Gara për universitetet përkon me vitin e fundit në të cilin pranimet e reja në degën e arkitekturës do të përzgjidhen përmes konkurseve specifike, të cilave do t’u nënshtrohen individualisht qindra kandidatë në datat 2 dhe 4 shtator. Kreu i Universitetit Politeknik në kryeqytet Jorgaq Kaçani, bën të ditur se për shkak të mosmbylljes së përgatitjeve në kohë, kjo nismë e planifikuara për t’u zbatuar që gjatë këtij cikli do të gjejë zbatim konkret duke filluar nga viti i ardhshëm akademik. Kjo pasi edhe për 2013 –ën, Senati Akademik vendosi të mos e zhvillonte, duke qenë se kërkesa pranë Ministrisë së Arsimit mbërriti me vonesë. Shkak ky, që la në fuqi konkurset, si forma e përzgjedhjes së qindra kandidatëve të rinj që do të mund të vijojnë studimet e larta publike në Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës, pjesë e Universitetit Politeknik të Tiranës. Megjithatë, risitë do të shoqërojnë edhe këtë vit procesin e zhvillimit të konkursit, ku një ndër to është edhe reduktimi i kohëzgjatjes së testimeve, nga tre seanca në dy të vetme. Gjithashtu ndryshime ka pësuar edhe orari i zhvillimit të testit. “Konkursi nuk do të zhvillohet në tre ditë, por në dy. Ditën e parë do të bëhet në sallë të mbyllur ku do të bëhet vizatimi teknik dhe gjeometri deskriptive dhe nga ana tjetër do të bëhet kompozimi arkitektonik. Të dyja këto rubrika do të kenë 40 pikë. Nëse deri dje janë zhvilluar në 8 orë, sivjet do të zhvillohen në 4 orë në sallë. Dita e dytë do të jetë një vizatim në natyrë dhe aty do të bëhet vlerësimi me 20 pikë”, bën të ditur rektori Kaçani. Ndërkohë sipas udhëzimit të Miratuar nga Ministria e Arsimit në lidhje me raportin e pikëve të maturës dhe konkursit, specifikohet se konkursi i arkitekturës zë rreth 60 për qind të pikëve, ndërsa rezultatet e maturës 40 për qind të pikëve në rezultatin final, me anë të cilit maturanti konkurron për të fituar statusin e studentit. “Jo të gjithë kandidatët që futen në konkurs dalin fitues për të ndjekur arkitekturën apo urbanistikën pasi pikët e tyre nuk janë të mjaftueshme. Kuotat janë të tilla që bëjnë edhe renditjen. Njëkohësisht vendoset edhe një nivel deri ku do të shkojnë pikët që do të pranohen pikët për të ndjekur fakultetin e arkitekturës”, ka deklaruar më tej Kaçani. Sipas tij me pezullimin e konkurseve të arkitekturës për pranimet e reja do të zbatohet një strukturë e re për selektimin e të rinjve që do të mund të vijojnë studimet e larta në këto degë. Përzgjedhja do të bëhet në fund të vitit të parë, përmes një testimi specifik. Në rast se atë nuk do ta kalojnë, do të mund të transferohen në një degë tjetër, por humbasin të drejtën që të vazhdojnë degën e arkitekturës.
