Ngrihet për herë të parë Fakulteti i Arkitekturës. Njohja e diplomave edhe jashtë vendit do të shoqërohet me kritere të rrepta në përzgjedhjen e kandidatëve që do të pranohen për të ndjekur studimet e larta në profilin e arkitekturës dhe urbanistikës. Rol të veçantë në përzgjedhje do të luajë edhe nota mesatare
Pranvera Kola
Diplomat e lëshuara në programet publike të arkitekturës dhe urbanistikës do të marrin tjetër status. Hapja për herë të parë e një fakulteti publik që do të ofrojë studime vetëm në këtë fushë do të shoqërohet me ndryshimin e statusit të diplomës, ku vlefshmëria e tyre tashmë do të njihet edhe jashtë vendit.
Lajmi konfirmohet nga vetë rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës, Jorgaq Kaçani, i cili shton gjatë kësaj jave do të ngrihet për herë të parë Fakulteti i Arkitekturës, ndërkohë që deri më sot këto programe studimore kanë qenë nën varësinë e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit. Ngritja e Fakultetit të Arkitekturës do të pasohet me një sërë risish sa i takon përfitimeve që do të kenë studentët që do të përmbushin kriteret për të vijuar studimet e larta në këto programe, si dhe kritereve që do të aplikohen mbi përzgjedhjen e tyre.
Rektori Kacani tregon se studentët do të pajisen me diploma të reja vlefshmëria e të cilave do të njihet edhe jashtë vendit. Sipas tij, shkak për hapjen e këtij fakulteti është bërë shtimi gjithnjë e më shumë i kërkesave për studimi në këto programe, si dhe rritja e kërkesave nga të gjitha qytetet për urbanistë të rinj, që do të ndihmojnë në zbatimin e projekteve dhe planeve zhvilluese të vendit.
Duke u ndalur tek ecuria e tregut të punës për profesionistë të rinj, akademikët e këtij universiteti kanë vënë në dukje se studentët që kanë më shumë mundësi punësimi në vitet e ardhshme janë studentët e arkitekturës dhe urbanistikës. Kjo pasi planet rregulluese që do të miratojnë shumë prej qyteteve të vendit kanë nevojë për specialistë të rinj që t’i vënë ato në zbatim. Këto janë edhe shkaqet që çuan në ngritjen e fakultetit të ri të Arkitekturës.
Kacani shton më tej se grupet e ekspertëve kanë përfunduar tashmë punën për përshtatjen e kurrikulave dhe programeve mësimore siç i kërkon sistemi i Bolonjës dhe se brenda kësaj jave do të bëhet edhe pwrurimi i fakultetit.
“Fluks studentësh në arkitekturë dhe urbanistikë ka pasur, ka dhe do të vijë gjithmonë në rritje. Ne kemi përshtatur planet dhe programet mësimore konform të gjitha kërkesave të Bolonjës, është bërë akreditimi i të gjitha planeve të arkitekturës dhe urbanistikës. Këto diploma tani nuk do të jenë më diploma siç kanë qenë më përpara, nën hijen e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, por do të jenë me personalitetin dhe autoritetin që ka vetë Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës”, bën të ditur rektori.
Megjithatë, krijimi i këtij fakulteti do të shoqërohet edhe me forcimin e kritereve që do të aplikohen për selektimin e studentëve që do të mund të vijojnë studimet e larta në këto profile studimore. Për këtë Kacani shton se do të ketë rregulla të reja në pranimet e studentëve të këtij fakulteti, ku krahas kritereve specifike, siç është konkursi dhe notat e provimeve të maturës shtetërore, rol të veçantë në përzgjedhjen e studentëve fitues në këto programe do të luajë edhe mesatarja, e cila rikthehet sërish në lojë.
Rikthimi i mesatares, sipas Kacanit, do të ndihmojë në rritjen e cilësisë, pasi do të sigurojë përzgjedhjen e kandidatëve me rezultatet më të larta. “Nuk përjashtoj as kriteret e reja, as liberalizimin që do të bëhet në drejtim të pranimeve në fakultetin e urbanistikës dhe arkitekturës”, përfundon Kacani.
Kreditet që sigurohen nga ndjekja e leksioneve dhe seminareve
Një krediti të formimit universitar i korrespondojnë 25 orë mësimore pune të studentit (1 orë mësimore llogaritet 60 minuta). Sasia mesatare e punës së kryer nga studenti gjatë një viti studimesh universitare me kohë të plotë është 1500 orë mësimore (60 kredite), që përfshijnë orë në auditor dhe orë punë të pavarur.
Ndërkohë që orët e punës së pavarur të studentit duhet të zënë jo më pak se gjysmën e fondit të përgjithshëm të 1500 orëve. Ngarkesa mesatare javore në auditor për leksione, ushtrime, seminare, laboratore është në intervalin 20-25 orë mësimore/javë. Sipas rregullores, studenti fiton kreditet korresponduese për çdo veprimtari formuese, si: lëndë, praktika, diplomë, etj., vetëm në rastin e një vlerësimi pozitiv në verifikimin përfundimtar të dijeve të fituara prej tij.
Detyrimet për ndjekjen e leksioneve dhe seminareve
Studenti duhet të ndjekë të gjitha format e mësimdhënies së disiplinave të përcaktuara në planin mësimor. Masa e detyrueshme e frekuentimit të tyre ndryshon në funksion të tipit të aktivitetit mësimor që realizohet, duke i klasifikuar pjesërisht të detyrueshme dhe plotësisht të detyrueshme. Për të dy ciklet e studimit frekuentimi i leksioneve nuk është i detyrueshëm, ndërsa frekuentimi i seminareve dhe ushtrimeve është i detyrueshëm në masën jo më pak se 75 për qind të numrit të seancave të zhvilluara.
Frekuentimi i punëve laboratorike, punëve praktike dhe praktikave mësimore është plotësisht i detyrueshëm në masën 100 për qind për të dy ciklet e studimit. Për format e mësimit me frekuentim të detyruar, të pjesshëm, kur studenti me ose pa arsye, nuk merr pjesë në mbi 25 për qind të numrit të seancave të zhvilluara në një lëndë, shpallet i paklasifikuar dhe nuk lejohet të shlyejë detyrimet e mëtejshme të asaj lënde.
Ai është i detyruar të ndjekë përsëri format e mësimit në vitin pasardhës me të njëjtën detyrë frekuentimi. Për format e mësimit me frekuentim plotësisht të detyrueshme, kur studenti me ose pa arsye nuk merr pjesë qoftë edhe në një seancë mësimi, departamenti përkatës i krijon studenti edhe një mundësi tjetër për të shlyer frekuentimin e detyruar para përfundimit të semestrit.
Në rastet e përsëritjes së mungesave, studenti i ndjek ato në vitin pasardhës. Pjesëmarrja e studentit evidentohet rregullisht dhe kontrollohet nëpërmjet regjistrit të grupit. Sekretaria mësimore kontrollon rregullisht frekuentimin e studentëve në aktivitetet mësimore, evidenton çdo shkelje të kufijve minimalë të pranuar dhe raporton rast pas rasti në dekanat shkeljet e konstatuara.