Arkivi i Shtetit dhe memoria historike e kombit shqiptar

redaktor

Arkivi i Shtetit Shqiptar është institucioni më i rëndësishëm arkivor në shkallë kombëtare ku grumbullohen, ruhen, përpunohen dhe shërbehen dokumentet kryesore, që dëshmojnë për historinë e kombit dhe të shtetit shqiptar. Historia e Arkivave në Shqipëri është e lidhur me historinë e Kombit dhe të shtetit shqiptar, dhe është rezultat i proceseve dhe i fazave të zhvillimit të tyre. Fillimet e veprimtarisë arkivore datojnë që nga antikiteti, kur në bibliotekat që ekzistonin në shtetet ilire, krahas librave, ruheshin edhe dokumente. Dokumenti i parë që bën fjalë për përpjekjet për krijimin e një Arkivi Qendror Historik, është vendimi i datës 2.1.1932 i Këshillit të Naltë të Shtetit, për shqyrtimin e projekt-rregullores, për regjistrimin e ngjarjeve me rëndësi. Arkivi i Shtetit u krijua si sektor në varësi të Institutit të Studimeve në vitin 1947. Me urdhëresën e Këshillit të Ministrave nr. 21, datë 8.6.1949 (AQSH i RSH, F. 890, V. 1949, D. 501) Arkivi i Shtetit doli si institucion i pavarur. Në vitin 1951, Arkivi i Shtetit kaloi në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, deri në vitin 1962. Po këtë vit u krijua Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit, në varësi të Këshillit të Ministrave (AQSH i RSH, F. 890, V. 1960, D. 27).

Më 19.06.1984 për herë të parë Kuvendi i Shqipërisë aprovoi ligjin nr 6893 “Për fondin arkivor të shtetit dhe për arkivat”. Mbas ndryshimit të sistemit politik, në korrik 1994 Kuvendi pluralist i Republikës së Shqipërisë në mbështetje të nenit 16 të ligjit 7491, datë 24/04/1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese” me propozim të Këshillit të Ministrave, miratoi ligjin “Për fondin arkivor kombëtar dhe për arkivat” .

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1 të Kushtetutës, dhe me propozimin të Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi Ligjin 9154, datë 06/11/2003 “Për Arkivat”. Dokumentet që ruhen në Arkivin Qendror Shtetëror në Tiranë dhe në Arkivat Shtetërore Vendore në qarqe janë gjithëpërfshirës në prejardhje, lloj, material bazë, vend e kohë krijimi dhe në informacionin që ato përmbajnë.

AQSH ruan dokumente që nga Mesjeta e Hershme e deri më sot, që pasqyrojnë historinë e popullit shqiptar, luftërat e tij për liri, pavarësi e kulturë kombëtare. Dokumentet më të vjetra, janë kodiku i argjendtë i shekullit VI-të, dhe kodiku i artë i shekullit IX-të. Dokumentet laike nisin nga shek. XV-të. Me rëndësi janë aktet e sheriet vendëse, që nga fillimi i shek. XVII-të, kodikët e shek. XVI-XVIII etj. Nga shek. XIX-të deri më 1912, ka një fond të pasur sidomos për epokën e Rilindjes Kombëtare. Aktet zyrtare të shtetit shqiptar 1912-1920, janë mjaft të cunguara. Administrata shtetërore ka dokumente më të plota pas vitit 1920. Studentët e Universitetit të Shkodrës dhe studiuesit e këtij qyteti, për t’u orientuar paraprakisht në punën e tyre të ardhshme në AQSH në Tiranë, mund t’i drejtohen indekseve të këtij arkivi, që gjenden edhe në Bibliotekën e Departamentit të Historisë së Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Në këtë bibliotekë gjinden indekset e mëposhtme: Shekulli VI deri më 1831 (3 vëllime), Shteti dhe e drejta 1832-1912 (4 vëllime), Politika 1932-1912 (3 vëllime), Kleri 1832- 1912 (3 vëllime), Ushtria 1932-1912 (1 vëllim). Pas vitit 1992, në këtë arkiv u përfshinë edhe dokumentet e ish Arkivit Qendrorë të PPSH. Gjithashtu, në Republikën e Shqipërisë, funksionojnë Arkivi Qendror i Ushtrisë, pranë Ministrisë së Mbrojtjes, Arkivi i Ministrisë së Brendshme, Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Një rrjet i tërë arkivash ekzistojnë pranë Këshillave Popullorë ndër rrethe. I një vlere të rrallë ka qënë Arkivi i Gjykatës së Rrethit Shkodër, i cili u dogj gjatë trazirave të inskenuara, në paraditen e 14 marsit 1997. Ky arkiv zotëronte të gjitha dokumentacionet e pronësisë dhe të administratës osmane të ish-vilajetit të Shkodrës, kopjet e të cilave mund të gjinden ndoshta vetëm në Arkivin e Ankarasë.

Dokumenti i parë datohet në shekulli VI.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *