trashëgimisë kombëtare. Së dyti, me një impakt negativ me komunitetet lokale që përfitojnë indirekt apo direkt grante të KE-së. Ndërsa çështja e fundit dhe më e rëndësishme është imazhi negativ i shtetit shqiptar, ndaj partnerëve strategjikë evropianë.
Ha ha ha. Çfar zhgenjimi! Poprisni dhe pak te shikoni se çfare katastrofe do ndodhe me trashegimine antike. Mesohet se shkaterimi i strukturave ka nisur nga parqet arkeologjike qe se shpejti do te mbyllin dyert per vizitoret me nje urdher te ministres se kultures qe e nisi punen me nje vizite ne Paris ku jane zyrat e UNESCO-s dhe jo ne Berat qe eshte marre ne mbrojtje nga UNESCO!?.