Skuadra e trajnerit Roberto Stellone falë fitores 2-0 ndaj Udineses të Dielën u rikthye fuqishëm në garën për mbijetesë në Serinë A italiane dhe për këtë një meritë të jashtëzakonshme e ka padiskutim mbrojtësi i kombëtares shqiptare Arlind Ajeti.
Që nga muaji Dhjetor që 22-vjecari është bërë pjesë e Frosinones, Ajeti është aktivizuar në 9 takime, i fundit si titullar ai ndaj Udineses. Përballë skuadrës friulane mbrojtësi i kombëtares kuqezi ishte një nga futbollistët më të mirë në fushë për vendasit duke u vlerësuar nga mediat italiane me një notë goxha të lartë 6,5 në përfundim të sfidës.
“Gjithmonë i sigurtë në ndërhyrjet e tij, sidomos në ato me kokë në të cilat del fitimtar pothuasje në të gjitha rastet, me këto fjalë e argumenton Tuttomercatowebb, paraqitjen e Arlind Ajetit ndaj Udineses.
Që 22-vjecari shqiptar i ka ndryshuar fytyrën mbrojtjes së Frosinones mjafton t’u hedhësh një sy statistikave. Në 9 takime gjithsej me Ajetin në fushë skuadra nga krahina e Lazios ka pësuar vetëm 12 gola me një mesatare prej 1,33 golash për takim, ndërkohë që në këto 9 sfida Frosinone ka grumbulluar në total 12 pikë nga 26 gjithsej në 28 takime. Nëse shikojmë ndeshjet e skuadrës së Stellones pa Arlind Ajetin në formacion gjatë këtij sezoni, Frosinone ka pësuar 41 gola në 19 sfida duke u ndëshkuar mesatarisht 2,15 herë për takim.
Edhe pikët e grumbulluara janë shumë pak vetëm 14 në 10 ndeshje më shumë. Për të përshkruar të gjitha këto stastika mjafton të thuash, te Arlind Ajeti, Frosinone ka gjetur sigurinë në prapavijë dhe nëse kjo skuadër arrin të mbijetojë në Serinë A, një meritë të madhe do ta ketë padiskutim mbrojtësi shqiptar i cili e nisi me një gol ndaj Sassuolos që në debutim aventurën e tij italiane.
