Dëshmi e Elham Gjikës, kreu i Hetuesisë:”Më urdhëroi Feçor Shehu të mos bëhej autopsia, sipas tij, urdhri ishte nga Komiteti Qendror i Partisë!”
Elham Gjika, kreu i Hetuesisë dhe përgjegjësi kryesor për hetimin e (vetë)vrasjes së Mehmet Shehut mesnatën e 17-18 dhjetorit 1981, në dëshminë e dhënë, pohon një fakt të panjohur: Trupit të Mehmet Shehut, nuk i është bërë autopsia!. Në dëshminë e plotë të tij, shkëputur nga arkivat sekrete, për këtë fakt, mes të tjerave thuhet:”Autopsia e armikut Mehmet Shehu nuk u bë, sepse Feçor Shehu më tha që nuk ishte nevoja të bëhej autopsia e kufomës, se kështu ishte porosia. Unë, duke u nisur nga ajo se bëhej fjalë për ish-kryeministrin Mehmet Shehu dhe nga porosia e mësipërme, që Feçor Shehu e kishte marrë nga Komiteti Qendror i Partisë së Punës së Shqipërisë”…..
DREJTORI I HETUESISË
Dëshmitari Elham Gjika, i vitlindjes 1939, i burgosur në repartin nr. 313, dëshmon: “Kam qenë me detyrën e drejtorit të hetuesisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Jam dënuar për krimin e shpërdorimit të detyrës me 8 vjet heqje të lirisë. Ditën që ka vrarë veten Mehmet Shehu, më 18 dhjetor 1981, kam qenë në analizën e një problemi në Drejtorinë e Hetuesisë. Kur kemi qenë duke vazhduar mbledhjen, Feçor Shehu ka marrë në telefon drejtuesin e mbledhjes, i cili na ka komunikuar që mbledhja do të shtyhej për një ditë tjetër, kurse mua më tha që të shkoja në zyrën e Feçor Shehut. Shkova në zyrën e Feçorit, i cili duke qenë vetën, në këmbë më tha mua “Mehmet Shehu vrau veten”. Në moment i thashë “Të rrojë partia dhe udhëheqësi”. “Ata të rrojnë”- më është përgjigjur. Më pas shtoi “Krijo grupin hetimor dhe shko në vendngjarje, tek ish ndërtesa e Ministrisë së Punëve të Jashtme të pret Xhule Çiraku”. Unë kam njoftuar Dhimitër Beshirin, të cilit i kam thënë që të merrte një çantë dhe letra dhe të përgatitej se do të shkonim në një vendngjarje. Kam njoftuar dhe ekspertin kriminalistik Estref Myftari dhe Koço Josifin. Këtyre u kam thënë që do të shkonim në një vendngjarje, por nuk u kam treguar se në çfarë vendngjarje do të shkonim. Kemi shkuar tek shtëpia e Mehmet Shehut, ku kemi takuar me Xhule Çirakun dhe këtu u kemi thënë dhe pjesëtarëve të grupit hetimor që Mehmet Shehu kishte vrarë veten. Këtu midis nesh është diskutuar dhe kemi rënë dakord që në vendngjarje të vinin ekspertët mjeko – ligjorë, të cilët i ka njoftuar në telefon Koço Josifi. Pasi kanë ardhur mjekët ligjorë Bashkim Çuberi dhe Fatos Harito, jemi futur në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut, ku ai kishte vrarë veten. Derën e dhomës e ka hapur Xhule Çiraku mbasi ajo ka qenë e mbyllur, por mua nuk më kujtohet nëse e ka kyçur apo jo. Kur jemi futur në dhomën e gjumit, kemi parë që Mehmet Shehu ishte i shtrirë në krevat me fytyrë nga tavani, kishte të vendosur syzet, pistoleta ndodhej në krahun e djathtë të tij, mbi batanije, batanijen e kishte të hedhur deri në afërsi të grykës, duart nën batanije të përthyera. Tek koka e krevatit që ishte në formë komodine kishte sende të ndryshme që janë parë dhe janë fiksuar në procesverbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes. Në dhomë ndodheshin dhe kostumi i tij, mbi një tavolinë u pa çanta e Mehmet Shehut, e cila nuk është hapur dhe sende të tjera që janë fiksuar. Por, në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut ne nuk kemi bërë kontroll të gardërobës, të teshave personale të Mehmet Shehut, të çantës së tij, si dhe nuk kemi bërë këqyrjen e banjës dhe studios, të cilat lidheshin me dhomën e gjumit. Në këtë drejtim, unë e kam porositur grupin hetimor që në vendin e ngjarjes të mos preknin me dorë asgjë si dhe këqyrja e vendit të ngjarjes do të bëhej vetëm në dhomën e gjumit të tij pa u shtrirë në anekset e tjera që lidheshin me të. Këtë porosi unë ua kam dhënë atyre mbasi mua këtë urdhër ma ka dhënë Feçor Shehu në telefon sapo kishim shkuar në vendin e ngjarjes, bile më duket nuk kishim filluar akoma nga puna. Ai më kërkoi në telefon dhe më tha që është porosia që hyrja të bëhet vetëm në dhomën e gjumit ku ka vrarë veten Mehmet Shehu, kini kujdes mos prekni gjë me dorë e mos kontrolloni, por i lini gjërat ashtu siç janë. Këto urdhra që mora nga Feçor Shehu ua kam thënë shokëve të grupit hetimor, të cilët i kanë zbatuar. Pasi ka filluar këqyrja e vendit të ngjarjes, procesverbalin e së cilës e shkruante Koço Josifi, i cili ishte ulur në tavolinën e dhomës së gjumit të Mehmet Shehut, gjatë këqyrjes kanë diktuar për mbajtjen e procesit edhe unë, por sidomos eksperti kriminalist dhe ekspertët mjeko – ligjorë. Gjatë kësaj kohe unë qëndroja edhe në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut, kur shikoja veprimet që kryente grupi hetimor, por dilja edhe në korridorin e katit të dytë, ku qëndroja tek kolltukët së bashku me shokun Raqi Iftica. Pasi ka përfunduar këqyrja e vendit të ngjarjes, së bashku me shokët Xhule Çiraku, Raqi Iftica, Estref Myftari e ndonjë tjetër që s’më kujtohet, kemi bërë mbylljen dhe dyllosjen e dyerve të dhomës së gjumit e studios së Mehmet Shehut. Më kujtohet se më parë është bërë mbyllja e grilave të dritareve të dhomës së gjumit të Mehmet Shehut, veprim ky që është kryer nga ana e Ali Çenos, që ishte i pranishëm, mbasi neve të tjerët nuk dinim që t’i përdornim ato. Pasi është bërë mbyllja e këtyre dyerve, tek korridori i katit të dytë, janë vendosur rojet, të cilët janë porositur që të mos lejonin asnjë njeri që të futej në këto dhoma. Kur kanë përfunduar këto veprime, unë me Koço Josifin jemi ulur në katin e parë të ndërtesës ku është bërë pyetja si dëshmitar i Fiqret e Vladimir Shehut, ndërsa Dhimitër Beshiri kishte pyetur si dëshmitar, pak kohë para se të përfundonte këqyrja Milto Kostaqin e Llesh Rokun. Edhe Ali Çeno është pyetur si dëshmitar, por nuk e kujtoj me saktësi se në çfarë vendi u pyet si. Siç më kujtohet, në katin e dytë nuk është pyetur asnjë person. Gjithashtu më kujtohet se në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut, kemi gjetur dhe një palë çelësa të vendosura në një këllëf meshini; këto çelësa unë mund që t’i kem prekur me dorë aty në vend vetëm sa për t’i parë, por asnjëherë nuk i kam marrë, i kam lënë në vend. Siç thashë më sipër, me dhomën e gjumit të Mehmet Shehut, komunikonte studioja e tij, kur unë jam futur vetëm sa i kam hedhur një vështrim të përgjithshëm dhe nuk di në ka parur kasafortë në të apo jo. Aty nuk kam qenë vetëm, por ka qenë edhe Ali Çeno e me sa më kujtohet, janë futur deri tek dera dhe pjesëtarë të tjerë të grupit. Në këtë dhomë, apo në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut unë nuk kam qëndruar asnjëherë vetëm. E them me siguri të plotë që në dhomat e Mehmet Shehut unë nuk kam marrë asnjë lloj materiali në mënyrë të fshehtë dhe të kundërligjshme. Me vete unë nuk kam pasur çantë, çantë nga hetuesit ka pasur vetëm Dhimitër Beshiri. Në përfundim edhe të pyetjes së dëshmitarëve, unë së bashku me grupin hetimor kemi shkuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ku kemi pritur në paradhomën e zyrës së ministrit derisa ka ardhur Feçor Shehu që t’i raportonim për ngjarjen. Ai kur erdhi, nuk na priti fare, por na tha me nervozizëm “I di, i di çfarë do më raportoni” dhe nuk na priti fare. Pasditen e datës 18 dhjetor 1981 unë kam shkuar përsëri në shtëpinë e armikut Mehmet Shehu, ku u bë dorëzimi i kufomës së tij familjarëve. Dyert e dhomës së gjumit Mehmet Shehu ishin të kyçura e vulosura siç i kishim lënë në drekë dhe ato u hapën dhe u kyçën përsëri me çelësat që i kishte shoku Xhule Çiraku. Gjithashtu, në shtëpinë e Mehmet Shehut kam qenë edhe kur u bë eksperimenti hetimor për mundësin e dëgjimit të zhurmës së shkrepjes fishekut të pistoletës dhe vendin ku do të binte gëzhoja. Dua të theksoj gjithashtu se përveç pyetjes së dëshmitarëve, si Ali Çeno, Milto Kostaqi, etj, ditën e vetëvrasjes së armikut Mehmet Shehu, ato janë ripyetur dhe shtypur proces dëshmitë dhe mbas 7–10 ditësh në zyrën time në Ministrinë e Punëve të Brendshme ku isha unë e Koço Josifi, që u morën me çështjen penale deri në fund të saj. Materialet e çështjes penale i kanë parë edhe armiqtë Kadri Hazbiu e Feçor Shehu.
Pyetje: Përse nuk u bë autopsia e kufomës së armikut Mehmet Shehu?
Përgjigje: Me sa më kujtohet, ndër porositë e tjera që armiku Feçor Shehu më dha në telefon kur unë e pyeta, se me ç’cilësi do të pyetej Fiqret Shehu, meqenëse ajo ishte akoma anëtare e Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, Feçor Shehu ndër të tjera më tha që mos të bëhej autopsia e kufomës së Mehmet Shehut.
Pyetje: Ju si ish drejtues i hetuesisë, e keni ditur mirë, se në një rast kur ndodheni para një vrasjeje ose vetëvrasje duhet bërë patjetër autopsia e kufomës. Përse atëherë ti Elham Gjika duke marrë fillimisht dhe porosi që për këtë rast do të kryhen veprimet hetimore si për çdo rast tjetër, gjë që këtë porosi ua ke transmetuar edhe pjesëtarëve të tjerë të grupit hetimor-operativ, ke vepruar në kundërshtim me këto norma dhe ke dhënë urdhër pjesëtarëve të grupit hetimor – operativ që autopsia e kufomës së Mehmet Shehut të mos bëhej?
Përgjigje:-Siç shpjegova edhe më lart, autopsia e armikut Mehmet Shehu nuk u bë, sepse Feçor Shehu më tha që nuk ishte nevoja të bëhej autopsia e kufomës, se kështu ishte porosia. Unë, duke u nisur nga ajo se bëhej fjalë për ish-kryeminsitrin Mehmet Shehu dhe nga porosia e mësipërme, Feçor Shehu e kishte marrë nga Komiteti Qendror i Partisë së Punës së Shqipërisë.
Pyetje: Meqenëse ti ke krijuar e kryesuar grupin hetimor-operativ (siç del dhe nga thëniet e dëshmitarëve) në këqyrjen e hetimin e kësaj vetëvrasjeje, përse nuk ke firmosur në procesverbalin këqyrjes së vendit të ngjarjes?
Përgjigje:-Unë e kam krijuar grupin hetimor – operativ, por nuk e kryesova në këtë këqyrje, atë caktova ta kryente Koço Josifi dhe Dhimitër Beshiri. Vendim me shkrim për këtë gjë nuk kam bërë. Meqenëse ishte ngjarje e rëndësishme, unë kam shkuar në vendngjarje për të ndihmuar grupi hetimor – operativ dhe nga kjo nuk kam firmosur në proces.
Pyetje: Sipas normave procedurale, çdo person që merr pjesë në këqyrjen e vendit të ngjarjes ka një pozitë të caktuar procedurale dhe duhet të nënshkruaj në proces-verbalin që bëhet në fund të këqyrjes. Ti përse ke vepruar në kundërshtim me këtë gjë?
Përgjigje: Megjithëse këtë rregull e di, por siç e thashë edhe më sipër; unë nuk e kam konsideruar veten pjesëtar të grupit hetimor – operativ, prandaj dhe nuk kam firmosur në procesverbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes”.
(Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi)
NESËR DO TË LEXONI:
-Dëshminë e përgjegjësit të sektorit të Hetuesisë Dhimitër Beshiri për (vetë)vrasjen e Mehmet Shehut dhe debatin e ekspertëve me ministrin e Brendshëm Feçor Shehu.
-Dëshminë e Estref Myftarit, ekspert kriminalist në Ministrinë e Punëve të Brendshme, dhënë më 25 prill të vitit 1983 dhe urdhrin e Feçor Shehut për të mos hetuar në studion e Mehmetit.
-Misteri i zhdukjes së një tufë çelësash që u panë në fillim në dhomën ku u gjet Mehmet Shehu i pajetë.
SOM 1
“Siç shpjegova edhe më lart, autopsia e armikut Mehmet Shehu nuk u bë, sepse Feçor Shehu më tha që nuk ishte nevoja të bëhej autopsia e kufomës, se kështu ishte porosia. Unë, duke u nisur nga ajo se bëhej fjalë për ish-kryeministrin Mehmet Shehu dhe nga porosia e mësipërme, Feçor Shehu e kishte marrë nga Komiteti Qendror i Partisë së Punës së Shqipërisë.
SOM 2
“Në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut, kemi gjetur dhe një palë çelësa të vendosura në një këllëf meshini; këto çelësa unë mund që t’i kem prekur me dorë aty në vend vetëm sa për t’i parë. Siç thashë më sipër, me dhomën e gjumit të Mehmet Shehut, komunikonte studioja e tij, kur unë jam futur vetëm sa i kam hedhur një vështrim të përgjithshëm dhe nuk di në ka parur kasafortë në të apo jo”
SOM 3
“Dyert e dhomës së gjumit Mehmet Shehu ishin të kyçura e vulosura siç i kishim lënë në drekë dhe ato u hapën dhe u kyçën përsëri me çelësat që i kishte shoku Xhule Çiraku. Gjithashtu, në shtëpinë e Mehmet Shehut kam qenë edhe kur u bë eksperimenti hetimor për mundësin e dëgjimit të zhurmës së shkrepjes fishekut të pistoletës dhe vendin ku do të binte gëzhoja”
Duro shehu, vëllai i Mehmetit: Ja çfarë ndodhi më 18 dhjetor 1981
“Në orën 15 isha duke ngrënë drekë në shtëpi bashkë me gruan dhe dy vajzat. Ra telefoni. Ishte Veli Llakaj, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Më pyet: ‘Ku je ti Duro?’. Ju përgjigja… Pas pak, pasi unë i thashë se do shkoja në zyrë, më tha: ‘E di ti Duro që shoku Mehmet vrau veten?’. Shtanga. Telefoni u mbyll. U ktheva në kuzhinë gjunjëprerë dhe dyllë i verdhë… Pas dyzet minutash më merr në telefon Veli Llakaj e më thotë:’Duro, hajde. Shoku Kadri të pret’. Vajta, i ndjekur nga dy oficerë të sigurimit nja 10-15 hapa. Hymë në shtëpi.?! Vajta në dhomën e Mehmetit. Mehmet Shehun pasi e kishin ujdisur, i kishin veshur kostum të zi me këmishë të bardhë e kravatë të zezë dhe e kishin vendosur në dhomën e pritjes. Dukej si i gjallë. Sa hymë në shtëpi, pyeta Fiqretin se si ndodhi, ç’ngjau? Ajo nuk foli fare, por vuri gishtat e duarve te veshët si për të thënë se shtëpia përgjohej dhe nuk duhej të flisnim. Pyes Vladimirin, djalin e madh të Mehmetit dhe ai më thotë: ‘Xhaxhi, nuk dimë gjë. Unë dhe Bardha (gruaja) nuk fjetëm tërë natën. Dhomën e kishim ngjitur me atë të babit, por nuk dëgjuam asgjë’. Pyes Farien, punëtoren që kishte shërbyer 30 vjet në shtëpinë e Mehmetit. Ajo tha: ‘Shoku Kryeministër ishte shumë mirë, para një jave i kërkoi leje shokut Enver të shkonte për gjah në Elbasan. Vajti në mëngjes dhe erdhi në darkë. Më parë shkonte të shtunave dhe kthehej të dielave në darkë. S’di ç’të them! Kryeministri u vra. Më tepër nuk di ç’të them…’. E pyeta prapë Farien se kush ishte me shërbim mbrëmë këtu. ‘Unë isha në shtëpi. Me shërbim ishte një vajzë e re, ajo që pe ti para se të shkoje në Vjenë, por ajo vajza iku natën, iku natën, nuk e di ku e çuan…’. Pyeta Ali Çenon, truprojën kryesore të Mehmetit…
‘Unë sipas grafikut të shërbimit isha në shtëpinë time. Më kërkuan të vija dhe erdha. Pashë që nga dhoma e shokut Mehmet doli Kadri Hazbiu me një çantë të zezë në dorë…Sipas Gani Kodrës, përgjegjësit për sigurimin e Mehmet Shehut, Kadri Hazbiu në gjyq i kishte mohuar thëniet e Ali Çenos, duke thënë se atë natë ai kishte qenë në ditëlindjen e Elit, sekretares së tij, në Laprakë. Eli e mohoi. Kadriu tha se tek Eli vajti me vonesë… Ku ishte vonuar Kadriu!’… Në dhomë ku kishin vendosur trupin e Mehmetit, ishim ne të shtëpisë që bëheshim gjithsej dhjetë veta dhe 20 e ca oficerë të sigurimit që rrinin në këmbë e na përgjonin ne. Nuk njihja asnjërin prej tyre. I them pas një copë here përgjegjësit të tyre: ‘A mund ta shoh ku e ka marrë plumbi Mehmetin?’. ‘Jo. Në asnjë mënyrë. Rri e përgjoje. Vetëm kaq’-më thotë… Kjo ishte e qëllimshme për të mbuluar të vërtetën’. Pak pasi kisha pyetur përgjegjësin e oficerëve të sigurimit për të parë plagën e Mehmetit, vjen një oficer tjetër i sigurimit, më nxjerr në dhomën tjetër e më thotë:’Duro, kam urdhër të të them se që tani duhet të shkosh në shtëpinë tënde’. I them se unë kam ardhur me urdhër të shokut Kadri Hazbiu. Po, më thotë, por ti je oficer dhe e di se urdhri i dytë e anulon të parin. Ika”