“Të vetmit persona që u futën e dolën disa herë në studion që komunikonte me dhomën ku u gjet viktima ishin drejtori i Hetuesisë Elham Gjika dhe shoqëruesi personal i Mehmet Shehut, Ali Çeno”
Dëshmitë e panjohura të hetuesve(marrë nga arkivat sekrete) lidhur me veprimet e mosveprimet e tyre gjatë procedurave për evidentimin e grumbullimin e provave për (vetë)vrasjen e Mehmet Shehut, japin detaje të hollësishme dhe të panjohura për atë që ka ndodhur mesnatën e 17-18 dhjetorit të vitit 1981 në shtëpinë e kryeministrit më jetëgjatë të Shqipërisë. Mospërputhja e tyre në disa raste, i shton më tej misteret e asaj ngjarje të rëndë të shumëpërfolur në tri dekada… Nga këto arkiva, në vazhdim jepen dëshmitë e Dhimitër Beshirit, zëvendëskryetar i Degës së Parë në Drejtorinë e Hetuesisë dhe Estref Myftarit, ekspert kriminalist në Ministrinë e Punëve të Brendshme…
HETUESI BESHIRI
Lidhur me vetëvrasjen e Mehmet Shehut më 17-18 dhjetor 1981, ka dëshmuar dhe Dhimitër Jorgji Beshiri, zëvendëskryetar i Degës së Parë në Drejtorinë e Hetuesisë, në kohën që ka ndodhur ngjarja. Dëshmia e Beshirit është dhënë më 18 prill 1983, kohë në të cilën ai kryente detyrën e përgjegjësit të sektorit në hetuesinë e Degës së Punëve të Brendshme Përmet. Ai dëshmonte si më poshtë: “Më datën 18 dhjetor 1983 kam marrë pjesë në analizën e një çështjeje hetimore në zyrën e ish drejtorit të hetuesisë Elham Gjika, analizë kjo që është ndërprerë. Pasi kam dalë nga zyra, ku kanë qenë edhe pjesëtarë të tjerë që ishin në këtë analizë, më thërret Elhami dhe më thotë që merr letër, një çantë dhe hajde në zyrë tek unë. Kam marrë letër dhe çantë dhe kam zbritur në korridorin e katit të dytë të Ministrisë së Punëve të Brendshme ku jam takuar me Elham Gjikën dhe Koço Josifin. Kemi shkuar që të tre për t’u futur në zyrën e ish-ministrit Feçor Shehu, ku në fillim ka qenë Elhami. Sapo futeshim në zyrë, Feçori i revoltuar na tha ’ikni, përse vini këtu’. Feçori ka qenë në zyrë me Bato Karafilin, ishin të tronditur e të shqetësuar. Pasi kemi dalë që këtej, kemi zbritur shkallët e kemi dalë përpara ndërtesës së ministrisë, ku pasi është njoftuar nga Elham Gjika, ka ardhur dhe eksperti kriminalist Estref Myftari. Së bashku, mbasi kemi hipur në makinën e Drejtorisë së Hetuesisë kemi qëndruar tek ndërtesa ku ka qenë Ministria e Punëve të Jashtme. Fillimisht, Elham Gjika ka ikur vetëm dhe mbas 20–30 minutash ka ardhur dhe na ka marrë kur kemi shkuar tek shtëpia ku banonte Mehmet Shehu. Tek hyrja e oborrit të shtëpisë së Mehmet Shehut kemi takuar dy funksionarë të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, prej të cilëve na u tha që Mehmet Shehu ka vrarë veten.
Pak më vonë, meqenëse na është thënë se do të vepronim si për çdo rast tjetër, kemi kërkuar që të vinin edhe ekspertët mjeko– ligjorë, të cilët i ka njoftuar me telefon Koço Josifi. Jemi ngjitur në korridorin e katit të dytë, ku mbasi është bërë kompletimi i grupit, kemi filluar këqyrjen e vendit të ngjarjes, në dhomën e gjumit. Derën e dhomës së gjumit e kemi gjetur të mbyllur, nuk mund të them dot nëse ajo ka qenë e kyçur apo jo. Në dhomë jemi futur të gjithë pjesëtarët e grupit, duke qenë si dëshmitarë të pranishëm Ali Çeno e Milto Kostaqi. Para se të fillonim nga këqyrja e vendit të ngjarjes, unë i kam thënë Elham Gjikës se kush do ta shkruante procesin, Elhami tha që ta shkruajë Koço Josifi, mbasi çështjen do ta hetojë dega e hetuesisë së Drejtorisë së Punëve të Brendshme, Tiranë. Në procesin e këqyrjes së vendit të ngjarjes, kemi përcaktuar me hollësi çdo gjë që kemi këqyrur. Por gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes kanë lindur disa probleme, për të cilat ka dhënë porosi dhe urdhra Elham Gjika se si do të veprohej. Fillimisht ka lindur si problem bërja e autopsisë për të cilën Elhami ka thënë që kufoma do të lihet në vend në gjendjen që është. Për sa i përket problemit të shtrirjes së këqyrjes së vendit të ngjarjes në studion e Mehmet Shehut, të teshave apo garderobës që ndodhej në dhomën e gjumit, na është thënë nga ana e Elham Gjikës, që nuk do të bënim asnjë veprim. Për këto Elhami na ka thënë që është porosia e shefit (Feçor Shehut). Nga grupi hetimor – operativ, gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes vetëm Elham Gjika ka dalë nga dhoma e gjumit rreth 3 herë, por se nga ç’derë dilte dhe ku shkonte, unë nuk e kam vënë re. Dhoma e gjumit të Mehmet Shehut komunikonte edhe me studion e tij dhe kjo e fundit kishte një derë që dilte në korridorin e katit të dytë, të cilën unë e kam parë vetëm pasi ka përfunduar këqyrja.
Gjatë tri rasteve që kam parë që Elham Gjika është larguar nga dhoma e gjumit, siç e thashë edhe më lart, nuk e di se ku ka vajtur, ai mund të jetë futur edhe në studion e Mehmet Shehut, por unë nuk e kam parë mbasi kam qenë i përqendruar në këqyrjen e vendit të ngjarjes. Sqaroj se gjatë zhvillimit të Elham Gjika është futur brenda në studion e Mehmet Shehut, kurse unë dhe të tjerët kemi qëndruar afër derës. Kur është futur Elhami në studion e Mehmet Shehut, unë nuk e di se çfarë veprimesh ka kryer dhe sa kohë ka qëndruar aty. Në një tavolinë të vogël që ka qenë në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut, kemi gjetur një tufë çelësash të vendosur në një këllëf meshini, të cilët janë numëruar dhe është fiksuar dhe me procesverbal. Jam i bindur që këta çelësa janë prekur me dorë nga ana e Elham Gjikës, por nuk e kujtoj me saktësi nëse i ka mbajtur ai në dorë apo i ka lënë përsëri në vendin ku u gjendën. Kur ka përfunduar këqyrja, Elham Gjika na tha që gjithçka në vendin e ngjarjes do të lihej në pozicionin që u gjend dhe kështu u veprua nga vendi i ngjarjes janë marrë vetëm pistoleta, gëzhoja dhe plumbi. Mbasi ka përfunduar këqyrja e vendit të ngjarjes, kemi dalë në korridorin e katit të dytë, ku është thënë që do të vuloseshin dyert dhe sa mbaj mend, është kërkuar me emër Jonus Lutua që të sillte çelësat e dhomave, është sjellë plastelinë dhe spango dhe janë vulosur dyert.
Ky veprim ka zgjatur rreth 15 – 20 minuta dhe gjatë kësaj kohë ne kemi qenë të gjithë në korridorin e katit të dytë. Nëse Elham Gjika ka qenë apo jo gjatë kësaj kohë, së bashku me ne të tjerët në korridorin e katit të dytë, mua nuk më kujtohet. Elham Gjika gjatë kësaj kohe mund të ketë qëndruar edhe në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut, por unë nuk e di me siguri këtë gjë. Edhe Ali Çenon unë nuk e kujtoj nëse ka qenë në korridorin e katit të dytë apo jo. Pasi janë dyllosur dyert dhe çelësat, janë futur në një zarf, ne zbritëm poshtë në katin e parë, ku në dhomën e pritjes nga Elham Gjika, Koço Josifi dhe unë janë pyetur si dëshmitarë Fiqret Shehu, Vladimir Shehu, Ali Çeno e Milto Kostaqi. Pastaj, rreth orës 15:00 ikëm të gjithë në Ministrinë e Punëve të Brendshme”.
DËSHMIA E KRIMINALISTIT
Dëshmitari i radhës është Estref Myftari, me detyrë ekspert kriminalist në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Dëshmia e tij është dhënë më 25 prill 1983: ”Në lidhje me çështjen mund të them sa më poshtë: Më 18 dhjetor 1981, ditën e vetëvrasjes së Mehmet Shehut, duke qenë me detyrën e shefit të laboratorit kriminalistik, më ka njoftuar ish-drejtori i hetuesisë, Elham Gjika që të përgatitesha për të shkuar në një vendngjarje. Megjithëse unë e kam pyetur atë lidhur me natyrën e vendit të ngjarjes, ai nuk më ka thënë asgjë. Mbasi kam rregulluar të gjitha mjetet e nevojshme për këqyrje të vendit të ngjarjes, jam takuar me Elham Gjikën dhe së bashku me atë dhe me Dhimitër Beshirin kemi shkuar tek shtëpia e Mehmet Shehut. Këtu mbasi jemi takuar me dy punonjës drejtues të Ministrisë së Punëve të Brendshme, na është thënë që Mehmet Shehu kishte vrarë veten. Na u tha që të vepronim normalisht si në çdo rast tjetër, prandaj kemi kërkuar që në vendin e ngjarjes të vinin edhe ekspertët mjeko-ligjore.
Janë njoftuar dhe kanë ardhur mjekët Bashkim Çuberi dhe Fatos Harito. Pasi është bërë kompletimi i grupit në katin e dytë, nëpërmjet paradhomës, jemi futur në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut, ku ai kishte vrarë veten. Me sa mbaj mend, dera e dhomës së gjumit dhe studios së Mehmet Shehut kanë qenë të kyçura, por secili preson i ka patur çelësat, mua nuk më kujtohet. Në këqyrjen e vendit të ngjarjes kemi marrë si dëshmitarë të pranishëm Ali Çenon dhe Milto Kostaqin. Procesverbali këqyrjes së vendit të ngjarjes është shkruar nga ana e Koço Josifit, duke u diktuar nga unë dhe mjekët për rastin e përshkrimit të kufomës, në disa raste ka diktuar dhe Elham Gjika, por Elhami ka qenë i pranishëm vetëm në disa momente për arsye se ai disa herë ka dalë nga dhoma e gjumit, se ku ka vajtur, sa kohë është vonuar dhe çfarë veprimesh ka kryer, unë nuk e di. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes kemi përshkruar me hollësi në procesverbal gjithçka që kemi parë, por kemi për të sqaruar që me urdhër të Elham Gjikës nuk kemi këqyrur teshat e Mehmet Shehut që kanë qenë në dhomën e gjumit, gardërobën si dhe nuk kemi bërë këqyrjen e studios së tij, e cila komunikonte me dhomën e gjumit. Nuk më kujtohet që gjatë këqyrjes të kemi parë ndonjë çantë dhe çelësa, në rast se kemi parë, ato do të jenë fiksuar në procesverbal.
Siç e thashë edhe më lart, Elham Gjika në disa raste ka dalë jashtë nga dhoma e gjumit të Mehmet Shehut, mundet që të ketë dalë nga kjo dhomë edhe Ali Çeno, se ku ka vajtur secili prej tyre, unë nuk e di. Kur ka përfunduar këqyrja e vendit të ngjarjes, është thënë që gjithçka d të lihet ashtu siç u gjet dhe ne kështu kemi vepruar duke i vendosur gjërat ashtu siç i gjetëm. Nga vendi i ngjarjes është marrë vetëm pistoleta, plumbi dhe gëzhoja. Pas kësaj, pas 15 – 20 minutash ka filluar që të bëhej dyllosja e dritareve, derës së banjës, derës së studios dhe mbasi kemi dalë të gjithë jashtë, është bërë kyçja dhe dyllosja e dhomës së gjumit të Mehmet Shehut. Mbas këqyrjes së këtij veprimi, kemi dalë të gjithë në korridor, por unë nuk mbaj mend që të kem parë këtu Elham Gjikën dhe Dhimitër Beshirin, kurse për personat e tjerë më kujtohet që kanë qenë të gjithë në korridorin e katit të dytë, ku kemi qëndruar rreth një orë e gjysmë. Gjatë kohës që kemi qëndruar në korridorin e katit të dytë, është bërë pyetja e dëshmitarëve, e cila është bërë në katin e parë, por se në çfarë vendi dhe cilët persona janë pyetur, unë nuk e di.
SOM 1
“Kam marrë letër dhe çantë dhe kam zbritur në korridorin e katit të dytë të Ministrisë së Punëve të Brendshme ku jam takuar me Elham Gjikën dhe Koço Josifin. Kemi shkuar që të tre për t’u futur në zyrën e ish-ministrit Feçor Shehu, ku në fillim ka qenë Elhami. Sapo futeshim në zyrë, Feçori i revoltuar na tha ’ikni, përse vini këtu’. Feçori ka qenë në zyrë me Bato Karafilin, ishin të tronditur e të shqetësuar”
SOM 2
“Elham Gjika në disa raste ka dalë jashtë nga dhoma e gjumit të Mehmet Shehut, mundet që të ketë dalë nga kjo dhomë edhe Ali Çeno, se ku ka vajtur secili prej tyre, unë nuk e di. Kur ka përfunduar këqyrja e vendit të ngjarjes, është thënë që gjithçka d të lihet ashtu siç u gjet dhe ne kështu kemi vepruar duke i vendosur gjërat ashtu siç i gjetëm”
SOM 3
“Mbasi është bërë kompletimi i grupit në katin e dytë, nëpërmjet paradhomës, jemi futur në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut, ku ai kishte vrarë veten. Me sa mbaj mend, dera e dhomës së gjumit dhe studios së Mehmet Shehut kanë qenë të kyçura, por secili preson i ka pasur çelësat, mua nuk më kujtohet”
NESËR DO TË LEXONI:
-Dëshmia e Fatos Haritos, ekspert mjeko–ligjor pranë Byrosë së ekspertimit Mjekoligjor në Tiranë:Ja çfarë konstatova mbi trupin e pajetë të Mehmet Shehut.
-Dëshmia e kreut të Hetuesisë Koço Josifi:Kush më dha urdhrin dhe pse i ndërprenë hetimet në kabinetin e Mehmet Shehut që komunikonte me dhomën e tij.
-Pse u thirrën pjesëtarët e grupit të hetimit pas mesnate në zyrën e ministrit të Brendshëm Feçor Shehu.
FAQE 2
Arkivat, 17 dhjetor 1981: Byroja
Politike kryqëzon Mehmet Shehun
Ngjarja në vilën e Mehmet Shehut mesnatën e 17-18 dhjetorit 1981 është paraprirë pak orë më para nga kryqëzimi i Mehmetit në mbledhjen e Byrosë Politike, lidhur me fejesën e djalit me vajzën e Turdinjve, familje e deklasuar. Në rolin e gjykatësit, atijë i drejtohen Enver Hoxha, Kadri Hazbiu, Prokop Murra, Lenka Çuka, Manush Myftiu, Besnik Bekteshi, Simon Stefani, Pali Miska, Adil Çarçani, Llambi Gegprifti, Muho Asllani, etj…
Kadri Hazbiu:-Ç’rëndësi ka kjo(letra Turdinjve në Amerikë)!? Për mendimin tim s’ka asnjë rëndësi, pse të futemi në të tilla hollësira ne?
Enver Hoxha:-I shkroi letër e si shkroi letër, kjo është punë agjenturiale dhe ti i di shumë mirë këto, Mehmet.
Kadri Hazbiu:-Ç’rëndësi ka kjo për ne, që nuk e lehtëson aspak.
Mehmet Shehu:-Unë kështu e gjykova këtë punë, kjo sigurisht e ka dëmtuar punën e Partisë, por unë nuk u nisa nga ajo, që të vë interesat e djalit mbi interesin e Partisë. E gjykova gabim. Një pyetje tjetër, është që vetitë negative…
Simon Stefani(e ndërpret Mehmetin):-Më fal shoku Enver, dua t’i bëj një pyetje tjetër lidhur me problemin e luftës së klasave. Ju shoku Mehmet, mos keni lëkundje në vijën e Partisë?
Mehmet Shehu:- Jo, lëkundje në vijën e Partisë unë nuk kam pasur. Këtu, në këtë çështje, unë kam gabuar dhe e pranoj gabimin. Ky, siç e them edhe në autokritike, është një gabim i rëndë.
Ramiz Alia:-Po mirë, si e pranoni ju atëherë mendimin që do të influencoheshit tek vajza? Ç’do të thotë kjo? A mundet t’i këshillojmë Partisë, o burra, merrni vajzat e kulakëve, merrni vajzat e ballistëve, futini në familje, se ne do të influencojmë mbi ‘to? Kjo, nuk është vallë një tezë oportuniste?
Mehmet Shehu:-Po, kjo është një teze oportuniste, në këtë rast, qëndrimi im nuk është konsekuent, prandaj them që kam gabuar rëndë, në raste të tjera unë nuk kam gabuar, dhe e them për rastin konkret.
Ramiz Alia:-Kjo ka të bëjë me bindjen tuaj.
SHIKOJENI LINI PRRALLAT http://www.youtube.com/watch?v=WCQjZtU-iww