Mjeku personal dhe krye eksperti mjekoligjor në hetuesi:Mehmetin e gjetëm të pajetë në krevat, të gjitha veprimet në vendin e ngjarjes, u kryen në prezencë të Fiqiretes dhe Kadri Hazbiut
(Vijon nga numri i kaluar)
Deklarimet e mjekëve personalë, ekspertëve Mjekoligjorë, Ali Çenos, punonjësve të shërbimit, Fiqirete Shehut e familjarëve të ish-kryeministrit, shkëputur nga arkivat sekrete, japin detaje të hollësishme dhe të panjohura për publikun mbi atë që ngjau mesnatën e 17-18 dhjetorit të vitit 1981 në vilën e Mehmet Shehut. Njëkohësisht, në këto dëshmi, jepen veprimet e Kadri Hazbiut në vilën e Shehut, momentet e dorëzimit të një letre atij, cilët persona u futën në studion e Mehmet Shehut, çfarë bënë atje dhe urdhri për mbylljen e saj… Pas dëshmisë së mjekut Llesh Rroku, radha e dëshmive në hetuesi është e mjekut tjetër personal Milto Kostaqi dhe e Bashkim Çuberit, me detyrë shef i Byrosë së Eksperimentit Mjekoligjor. Doktor i Mehmet Shehut, Milto Kostaqi, pas ngjarjes së dhjetorit 1981 ishte degdisur në mjek në poliklinikën e Kavajës. Duke qenë këtu, ai pyetej për atë që dinte për 17 dhe 18 dhjetorin 1981…
DËSHMIA E MJEKUT KOSTAQI
“Në lidhje me çështjen, mund të them sa më poshtë: Kam punuar si mjek pranë armikut Mehmet Shehu. Më datën 17 dhjetor 1981 unë kam qëndruar në dhomën e mjekut pranë shtëpisë së armikut Mehmet Shehu, kurse në Komitetin Qendror atë e ka shoqëruar mjeku tjetër Llesh Rroku. Këtë ditë Mehmet Shehu ka qenë në një mbledhje në Komitetin Qendror nga ku është kthyer rreth orës 14:00. Mjeku Llesh Rroku, që kur ishte në Komitetin Qendror dhe kur ende nuk kishte përfunduar mbledhja, më ka marrë mua në telefon dhe më ka thënë që Mehmet Shehu e kishte tensionin shumë të lartë 16-17 pasi asnjëherë atij nuk i kishte arritur në këtë shifër. Rreth orës 16:00 Mehmet Shehu iku përsëri në mbledhje dhe së bashku me atë ka shkuar përsëri Llesh Rroku, kurse unë kam qëndruar në dhomën e mjekut pranë shtëpisë së tij.
Në darkë, rreth orës 20:30 Mehmet Shehu u kthye nga mbledhja dhe mbas pak ka thirrur mjekun Llesh Rroku, i cili i kishte matur përsëri tensionin, të cilin vazhdonte që të kishte ende të lartë. Siç më tha Lleshi, ai e kishte pyetur Mehmet Shehu dy herë nëse kishte mbaruar mbledhja, por Mehmeti nuk i kishte kthyer përgjigje, kishte kërkuar që të pinte kafe, ndërsa Lleshi i kishte thënë që të mos pinte kafe, mbasi e kishte tensionin e lartë. Por Mehmet Shehu nuk e dëgjoi dhe piu kafe. Lleshi i kishte dhënë edhe disa medikamente për uljen e tensionit, mbas kësaj duke parë gjendjen shëndetësore të Mehmet Shehut unë nuk kam vajtur në shtëpi. Kemi qëndruar deri në orën 24.00 dhe ramë për të fjetur, unë kam fjetur në një dhomë së bashku me oficerin e shërbimit Dashamir Rabaj, Lleshi ka fjetur vetëm tek dhoma e mjekut, Ali Çeno fjeti tek dhoma e shërbimit të oficerit. Në datën 18 dhjetor 1981 jam ngritur nga gjumi rreth orës 6.00, në këtë kohë janë ngritur nga gjumi dhe shokët e tjerë dhe po rrinin në pritje në dhomën e mjekut se mos na thërriste Mehmet Shehu për ndonjë shërbim që mund të kishte nevojë. Rreth orës 8:00 ka thirrur në foni Vladimit Shehu, i cili me sa më kujtohet, ka kërkuar Jonuz Luton dhe pak më vonë njoftoi që Ali Çeno të shkojë urgjent në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut.
Pa kaluar as dhjetë minuta lajmërohemi me foni që mjekë të vijnë urgjent brenda. Atëherë unë së bashku me Llesh Rrokun dhe ndihmës mjekun Nestor Lesko, pasi morëm çantën e urgjencës dhe aparatin e elektrokardiografit dhe defribilatorin, me shpejtësi u ngjitëm në katin e dytë në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut. Unë dhe Lleshi u futëm menjëherë brenda në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut. Tek dera e hyrjes së kësaj dhome nuk kishte njeri, kurse në dhomën e gjumit dhe punës së Mehmet Shehut që është ngjitur me dhomën e gjumit të tij e komunikojnë së bashku, pashë se tek telefonat ishin Ali Çeno, Vladimir Shehu dhe Jonuz Luto.
Ne u drejtuam për nga zyra, por ata na thanë shikoni nga krevati. Unë me Lleshin u kthyem nga krevati. Pamë që Mehmet Shehu ishte i shtrirë në krevat, i zbehtë në fytyrë, i mbuluar deri në afërsi të qafës me çarçaf dhe batanije, me syze me skelet metalik të verdhë dje me fytyrë drejt nga tavani. Duke menduar se mos i kishte rënë të fikët, i kam vënë dorën në ballë dhe pashë që ishte i ftohtë, i hoqa njërin nga jastëkët që kishte nën kokë, duke menduar se mos kishte ndonjë ulje tensioni. I hoqa kuvertën së bashku me çarçafin dhe i kapa dorën për t’i matur pulsin. Pulsi nuk punonte. Duart i kishte të mbledhura, të ngurosura nën batanije të vendosura mbi gjoks dhe të përthyera në bërryl. I dallova në anën e majtë të gjoksit një njollë të kuqe gjaku. Më shkoi menjëherë mendja se kishte vrarë veten. Pashë mbi krevat një pistoletë. Kur e pamë së bashku me Lleshin që ishte një vetëvrasje me armë zjarri, nuk kam bërë asnjë veprim tjetër, por e kam rregulluar gjithçka që lëviza ashtu siç e gjeta. Në këto momente Llesh Rroku ka gjetur në dysheme afër krevatit një gëzhojë të cilën e mori dhe e vendosi mbi komodinën e krahut të majtë të krevatit të Mehmet Shehut.
Pas kësaj, unë, Llesh Rroku dhe Nestor Lezho jemi larguar nga dhoma e gjumit të Mehmet Shehut dhe kemi qëndruar në korridorin e katit të dytë. Kurse Vladimiri, Aliu dhe Jonuzi ishin ende në dhomën e punës të Mehmet Shehut dhe merrnin në telefon. Pasi kam dalë në korridor, më thanë që Fiqret Shehu nuk është mirë. Unë kam shkuar në dhomën e gjumit të saj ku ajo rrinte së bashku me Fatbardhën dhe i dhashë një valium për ta qetësuar. Më pas ka ardhur aty Kadri Hazbiu, i cili i shoqëruar nga Ali Çeno ka hyrë në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut. Ka qëndruar pak aty dhe ka shkuar tek dhoma e Fiqretes. Dëgjova që Kadriu i tha Fiqretës “Mehmeti u kritikua në mbledhjen e Byrosë Politike, por këtë gjë nuk duhet ta kishte bërë”.
Kadriu Hazbiut i kanë dhënë një letër që kishte lënë Mehmet Shehu para se të vriste veten. Pasi ka ikur Kadri Hazbiu, dhoma e gjumit të Mehmet Shehut është mbyllur, por unë nuk e di se kush e bëri këtë veprim. Nuk më kujtohet me saktësi sa kohë ka kaluar kur ka ardhur grupi hetimor, por unë jam futur së bashku me ata në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut. Si dëshmitar i pranishëm ka qenë edhe Ali Çeno. Së bashku me shokët e grupit hetimor është përshkruar gjithçka që ishte në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut, por nuk janë kontrolluar teshat e tij personale, garderoba si dhe nuk është bërë këqyrja e dhomës së tij të punës. Gjatë kohës që bëhej këqyrja e vendit të ngjarjes, Elham Gjika nuk ka qëndruar gjatë gjithë kohës në dhomën e gjumit, por ka dalë prej saj.
Se ku ka shkuar Elhami, sa kohë ka qëndruar dhe çfarë veprimesh ka kryer, unë nuk e di, pasi jam përqendruar në veprimet e këqyrjes së vendit të ngjarjes në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut. Pasi ka përfunduar këqyrja e dhomës së gjumit, kemi dalë në korridorin e katit të dytë dhe në këtë kohë ka filluar që të bëhej kyçja dhe dyllosja e dhomave të Mehmet Shehut, e cila ka vazhduar rreth një çerek ore. Nga dhoma e gjumit, mbasi ka përfunduar këqyrja, më kujtohet se ka dalë në korridorin e katit të dytë Bashkim Çuberi, Fatos Harito dhe unë. Në korridor nuk më kujtohet që të kenë dalë së bashku me ne Elham Gjika, Koço Josifi, Ali Çeno dhe Estref Myftari. Këta, me sa më kujtohet, kanë dalë së bashku, mbasi ka përfunduar dyllosja e dyerve.
Kur kanë përfunduar këto veprime, kemi zbritur në katin e parë të ndërtesës, ku janë pyetur si dëshmitar unë, Ali Çeno, Fiqret Shehu, Llesh Rroku dhe më duket dhe Vladimir Shehu. Unë nuk e di që ndonjë person të jetë pyetur si dëshmitar me shkrim në katin e dytë. Kur janë pyetur dëshmitarët, kanë qenë të tre shokët e Hetuesisë, Elham Gjika, Koço Josifi dhe Dhimitër Beshiri. Pas disa ditësh, më kanë thirrur në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe në zyrën e Elham Gjikës unë kam firmosur procesverbalin e pyetjes sime, i cili ishte i shtypur me makinë. Unë, nuk kam vënë re që gjatë kohës që bëhej këqyrja e vendit të ngjarjes, ndonjë person që të ketë hyrë në dhomën e punës të Mehmet Shehut, mbasi kam qenë i përqendruar së bashku me mjekun Bashkim Çyberi e Fatos Harito në këqyrjen e kufomës së Mehmet Shehut”.
DËSHMI E EKSPERTIT MJEKOLIGJOR
Dëshmitari Bashkim Çuberi, i vitlindjes 1923, me detyrë shef i Byrosë së Eksperimentit Mjekoligjor, dëshmonte në lidhje me ngjarjen, më 15 prill 1983:
“Jam me detyrën e shefit të Byrosë së Ekspertimit Mjeko–Ligjor. Më datën 18 dhjetor 1981 më ka marrë në telefon Koço Josifi, ish kryetar i degës së hetuesisë së DPB, Tiranë, i cili më ka njoftuar që të përgatitesha për të shkuar në një vendngjarje duke më lënë si vend takimi në afërsi të ish Ministrisë së Punëve të Jashtme. Në telefon Koço nuk më ka treguar se në çfarë vendngjarje konkretisht do të shkonim. Unë kam njoftuar mjekun Fatos Harito, i cili ka marrë në çantë një palë doreza dhe me automjet kemi shkuar në afërsi të ndërtesës ku ka qenë Ministria e Punëve të Jashtme. Këtu na kanë marrë dhe na kanë shoqëruar tek ndërtesa ku banonte armiku Mehmet Shehu dhe jemi ngjitur në katin e dytë, ku më vonë mora vesh që Mehmet Shehu kishte vrarë veten.
Së bashku me Fatos Hariton jemi futur në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut ku kishte ndodhur vetëvrasja dhe aty kemi gjetur Elham Gjikën, Koço Josifin, Estref Myftarin, Ali Çenon dhe Milto Kostaqin. Kemi shkuar në vend rreth orës 9:10’ dhe kemi bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes, e cila ka përfunduar rreth orës 13:00. Procesverbali i këqyrjes së vendit të ngjarjes është shkruar nga Koço Josifi, Estref Myftari si ekspert kriminalist është marrë me këqyrjen dhe përshkrimin e kufomës, Ali Ceno dhe Milto Kostaqi kanë qenë dëshmitarë të pranishëm, ndërsa Elham Gjika duke qenë më i lirë, lëvizte. Pasi ka përfunduar këqyrja e vendit të ngjarjes (kufomës) unë kam dalë i pari jashtë nga dhoma dhe kam qëndruar në korridorin e katit të dytë ku kanë qenë dy shokë të Ministrisë Punëve të Brendëshme dhe një oficer që ishte vendosur si rojë në katin e dytë.
Pas meje ka ardhur në korridor edhe Fatos Harito dhe Milto Kostaqi, kurse Koço Josifi zbriti siç dëgjova, në katin e parë për të pyetur dëshmitarët. Kur kam qenë në korridor së bashku me shokët që përmenda, unë kam parë që Elham Gjika ka mbërritur 2 – 3 herë poshtë në katin e parë dhe është ngjitur në katin e dytë. Në korridor kam qëndruar mbi një orë. Se çfarë veprimesh ka bërë Elham Gjika gjatë kësaj kohë unë nuk e kam parë, por në korridorin e katit të dytë, ku kanë qenë të gjithë personat që thashë më sipër, ai (Elhami) nuk ka qëndruar. Kur ne kemi mbërritur në katin e parë të ndërtesës, më duket se dera e dhomë së gjumit u kyç nga shoku Xhule Çiraku. Se kush ishin me ne që zbritën, nuk më kujtohet”.
(Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi)
SOM
Misteret e vetëvrasjes, dëshmitë, 16 muaj pas vetëvrasjes së Shehut
Njohja me dëshmitë sekrete të mjekëve personalë të Mehmetit, oficerëve të shoqërimit, personelit të ruajtje, personave që shkuan të parët në vendin e ngjarjes, Fiqirete Shehut e familjarëve të tjerë, nxjerrë në dritë detaje interesante lidhur me hamendjet, për foljet për afro 31 vjet lidhur me ngjarjen dhe rolin e personave që u gjendën apo shkuan të parët në vendin e ngjarjes. Siç del nga dëshmitë e siguruara nga arkivat, evidentohen dy fakte interesante rreth ngjarjes e hetimit të sajë. Së pari, sipas versionit zyrtar, vetëvrasje e Mehmet Shehut ka ndodhur mesnatën e 17-18 dhjetorit të vitit 1981, ndërkohë, dëshmitë datojnë 15 prillin e vitit 1983, pra, rreth një vit e 4 muaj pas ngjarjes.
Së dyti, mësohet se pas ngjarjes, trupi i viktimës Mehmet Shehu, (siç do shihet nga dëshmitë në vazhdim), nuk i është nënshtruar autopsisë. Dëshmitarët thonë se kjo është bërë ‘me porosi të Feçor Shehut, pas bisedës që ai bëri me Fiqret Shehun’. Po ashtu, nisur nga dëshmitë, rezulton se personat që kanë qenë në vilën e Shehut pas ngjarjes, ndonëse shumë kohë pothuaj në të njëjtin mjedis, i janë ruajtur në disa raste deklarimeve direkt për veprimet e Kadri Hazbiut, Feçor Shehut apo zyrtarëve të lartë lidhur me avrin (vetëvrasjen), provat e gjetura si dhe lëvizjet brenda godinës së ndërtesës apo jashtë saj. Dëshmitarët konfirmojnë gjithashtu se atë natë, në sigurimin e Mehmetit dhe me kërkesën e tij, ka qenë në shërbim dhe njeri më i besuar i tij, Ali Çeno… Ndërkohë, familjarë të ish-Kryeministrit(veçanërisht vëllai i tij Duro Shehu, ushtarak), që nga momenti i ngjarjes dhe sot, këmbëngulin në faktin se Mehmet Shehun e kanë vrarë…
SOM 1
“Pamë që Mehmet Shehu ishte i shtrirë në krevat, i zbehtë në fytyrë, i mbuluar deri në afërsi të qafës me çarçaf dhe batanije, me syze me skelet metalik të verdhë dje me fytyrë drejt nga tavani. I hoqa kuvertën së bashku me çarçafin dhe i kapa dorën për t’i matur pulsin. Pulsi nuk punonte. I dallova në anën e majtë të gjoksit një njollë të kuqe gjaku. Më shkoi menjëherë mendja se kishte vrarë veten. Pashë mbi krevat një pistoletë”
SOM 2
“Më pas ka ardhur aty Kadri Hazbiu, i cili i shoqëruar nga Ali Çeno ka hyrë në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut. Ka qëndruar pak aty dhe ka shkuar tek dhoma e Fiqretes. Dëgjova që Kadriu i tha Fiqretes ‘Mehmeti u kritikua në mbledhjen e Byrosë Politike, por këtë gjë nuk duhet ta kishte bërë’. Kadriu Hazbiut i kanë dhënë një letër që kishte lënë Mehmet Shehu para se të vriste veten. Pasi ka ikur Kadri Hazbiu, dhoma e gjumit të Mehmet Shehut është mbyllur”
SOM 3
“Kur kam qenë në korridor së bashku me shokët që përmenda, unë kam parë që Elham Gjika ka mbërritur 2–3 herë poshtë në katin e parë dhe është ngjitur në katin e dytë. Në korridor kam qëndruar mbi një orë. Se çfarë veprimesh ka bërë Elham Gjika gjatë kësaj kohë unë nuk e kam parë, por në korridorin e katit të dytë, ku kanë qenë të gjithë personat që thashë më sipër, ai (Elhami) nuk ka qëndruar”
NESËR DO TË LEXONI:
-Çfarë dëshmoi për vetëvrasjen e Mehmet Shehut më 17 dhjetor 1981 në hetuesi Elham Gjika, ish-drejtor i Hetuesisë në Ministriën e Punëve të Brendshme.
-Biseda sekrete e Elham Gjikës me Feçor Shehun në zyrën e këtij të fundit pas lajmit të vetëvrasjes së Mehmet Shehut.
-Dëshmitë e panjohura lidhur me urdhrin e Feçor Shehut dhe pse nuk iu bë autopsia trupit të Mehmet Shehut.